Përtej përgjigjes nga Roma zyrtare

Përtej përgjigjes nga Roma zyrtare
 Shpesh herë është thënë që në gazetari, në letërsi ose në gojëtari çdo krahasim çalon. Por, kur bëhet fjalë për mjete teknike të komplikuara apo pajisje kompjuterike të sofistikuara, krahasimet me mënyrat e përdorura nëpër poligone qitjeje nuk kanë fare këmbë, mbeten në hava dhe koloviten si tullumbacet, që pastaj shfryhen në heshtje apo pëllcasin me piskamë. Dhe atyre që janë mësuar apo stërvitur të nxjerrin edhe bulçitë për këtë punë nuk u duhet shumë kohë të mbajnë frymën për ta lëshuar atë vrullin dhe vrerin e inatit.

     Kështu ka ndodhur në zhvillimet e këtushme politike, pikërisht kur po u vjen fundi afateve për të hedhur një hap të madh përpara në rrugën e integrimit evropian, për të kryer reformën në drejtësi, e cila nuk ka të bëjë – siç u shpreh të mërikurën që kaloi eurodeputeti Fleckenstein në auditorët e Universitetit të Shkodrës – me politikanët që të shpëtojnë kokat e veta apo të fëmijëve të tyre, por me të ardhmen e Shqipërisë.

Në këto kushte, atyre që u pëlqen sistemi aktual i korruptuar bëjnë akuza dhe veprime në shkelje të ligjit ndaj atyre që mbrojnë ligjin dhe rendin për krijimin e një klime të përshtatshme ndryshimesh të thella të sistemit të drejtësisë.
     Kështu ndodhi edhe me të ashtuquajturin skandal të përgjimeve të Policisë së Shtetit, që plasi shumë shpejt si tullumbacet prej përgjigjjes së ardhur nga Roma zyrtare, sipas së cilës konfirmohet me përgjegjësi të plotë se, aparatura trajnuese e përfolur dhe e parashikuar për t’u përdorur këtu në luftën kundër krimit të organizuar që në një Marrëveshje midis qeverive italiane dhe asaj shqiptare, të nënshkruar në vitin 2007 “ka qenë gjithmonë në zotërim të operatorëve italianë dhe e ruajtur, kur kjo nuk përfshihej në aktivitete formuese dhe trajnuese, në brendësi të Ambasadës italiane në Tiranë”.

Megjithatë, pavarësisht se nga ana e disa eksponentëve të opozitës vazhdojnë të jepen deklarata, se përgjimi ka ndodhur dhe se hetimet duhet të vijojnë; pavarësisht deklarimit në Kuvend të berish se do t’i kërkonte zyrtarisht dhe miqësisht(?!) autoriteteve italiane që të thellojnë hetimet e tyre për  përdorimin këtu të asaj të flamosure pajisje pë flamosure pajisje pgjimi; pavarësisht se Presidenti Nishani i kërkoi takim Ambasadorit, Alberto Cutillo për shpjegime të mëtejshme ngaqë i kanë vrarë sytë ato rradhë të nënshkruara nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Italiane (që ditët e fundit është ngarkuar të kryejë funksionet e Drejtorit të Shërbimeve Inteligjente të shtetit fqinj) dhe nuk i është mbushur mendja që sipas disa rregullave, përgjigjja e ardhur nga Roma zyrtare të mbajë vulën e Ambasadës Italiane në shtetin ku adresohet, pra në Shqipëri; pavarësisht edhe ndoca komenteve dyshuese deri në trishtim, se bota e realitetit paska sinoret e saj, ndryshe nga ajo e imagjinatës që është e pakufijshme, ndoshta është me interes të shprehemi në këto rradhë përtej rradhëve të kësaj letre, për të vërtetën jo vetëm groteske, por edhe të hidhur të thurrjes së këtij “skandali”, që nuk implikon aspak qeverisjen aktuale, por përkundrazi, komprometon rëndë pozitën e disa prej funksionarëve më të lartë të shtetit, të cilët shkelin me të dyja këmbët Kushtetutën dhe ligjet, për të krijuar në klimën e sotme destabilitet të vendit.    
 
