Pa qeveri dhe president, Kosova në udhëkryqin më të madh që nga lufta

Pa qeveri dhe president, Kosova në udhëkryqin më të madh që nga lufta

Foto ilustruese

Kosova është zgjuar sot në udhëkryqin më të madh të historisë së pasluftës. Shteti më i ri i Ballkanit është pa president, pa një qeveri legjitime, me liderët kryesorë politikë në paraburgim në Hagë, me ekonominë e goditur rëndë nga pandemia dhe po aq të izoluar në skenën ndërkombëtare sa 12 vite më parë.

Sikur të mos mjaftonin gjithë problemet që ky vit kishte sjellë për Kosovën, një tjetër erdhi mbrëmjen e së hënës, kur Gjykata Kushtetuese vendosi se vendi duhet të shkojë në zgjedhje brenda 40 ditësh.

Me anë të një vendimi unanim, ajo ka shpallur të pavlefshëm votimin e Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Avdullah Hoti në 3 qershor, duke e detyruar vendin që në mesin e një pandemie të mbajë zgjedhjet parlamentare. Ky vendim vjen, pasi vota e deputetit Etem Arifit u konsiderua e pavlefshme, për shkak të dënimeve penale që rëndojnë mbi të.

Sipas Kushtetueses, vendimi i Kuvendit të Kosovës i 3 qershorit për zgjedhjen e qeverisë “nuk është në pajtueshmëri me Kushtetutën sepse qeveria nuk ka marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës”.

Me ndërrimin e dy qeverive brenda një viti, vendimi i së hënës duket të jetë kthesa e fundit për në udhëkryqin e vështirë politik ku ndodhet vendi që pas shpalljes së pavarësisë.  Një vit më parë, Kosova gjendej po ashtu pa qeveri, me kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës , Isa Mustafa që ishte ulur në një tavolinë të vështirë negociatash me kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Edhe pse kushtet e saj nuk u morën vesh kurrë, Kurti dhe Mustafa arritën pas tre muajsh bisedimesh një marrëveshje, por ditët e kreut të VV-së si kryeministër do të ishin të numëruara.

Qeveria Kurti nuk zgjati më shumë se 50 ditë, pasi LDK-ja vendosi të tërhiqej nga varka e qeverisë, duke ngritur një mocion mosbesimi kundër kryeministritit, duke çuar në rrëzimin e tij. Për të mbyllur këtë plagë politike, Kosova lëvizi për themelimin e qeveris së re, me anë të kalimit të mandatarit tek LDK-ja , e cila formoi kabinetin e ri së bashku me AAK-në, NISMA-n dhe minoritetet.

Qeveria e Avdulla Hotit me zor mori shumicën e thjeshtë prej 61 votave, ose të paktën kështu mendohej në atë kohë. Për shumë kritikë, kjo qeveri kishte qëndruar në këmbë sepse partitë opozitare PDK dhe VV nuk i kishin numrat e nevojshëm për ta rrëzuar.

2021 duhet të ishte viti kur do të bëhej edhe zgjedhja e presidentit të ri sepse presidentit Thaçi po i mbaronte mandati 5 vjeçar, por disa muaj pas rrëzimit të një kryeministri, në Kosovë u rrëzua edhe presidenti.  I gjendur përballë presionit të jashtëzakonshëm, në nëntor, kur u bë konfirmimi i aktakuzës nga gjykata speciale për krime lufte ndaj Presidentit dhe ish-udhëheqësve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kryetarit të PDK-së Kadri Veseli , shefit të grupit parlamentar të LVV Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqit, Thaçi i detyrua të jepte dorëheqjen.

Me dërgimin e tyre në dhomat e paraburgimit në Hagë, Kosova humbi edhe figurat që kishin mbizotëruar në jetën politike të Kosovës. Pas largimit të Veselit për në Hagë, Partia Demokratike e Kosovës ka mbetur për herë të parë pa kryetar.

Po ashtu se Kosova do të mbetej pa president, duke bërë Kryetaren e Parlamentit, Vjosa Osmanin që të jetë ushtruese e detyrës.

Që nga ajo kohë, partitë politike dhe koalicioni qeverisës u zhytën në negociata për presidentin, të cilat cuan në disa deklarata për zgjedhje të parakohshme. Koalicioni u përça, me Ramush Haradinaj që doli si emri i parë për kandidat dhe AAK-në që e bëri të qartë se voton për asnjë kandidat tjetër tij për president.

Ky debat duket se nuk do të shuhet as me mbajtjen e zgjedhjeve të parakoshme. A janë zgjedhjet zgjidhja e duhur në këtë situatë dhe a do mundet fituesi që të formojë shumicën për të qeverisur dhe pastaj për të zgjedhur Presidentin?

Tani për tani, Gjykata Kushtetuese thotë se Qeveria Hoti do të mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e një ekzekutivi të ri, duke patur kështu jo vetëm përgjegjësinë e pandemisë, planifikimin e fushatës së vaksinimit të popullsisë, por edhe atë të  organizimit të zgjedhjeve.

Kërkesa në Kushtetuese u dërgua nga Lëvizja Vetëvendosje duke sjellë në vëmendje një vendim ku Arifi ishte dënuar me 1 vit e 3 muaj burgim për mashtrim me subvencionet, me shpresën se do të ketë një mundësi të dytë për të ardhur në  pushtet. Por e ardhmja në Kosovë paraqitet sot e turbullt dhe e pasigurtë me jetën politike që ka marrë goditjen më të rëndë që ka koha e pas luftës./ Gazeta 'SI'

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë