Në seancën në Kuvend të dedikuar për problemet e qytetarëve, deputeti socialist i Lezhës, Ermal Pacaj, ngriti disa prej çështjeve më shqetësuese për banorët e qarkut, një prej tyre ajo e energjisë elektrike. Sipas tij, ka shkëputje të shpeshta si dhe mungesë të fuqisë së rrymës elektrike, ndërsa peshkatarët në Shëngjin nuk subvencionohen për naftën.

“Një ndër problemet që kam evidentuar në Lezhë, s’di të ketë qark tjetër që të ketë probleme me energjinë elektrike më shumë se Lezha. Në Malaj të Mirditës frigoriferin e përdorin si raft se s’ka energji për të ftohur. S’po them pastaj për Ishull-Shëngjin e Ishull-Lezhë, që është edhe një ndër 100 fshatrat elektrike. Era më e vogël të fryjë, ikin dritat. Në Shëngjin është edhe problemi i peshkimit. Kemi diku te 30 barka që para krizës së karburantit, shpenzonin rreth 70 lekë për litër, pa TVSH. Tani shpenzojnë rreth 14 milionë lekë të vjetra në muaj. Te ne s’ka subvencione”, tha Pacaj.

Trajtimi i problemeve të qytetarëve nga socialistët u përgëzua nga deputeti demokrat Arjan Ndoja që për Pacajn, pati një ftesë të veçantë. Më tej, Ndoja u ndal edhe te reforma administrative duke përsëritur se është jo konsensuale.

“Reforma territoriale-administrative, bazuar në nenin 70 të Kuvendit, është jo konsensuale. Ka një ligj me 4 nene ku nga momenti i miratimit të raportit, duhet të kalojë jo më pak se 1 javë që ta kenë në shqyrtim gjithë deputetët e Shqipërisë. Në këto kushte nxjerrim në pah gjithë procedurën dhe tregojmë që në këtë parlament nuk votohet, por ndjekin një urdhër. Falënderoj të gjithë kolegët e PS që treguan problemet nga Prania Besnike, tregon që ekzistojnë vërtet dhe ata s’kanë pasur mundësi zgjidhjeje për 13 vjet. Kolegun Pacaj e ftoj nesër t’i bashkohet foltores në Lezhë se foli shumë bukur, i lumtë goja!”, tha Ndoja.


Lajmi kryesor:

Kuvend/ Arresti i ish-kreut të SHISH, Berisha: Hyseni u rekrutua nga bandat, ju bëheni avokatë! ‘Territorialja’, Balla: Fokusi te shërbimet! Zhupa: Masakër