TIRANË - Ministria e Bujqësisë dhe grupet e punës përkatëse, e kanë venë në kontroll situatën e groposjes të bagëtive të ngordhura dhe dezinfektimin e zonave në jug të vendit që u përmbytën nga rreshjet e rrëmbyeshme të shiut që ra gjatë ditëve të fundit.
 
Zv/ministri i Bujqësisë Jani Babi është shprehur se deri tani janë groposur rreth 850 krerë bagëti të ngordhura në qarkun e Fierit e Vlorës, të cilat ishin dhe zonat më të prekura nga përmbytjet.
 
Sipas tij, ekspertët e fushës po ndjekin situatën e bagëtive të dëmtuar në të gjitha zonat, ndonëse në zona të tjera numërohen raste sporadike dhe në numër të kufizuar rastesh kafshë të ngordhura.
 
Gjithsesi deklaron zv.ministri Babi, grupet e specialistëve me Inspektoratin Shëndetësor dhe me udhëheqjen profesionale të Institutit të Shëndetit Publik po ndjekim nga afër të gjithë zinxhirin e mundshëm të përhapjes dhe transmetimit të sëmundjeve ngjitëse, ndërsa po groposin çdo kafshë të ngordhur dhe dezinfektojnë zonat duke eliminuar situatat epizotike. “Nuk kemi asnjë rast të kontaminimit epizotik”-tha Babi.
 
Krahas këtij procesi, që në ditët e para të përmbytjeve, Drejtoritë Rajonale të AKU-së në Fier e Vlorë po zbatojnë kontrolle për parandalimin e abuzimit me këto kafshë e shpendë të ngordhura, duke kontrolluar çdo automjet që del nga zonat e përmbytura dhe që mund të transportojë kafshë të ngordhura nga përmbytjet. Me qëllim parandalimin e çdo rasti të mundshëm abuzimi, inspektorët e AKU-së në Fier dhe Vlorë, përveç planit mujor të inspektimeve, të cilën e kanë punë të përditshme, janë bërë pjesë edhe e postblloqeve të policisë, si dhe grupeve tjera të punës, si Drejtori Bujqësie apo Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, me qëllim parandalimin e çdo mundësie abuzimi, të marrjes së kafshëve apo shpendëve të ngordhura, nga subjekte apo individë e shitjet e tyre si mish e nënprodukte të tij, apo përpunimin ne fabrikat e sallamit. Po ashtu, inspektorët e AKU, kanë kontrolluar edhe disa subjekte të mëdha e të vogla të përpunimit të mishit e prodhimeve të nënprodukteve të tij.

Sipas AKU-së, nuk është konstatuar asnjë rast abuzimi, ndërsa kontrollet e AKU-së dhe pjesëmarrja në postblloqet e policisë, do të vazhdojë, derisa të mos mbetet mbi sipërfaqe, asnjë kafshë apo shpend i ngordhur./ATSH/

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)