Përmeti ringjall me
saze usta Laver Bariun

Përmeti ringjall me<br />saze usta Laver Bariun
TIRANE- Për herë të parë do të mbahet në qytetin e Përmetit “Festivali Iso-polifonik i  Sazeve “Usta Laver Bariu”, i cili njihet edhe si “qyteti  historik i muzikës me saze”. Festivali do të mbahet në datat 25-27 maj. Organizmi i tij u arrit me nismën e Këshillit të Muzikës Shqiptare, Qendrës Kulturore të Bashkisë Përmet dhe Seksionit Shqiptar të CIOCC-it. “Ky festival organizohet në tri net, në nderim të mjeshtrit të klarinetës Usa Laver Bariu, i cili u nda nga jeta më 26 janar të vitit 2014 edhe në kuadër të javës të aktiviteteve të diversitetit kulturor 21-25 Maj, 2014 të shpallur nga Ministria e Kulturës më 21 Maj 2014”, njofton për gazetën “Shqiptarja.com”, në emër të Komitetit Organizator, muzikologu i njohur Vaso Tole.

Sipas tij, do të bëhet një organizim shumë i veçantë i këtij aktiviteti që përfshin: koncerte nga formacionet pjesëmarrëse të sazeve, ekspozita, konferenca, promovime etj. Muzikologu Vaso Tole ideator i festivalit shprehet se “tek sazet dhe tek muzika me saze gjenden rrënjët e ekzistencës dhe identitetit tonë kulturor. Për më tepër, përdorimi i veglave muzikore europiane si violina, klarineta dhe fizarmonika në muzikën iso-polifonike qytetare, krijoi një bashkim origjinal të vlerave të së shkuarës sonë me marrje, prerja dhe iso me veçoritë që sillnin këto vegla të zemrës së Europës tek ne. Prandaj muzika me saze nuk është vetëm kulturë muzikore, ajo mbi të gjitha është trashëgimi shpirtërore e banorëve të rrënjës në Shqipërinë e Jugut dhe pjesë e gëzimeve dhe halleve të tyre.”
 
Festivali si domosdoshmëri
Muzikologu i njohur, Vaso Tole rrëfen se sazet lindën dhe u zhvilluan së bashku me njerëzit, me hallet dhe gëzimet e tyre, për gati 150 vjet në trevat shqiptare. “Sazet përfaqësojnë muzikën e shpirtit njerëzor, krijuar nga njerëzit që transmetohet përmes njerëzve. Sot shohim se ka një shkëputje të rolit të tyre në shoqëri dhe rrudhje të përdorimit publik të tyre në të gjitha nivelet. Sazet dhe muzika me saze janë ekspozuar ndjeshëm gjithashtu edhe ndaj përdorimit të teknologjive të reja muzikore dixhitale dhe për këtë kërkohet përsëri një rigjallërim dhe ndërfutje e tyre në jetën e përditshme, hartimi i politikave kulturore në ruajtje dhe mbrojtje të tyre duke filluar nga mësimi i gërnetës dhe i veglave muzikore të sazeve nga fëmijët pranë qendrave kulturore.”, argumenton Tole. Festivali iso-polifonik i Sazeve Usta Laver Bariu” do ta promovojë gjerësisht këtë kulture muzikore tradicionale të Përmetit, Leskovikut, Kolonjës, Beratit, Vlorës, Korçës, Odries, Pogradecit etj.
 
Koncertet e festivalit
Koncertet e Festivalit të Sazeve do të mbahen në qendër të qytetit, në skenën natyrale që përmetarët e quajnë “Sheshi i Lapidarit”. Grupet pjesëmarrëse para fillimit të koncerteve do të vendosen në krye të katër rrugëve me drejtim në sheshin e qytetit, ku ndodhet dhe shtëpia e Laver Bariut. Të gjitha grupet me tingujt e sazeve do të drejtohen drejt sheshit dhe do të bëhen bashkë pikërisht aty. Sazet pjesëmarrëse në këtë festival janë:
 
Sazet e Përmetit, me gërnetë Sadik Zeqiri, Përmet.
Sazet "Fllad Kolonjar", me gërnete Artan Stajo, Erseke.
Sazet e Gezim Duralliut me gërnete, Përmet,
Sazet e Delvinës, Delvinë.
Sazet e Ilir Duralliut, me gërnete Ilir Duralliu
Sazet e grupit "Onufri" në Berat, me gërnete Adrian Koreci.
Sazet e Josif Shukallarit me gërnetë, Përmet.
Sazet e Telando Fetes, me gërnete Telando, Korçë.
Sazet e ftuara nga Greqia,
Sazet e Përmetit në gërnetë … Athanasi
Sazet "Bilbilat e Vrionit", me gërnetë Behar Hoxha, Vrion.
Sazet e “Familjes Lela”, në gërnetë Fatmir Lamaj.
Sazet e Kolonjes, në gërnetë Aleks Xhelili,
Sazet e shoqerisë "Elena Gjika", me gërnetë Ligor Pecollari
 
Ekspozita
Krahas koncerteve do të organizohen një ekspozitë kushtuar sazeve dhe Usta Laver Bariut, promovimi i CD-së “Trashëgimia shpirtërore e Laver Bariut në CD” dhe do të ekspozohen për herë të parë gërneta dhe kostumi popullor me fustanellë i Laver Bariut, promovim librash kulturore dhe ekspozita fotografike dhe etnografike, ku përfshihet edhe libri “Jeta që na dhanë” i poetit përmetar, Bardhyl Londo, që përshkruan jetën e gjallë të sazeve dhe të pjesëtarëve të tyre në kontekstin e një jete shoqërore në Përmet.

Autori do të jetë vetë prezent në Përmet për këtë promovim edhe si anëtar i Komitetit Organizator të këtij festivali. Gjithashtu do të zhvillohet dhe një ekspozitë e veçantë fotografike e titulluar “Përmeti etnografik”, në mjediset e jashtme të Kishës së “Shën e Premtes”, që mban statusin “Monument Kulture”. Juria e Festivalit do të ndajë: 4 çmime për gërnetarët më të mirë dhe 4 çmime për këngëtarët më të mirë të sazeve.

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike