Larg zhurmës së krismave të armëve dhe frikës së luftës, fëmijët afganë tashmë të sigurt kanë filluar lojën në ambientet e hoteleve që janë akomoduar prej disa orësh në qytetin bregdetar, Durrësin.
Fëmijë, të pashqetësuar kanë dalë në natyrë dhe po luajnë në ambientet e hotelit. Ata janë të lirë për të gëzuar fëmijërinë e tyre pa frikë se buzëqeshja e tyre e pafajshme 'do ju ngrijë' nga kërcënimet dhe dhuna që mund të të kishin në atdheun e tyre.
Të tjerë me plaçka nëpër duar i drejtohen dhomës së tyre për të gjetur qetësi pas “stuhisë” së përjetuar ditët e fundit. Ata mbërritën në Shqipëri në orët e para të mëngjesit të sotëm me shpresën se lufta është larg tyre dhe jetën tashmë e kanë të sigurt nga kërcënimet e talebanëve.

Ata janë akomoduar në 2 hotele në Durrës, ndërsa forcat e sigurisë kanë rrethuar të gjithë ambientin për të garantuar sigurinë e tyre. Në hotel ka mjekë që do të kujdesen për shëndetin e afganëve, edhe sipas protokolleve për Covid, si dhe psikologë, nisur nga situata e rënduar prej nga ata vijnë.
Lajmi kryesor:
Mbërrijnë 121 afganët e parë në Shqipëri, akomodohen në Durrës! Rama: Braktisën tokën e tyre për të shpëtuar jetën! Yuri Kim: Krenarë t'ju quajmë mik e aleat! Xhaçka: Detyrimi ynë të mos i braktisnim
J.GJ./I.K/Shqiptarja.com