*  *  *
 
Promovimi i këtij të ashtuquajturi skandal ka pak javë që u bë, kur ideuesi, frymëzuesi dhe përpunuesi i shumëhershëm i skemave destabilizues, Sali Berisha nisi të hartonte një listë me 375 emra politikanësh dhe zyrtarësh të lartë, kryesisht opozitarë të qeverisjes së zgjedhur me votat e popullit, telekomunikimet e të cilëve na u përgjokërkan nga Policia e Shtetit, me urdhërt të Kryeministrit Rama. Në këtë kohë, ai që lideri de facto i Partisë Demokratike ia kishte vënë emrin në krye të listës së tij, pra, Bujar Nishani lëshoi kujën për këtë gjëmë që po i ndodhte Kreut të Shtetit dhe sigurisë kombëtare. Prandaj, për ditë me rradhë e ktheu selinë e Institucionit të Presidentit të Republikës në studio intervistash me gazetarët dhe deklaratash drejtuar një dore njerëzish ish të persekutuar të këtij vendi...madje edhe konferencash të rëndësishme apo fjalimesh të dhimbshme për rrezikun që përbënte në çarjen e marrëdhënieve të shkëlqyera midis Italisë dhe Shqipërisë freskimi i kujtesës së tij dhe i publikut të gjerë mbi Marrëveshjen e firmosur nga dora vetë më 2007 – n.

Mirëpo, sipas nenit 94 të Kushtetutës, Presidenti i Republikës nuk mund të ushtrojë kompetenca të tjera përveç atyre që i njihen në këtë Dokument bazik të shtetit dhe që i jepen me ligje të nxjerra në zbatim të tij. Kështu, për shembull, ai nuk mund të bëhet përçarës i unitetit të popullit, nëpërmjet ushtrimit të një roli denigrues të diktuar nga ai që e zgjodhi në atë post për interesa vetjake dhe partiake. Ndërkohë, nëse Presidenti i Republikës vë alarmin për cenim të sigurisë kombëtare, nuk mund të merret me molloira dhe muhabete kafanesh, për të dënuar, sipas tij, ”veprime ilegale dhe të paligjshshme të segmenteve të caktuara të Ministrisë Brendshme në Shqipëri“, por të mbledhë menjëherë Komisionin e Sigurisë Kombëtare, që kryesohet prej atij vetë dhe që nuk e bëri.

Mund të vazhdojmë t’i kujtojmë Bujar Nishanit edhe konceptimin e rolit të presidentit të Republikës si faktor ekuilibri në jetën e vendit dhe jo të destabilizimit të saj; të rolit të moderatorit të veprimtarisë së partive politike dhe jo të përfshirjes në favorizimin e interesave të njërës prej tyre; të një prej garantëve të respektimit të Kushtetutës etj. Por, për të mos u zgjatur, mjafton të pyesim: Kush e informoi atë për përdorimin e një pajisjeje përgjimi ndaj zyrtarëve të lartë të shtetit me në krye atë vetë, dhe në çfarë rruge institucionale apo jo, u vu në dijeni ai? Deri tani, përgjigjjet e kësaj pyetjeje publiku nuk i ka marrë vesh prej gojës së Bujar Nishanit. Prandaj, si të mirëqena mund të merren ato çka shprehu Drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit, Visho Ajazi Lika, sipas të cilit ishte ai që pati informuar Presidentin, ose që për këtë i kishte thënë Prokurori i Përgjithshëm.
 
