Mbyllja e Sanatoriumit në Tiranë dhe kthimi i tij në spitalin COVID 2, ka bërë që pacientët e tij të transferoheshin në spitalin e Elbasanit. Një mos koordinim i mirë i punës ka bërë që një paciente 68-vjeçare nga Tirana në gjendje të rëndë me mushkëritë dhe probleme në rrugët e frymëmarrjes të qëndrojë për rreth 2 orë në autoambulancë pa trajtim e kujdes të mjekëve.
Pacientja ishte dërguar për t'u vizituar në spitalin "Shefqet Ndroqi" dhe pasi iu konfirmuar se ajo nuk ishte mbartëse e COVID -19 dhe kishte probleme me mushkëritë u dërgua për mjekim në Spitalin e Elbasanit. Ishte e bija që bëri denoncimin se e ëma po sorollatej rrugëve në një kohë kur mezi mbushej me frymë.
"E çuam te urgjenca e sanatoriumit na thanë do shkoni në Elbasan se ka shkuar atje. Shkuam tek urgjenca e Elbasanit na nxorën jashtë, na sollën këtu në spital, as këtu nuk na pranojnë. Ajo ka probleme me mushkëritë dhe mbi dy orë qëndrojmë në ambulancë në gjendje të rëndë. Nuk është marrë vesh urgjenca e Tiranës me këtë në Elbasan. Nëna ka rezultuar negative pas testimit me COVID-19", tha e bija.
Pas më shumë se 3 orësh, mjekët e spitalit të Elbasanit vizituan pacienten 68-vjeçare, i bënë skanerin dhe vendosën dërgimin e saj te QSUT pasi përveç problemeve në mushkëri, ka probleme të rënda kardiake, të cilat mund të kërkojnë ndërhyrje kirurgjikale.