TIRANE- Spitali i Traumës punon në kushtet e mungesave ekstreme. Në të mungon pothuajse gjithçka që nga medikamentetet e deri tek aparaturat që duhet të bëjnë ekzaminimet e urgjencave para se të futen në sallë. Fondi i dhënë nga buxheti i shtetit për vitin 2013 është harxhuar. Spitali i Traumës, i cili pret rreth 100 raste urgjencash çdo ditë, ka prekur fundin. Mjekët mund të ofrojnë vetëm duart dhe eksperiecën e tyre.

Asgjë tjetër nuk mund të gjesh në këtë spital. Skënder Buci, shefi i urgjencës pranë këtij spitali na thotë se mungesat janë deri në atë pikë, saqë ata kërkojnë shpalljen e ermrgjencës për këtë spital. “Nga të gjitha rastet urgjente që na vijnë mesatarisht 3-4 prej tyre janë në gjendje shumë të rëndë, të patranssportueshëm. Që do të thotë se ata nuk mund të lëvizien nga vendi dhe presupozohet që gjithçka të bëhet në bllokun operator. Por në të vërtetë nuk ndodh kështu. Këtu tek ne nuk punon skaneri, që është i domosdoshëm për raste të tilla, për të parë se çfarë dëmtimesh ka i sëmuri dhe ku i ka. ndërkohë që është një listë e gjatë me analiza që duhen bërë dhe që janë të detyrueshme para se pacienti të futet në sallë. As këto nuk bëhen pasi nuk funksionon laboratori bio-kimit.

Në këtë situatë ne duhet të marrim një vendim, pasi nuk mund ta lëmë pacientin të vdesë meqë nuk kemi aparaturat. Ne konsultohemi dhe duke u bazuar në ato që dimë dhe nga shenjat që ka i sëmuri, hamendësojmë se çafrë mund të ketë dhe e fusim në sallë të operacionit, duke marrë përsipër një përgjegjësi shumë të madhe. Nëse ndodh më e keqja, të nesërmen mund të vijë mjeku-ligjor dhe të më thotë pse nuk ia ke bërë x ekzaminim dhe nuk do t’ia dijë se këtu mungon. Ne jemi në kushte mungesash ekstreme, dhe kjo situatë zgjidhet vetëm po të shpallet gjendja e emergjencës”, - na thotë Skënder Buci, shefi i urgjencës në spitalin e Traumës. Aktualisht i gjithë fondi i dhënë nga buxheti i shtetit për vitin 2013 është harxhuar, ndërsa nga përllogaritë, administrata e kaluar i ka lënë këtij spitali një borxh prej 1.5 milionë euro.

Në këtë situatë drejtoria e spitalit ka vendosur të reduktojë operacionet e planifikuara dhe t’u japë prioritet vetëm rasteve urgjente. “Ne kemi prekur fundin, - na thotë më tej Buci, - dhe vendimi i drejtorisë është mëse i drejtë. Pasi ato fonde që kanë ngelur të orientohen drejt urgjencave, pasi një rast urgjence nuk pret dhe as nuk ka ku të shkojë tjetër, pasi ne jemi të vetmit që trajtojmë traumën, por ai që do të bëjë operacion ta zëmë, veshkën, mund të mos e ketë urgjencë si dhe mund të shkojë në QSUT”, - na shpjegon më tej Buci.

Aktualisht është marrë vendimi që të preket buxheti i vitit pasardhës, pra i 2014-ës, deri në masën 20% në mënyrë që të plotësohen nevojat më minimale për rastet më urgjente. Javës që vjen pritet që një grup mjekësh të Spitalit Ushtarak të zhvillojnë një takim me ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqja, për të vendosur se cilat mund të jenë rrugët e daljes nga kjo krizë që e ka përfshirë Spitalin e Traumës. Ky spital deri një vit më parë ka qenë nën varësinë e ministrisë së Mbrojtjes dhe vetëm këtë vit ka kaluar nën varësinë e ministrisë së Shëndetësië, ndaj mejkët shpresojnë shumë në përmirësimin e situatës.
 
Shkrimi u publikua sot (2.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)