*  *  *
       
     Po çfarë vërtetësie përmbante ai informacion që kishte marrë Drejtori i SHISH? Me çka ndoqëm mbledhjen e fundit të Komisionit të Digurisë të Kuvendit të Shqipërisë (ku u shpreh prej një deputeti të opozitës krahasimi fare pa këmbë, që u përmend në fillim të këtyre rradhëve, për të hetuar përballë Ministrit të Brendshëm mundësinë e përgjimit nga aparatura trajnuese e Interforcës) dëgjuam Visho Ajazi Likën të thoshte: ”Dy muaj të shkuara ne morëm informacion se një pajisje e teknologjisë së lartë kishte ardhur në Shqipëri dhe ishte vendosur në Vlorë...I shqetësuar se një pajisje e tillë mund të përdorej edhe për veprimtari të paligjshme, mora kontakt me Kryeprokurorin...“. Për mosvënien  në dijeni të Kryeministrit, ai gjeti një vjegë, se nuk mund t’i jepte Kryeministrit një informacion të pakonfirmuar. Po nëse ishte i tillë informacioni, madje edhe pa shkrim apo i sigurt, atëhere pse zotëruesi i tij u rrëfye në dyer të tjera të Shtetit?

     Këtu lind nevoja të shfletojmë ligjin nr. 8391, datë 28.10.1998 (i ndryshuar më 1999 dhe më 2005) ”Për Shërbimin Informativ Kombëtar“, neni 4 i të cilit parashikon, se: «Shërbimi Informativ Kombëtar është institucion qëndror që varet nga Kryeministri». Ndërsa neni 5 i ligjit përcakton detyrat e këtij Institucioni, midis të cilave, informon dhe raporton te Presidenti i Republikës dhe te Kryeministri për problemet që lidhen me sigurinë kombëtare; ky Shërbim përgjigjet për mbledhjen, analizimin dhe shpërndarjen e informacionit, i cili duhet të jetë objektiv dhe i pavarur nga konsideratat politike. Po përse atëhere Drejtori i SHISH  anashkaloi kryeministrin, qoftë edhe me pretendimin që shprehu në Kuvend? Përse ai dërgoi gjetkë e gjetkë një informocion që nuk mbartëte dy elementet kryesore që ia përcakton ligji?

Le të mos zgjatemi me kërkesat e tjera ligjore për ushtrimin e veprimeve të tij, të hartuara nga Drejtori dhe të miratuara nga Prokurori i Përgjithshën (neni 6), për veprimtarinë kontrolluese të tij nga Kuvendi (neni 7), kur SHISH krijon bindjen për një shkelje të ligjit informon institucionin përkatës (neni 9) etj. Por, të mos harrojmë, gjithashtu, se është ligji organik i SHISH, i cili që në nenin 1 parashikon se ky Institucion ”...është organ informativ në funksion të sigurisë kombëtare, që vepron në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Shqipërisë“. Pra, a kishte vlerë informacioni gojor dhe i pakonfirmuar, ofruar nga Visho Ajazi Lika, për të regjistruar Prokuroria një çështje penale dhe për të hetuar rreth saj?
 
*   *   *
 
Që këtej del në skenë roli i Adriatik Llallës, i cili u paraqit para deputetëve të Komisionit parlamentar të Sigurisë, me gatishmërinë për të dhënë shpjegime  për një çështje të veçantë, siç ishte kjo e përgjimeve. Ndonëse, sipas nenit 149/4 «Prokurori i Përgjithshëm raporton në Kuvend për gjendjen e kriminalitetit», Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr. 28, datë 04.12.2006 vlerëson, se: «...mjetet e kontrollit parlamentar mbi Prokurorinë nuk mund të përdoren si instrument për të shqyrtuar dhe vlerësuar vendimet e marra nga ana e prokurorit pësuar vendimet e marra nga ana e prokurorit për çështje konkrete». I njëjti vlerësim mbahet edhe në Projektin – Kushtetues, ku bëhet fjalë për organin e akuzës.

