Tirane-  Pacientët e sëmurë me tumor vijojnë të përballen me problematika kur shkojnë për të marrë shërbim në spitalin shtetëror të Onkologjikut në QSUT.

Prej të paktën 1 jave, pacientet me sëmundje tumorale ankohen se nuk po bëjnë radioterapi pasi dera e dhomës bunker ku ndodhet aparatura e akseleratorit linear në Spitalin Onkologjik, ka mbetur hapur! Radiologët nuk mund të trajtojnë pacientët pasi në çdo rast rrezatimet do të dilnin jashtë dhomës me kushte sigurie nëpër ambientet e spitalit Onkologjik.

"Është e prishur. Kur rregullohet nuk e di. Mjekët nuk më kanë thënë gjë për të shkuar në privat, por edhe po të më thonë nuk ia arrij dot, nuk kam mundësi. Gjendja ime shëndetësore nuk është e mirë, është e përkeqësuar, por me shpresë të Zotit" thotë një paciente për Report Tv. 

Pas denoncimit me zë e figurë në Report Tv, nga QSUT thonë se dera në dhomën bunker u rregullua nga teknikët dhe të hënën të sëmurët mund të bëjnë radioterapi.

Akseleratori i parë linear, aparaturë e teknologjisë së fundit për trajtimin e tumorit, u vendos për herë të parë në shërbimin Onkologji në QSUT në vitin 2016. Ndërkohë një aparaturë e dytë akseleratori linear për radioterapi është investuar në Spitalin Onkologjik në 2020-ën.

Për shkak të fluksit në spitalin Onkologjik që trajton pacientë nga gjithë Shqipëria, duket se vetëm një akselerator në punë nuk mund të mbajë peshën e të gjithë të sëmurëve me kancer, të shtruar dhe ambulatorë, siç është rasti i zonjës e cila thotë se e kanë përcjellë nga spitali pa i bërë rreze.

Siç hetimet e prokurorisë së Tiranës zbuluan, prej vitesh në Onkologjik pacientët nuk i janë nënshtruar proceseve terapeutike me braktiterapi, pasi pajisja nuk u vu në punë edhe pse lënda radioaktive e kobaltit u soll në spital në një procedurë të dyshimtë, për të cilën hetuesit ende nuk dinë se kush e ka porositur, një teknologji që shumë shtete e kanë hequr, dhe praktikohet në vende si India e Afrika.

Hetimet që Prokuroria e Tiranës po bën mbi abuzimet në spitalin Onkologjik nga disa mjek e personel, kanë trazuar jo pak të sëmurët me tumor, përsakohë organi i akuzës dyshon se janë lënë qëllimisht pa shërbim në shtet për tu detyruar të shkojnë në privat në klinikat e vetë mjekëve, siç është rasti i onkologut në hetim Edmond Gashi.

Hetuesit dyshojnë se të sëmurëve s’u jepej kura e plotë dhe ilaçet dilnin jashtë spitalit të shiteshin nëpër farmaci, ndaj pacientët po dyshojnë edhe nëse janë duke marrë apo jo ilaçet e duhura. Vetë mjekët të cilët po vijojnë punën në Onkologjik, thonë se po ka pacientë që mendojnë se në flakonin për kimio po u hidhet ujë.

Terapia me rrezatim është një trajtim i zakonshëm i tumoreve.
-Gati një e treta e njerëzve me kancer marrin rrezatim.
-Mjekët përdorin EBRT si një trajtim të kancerit në disa mënyra:
-Vetë ose me trajtime të tjera në përpjekje për të kuruar kancerin
-Para trajtimeve të tjera si operacioni për tkurrjen e një tumori
-Pas trajtimeve të tjera për të shkatërruar çdo qelizë kanceroze të mbetur
-Pas trajtimeve të tjera për të reduktuar simptomat dhe për të zgjatur cilësinë e jetës