Nervozizmi që po shoqëron procesin e negocimit të krizës politike në vend, nuk ka të bëjë me mungesën e negociatorëve, por me një vendim të fortë të Lulzim Bashës. Një zëdhënëse e tij, ka sulmuar sot ashpër LSI, pasi Ilir Meta filloi të dalë nga skenari i krizës, duke ofruar si kompromis adresimin tek Partitë Popullore.

E vërteta është se Lulzim Basha ka qenë në kontakt me Partitë Popullore, dhe i ka konsumuar ato negociata. Ai i ka marrë mesazhet e qarta prej tyre në Maltë dhe me gjithë përpjekjet e zonjës Bregu, për të prodhuar një negociator të ri, kjo situatë nuk ka rrugëzgjedhje. Basha është pak a shumë në situatën që ishte Berisha, pas zgjedhjeve të vitit 1996, kur ish nënsekretari amerikan i SHtetit, Timotheu Worth, u nis të vinte si negociator mes tij dhe opozitës, por Berisha e dinte çfarë do dëgjonte dhe e refuzoi. E njëjtë është dhe situata me Bashën. Ai e di se përse do vijnë negociatorët, dhe nuk do t’i dëgjojë.

Skenari i Lulzim Bashës është mosfutja në zgjedhje dhe çdo negociator i duhet për të ilustruar këtë objektiv. Pra ai do të hynte në negociata, do të pranonte David McAllisterin që kryeson Komisionin për Çështje Evropiane të Parlamentit Evropian dhe që është njeriu më i afërt i Merkelit në Bruksel, do të pranonte Ministrin e Jashtëm Gjerman, Komisionerin Hahn e këdo tjetër, boll që të krijoheshin kushtet për të dështuar negociatat dhe ai të ishte në anën e fitimtarëve.

Për këtë i duhet mbi të gjitha Ilir Meta. Skema e bashkëpunimit të tyre, kur njëri rri në çadër, e thotë nuk hyjnë në zgjedhje dhe tjetri jashtë çadrës duke turbulluar situatën me tezat se duhet hyrë në zgjedhje, por duhet nxjerrë ai nga çadra, është e përkyer për të dështuar çdo negociatë.

Në momentin që Ilir Meta ka dhënë shenja se mund ti ikë kësaj skeme dhe ka dorëzuar Bashën tek Partitë Popullore, atëhere jemi para një krize të re, e cila duhet përballuar ashtu siç vjen pa opozitën.

Lulzim Basha nuk ka arsye për të mos hyrë në zgjedhje që t’ia zgjidhin negociatorët. Dhe ata e dinë këtë. Edhe Ilir Meta e Lulzim Basha e dinë. E vetmja arsye, përse Basha e prodhon këtë krizë, është të krijojë premisa dhe shanse për të fituar zgjedhjet ende pa filluar, duke shkarkuar Edi Ramën në tavolinë. Kaq e thjeshtë është loja. Dhe për këtë i duhet deomos LSI dhe jo të dërguarit e Merkelit.

Tërheqja, nëse është tërheqje e Ilir Metës dhe LSI dhe dorëzimi i fatit të Bashës tek Partitë Popllore, është një histori e re, e cila duhet lexuar mirë nga Basha.

Reagimi i zëdhënëses së tij, tregonte se Basha e quan “tradhëti” këtë që bën Ilir Meta. Duhet pritur të flasë dhe Berisha që ta marrim seriozisht si lëvizje. Si Ilir Meta ashtu dhe të dërguarit e Merkelit, nuk vijnë për të zgjidhur krizën, por për t’i hequr turpin Lulzim Bashës të hyjë në zgjedhje dhe të bëjë sikur fitoi diçka. Të gjithë e dimë që nuk ka nevojë për negociatorë, por për njerëz që t’i krijojnë një shteg për tërheqje Lulzim Bashës, nëse ai do dhe është i lirë të marrë vetë vendime.

Nëse ai është i vendosur t’i shkojë deri në fund vendimit të tij, e gjitha kjo është kot. Negociatorët nuk kanë çfarë negociojnë, ata vetëm do pozojnë dhe do ikin. Por kjo do të ndodhë, nëse Basha do të kërkojë vërtet ndihmë prej tyre për të dalë nga çadra. Ndihmë për të qëndruar në çadër mund ti japë vetëm vetja e tij dhe vendimet që ka marrë. Nëse është i vendosur, ai le t’i shkojë deri në fund. Do të ketë zgjedhje përsëri dhe ndoshta ndryshon mendje.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com