Por, mirë që në Komisionin e Sigurisë deputetët e krahut të djathtë, një prej të cilëve drejtonte seancën e fundit, mezi prisnin të dëgjonin Prokurorin e zemrës që t’u shpjegonte kërkesat e tyre për çeshtjen e veçantë që qenë mbledhur, nuk e dinte ky Llalla së paku parashikimin e Ligjit organik të institucionit që drejton, se në nenin 63 «Marrëdhëniet me Kuvendin» thuhet qartë që Prokurori i Përgjithshëm nuk informon për çështje konkrete?! Eh, njihen kapacitetet e kufizuara intelektuale dhe profesionale të këtij juristi të sprovuar vetëm në gatishmërinë për zbatimin e urdhërave të Sali Berishës, që e vuri fillimisht në krye të ILDKP dhe më pas në krye të organit të Prokurorisë. Mjafton t’i shpiesh nëpër mend ato kapacitete që të të marrë të qarët! Megjithatë, askush nuk mund të jetë imun nga veprimi dhe ndëshkimi i ligjit, përveçse kur mban apo nxjerr papritur në dritë ndonjë epikrizë  të rëndë.

Prandaj, nuk mund të mos kërkohet nga publiku që të dihet, gjithashtu, se a i ka parasysh Prokurori Llalla, së paku në trajtimin e kësaj çështjeje, se çfarë parashikojnë dispozitat e Kodit të Procedurës Penale? Bie fjala, neni 281/1 i të cilit urdhëron që: «Nëpunësit publikë, të cilët gjatë ushtrimit të detyrës a për shkak të funksioneve të tyre marrin dijeni për një vepër penale që ndiqet kryesisht, detyrohen të bëjnë kallzim me shkrim edhe kur nuk është i individualizuar personi të cilit i atribuhet vepra penale». Mirëpo, Llalla pranoi që të regjistrohej si vepër penale informacioni i Visho Ajazi Likës, i marrë gojarisht dhe i transmetuar po gojarisht.

Gjithashtu, Llalla pranoi që të veprohej në kundërshtim flagrant me paragrafin 4 të po këtij neni të Kodit të Procedurës Penale ku thuhet, se: «Kallëzimi përmban elemente thelbësore të faktit, burimet e provave, gjeneralitetet, banimin dhe çdo gjë tjetër që vlen për identifikimin e personit, të cilit i atribuhet fakti, të personit të dëmtuar dhe atyre që janë në gjendje të sqarojnë rrethanat e faktit». Nga zhvillimi i mbledhjes së Komisionit parlamentar të Sigurisë, me çka tha Drewjtori i SHISH nuk ekzistonin elementet thelbësore të faktit, as burimet e provës, gjeneralitetet etj. Është e tepërt apo shumë fyese pastaj që t’i kërkosh Llallës, nëse ka thirrur ndonjëherë në pyetje si person që ishte në gjendje të sqarojë rrethanat e faktit atë, Berishën, që u ça e u nda së deklaruari me siguri, se Policia e Shtetit përgjonte 375 zyrtarë të lartë.
  
*  * 
Ky është rrethi vicioz i një çështjeje, që sigurisht do të
mbyllet dhe harrohet. Por askush nuk mund të sigurojë lexuesin, se nuk do të dëgjojë edhe këto ditë ndonjë thagmë tjetër nga këta zyrtarë të lartë apo edhe të tjerë si këta, të cilëve u pëlqen të vazhdojë gjendja e amullisë, ku të pasurohen paligjshëm, të urdhërojnë të tjerët dhe të paguajnë ca gjyqtarë të korruptuar, për të pranuar çdo kërkesë të tyre. Në këtë vrundull pasionesh dëmprurëse, ata po fërgëllojnë të zvarritin reformën në drejtësi dhe ta deformojnë përmbajtjen e thellë të saj.
     Por, megjithatë, kjo reformë shumë shpejt do të miratohet dhe jo shumë larg do të zbatohet!   




redaksia online
a.n shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Kosova mbyll dy ndërmarrje publike serbe në veri! Sveçla: Grumbullonin pagesa në mënyrë të paligjshme!

Kosova mbyll dy ndërmarrje publike serbe në veri! Sveçla: Grumbullonin pagesa në mënyrë të paligjshme!