PRISHTINE, 11 nentor/ATSH/. - Fjalë të mira për deklaratat e kryeministrit të Shqipërisë në Beograd, ka thene zëvendëskryeministri në detyrë, Behgjet Pacolli, ben te ditur KosovaPress.
Ai e vlerëson lartë kryeministrin shqiptar Edi Rama, madje për të po thotë që foli me dinjitet me gjuhën e Evropës dhe Perëndimit.
Në një shkrim të postuar në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Pacolli thotë se serbëve nuk u pëlqen kur shqiptarët folën ashtu siç foli Rama.
Shkrimi i plotë i Behgjet Pacollit në Facebook:
Shqipëria nëpërmjet kryeministrit Edi Rama po afirmon në marrëdhëniet rajonale kulturën e dinjitetit. Kështu ishte rasti i mesazheve të tij për pavarësinë e Kosovës në vizitën e tij historike në Beograd.
Serbëve nuk u pëlqen kur shqiptarët flasin me dinjitet me gjuhën e Europës dhe Perëndimit.
Bashkëqytetarët e mi të Kosovës janë ndjerë mirë nga ky përfaqësim ndaj e nderuan kryeministrin Rama në rrugët e Kosovës ndërsa ai kthehej nga Serbia. Ne e nderuam vëllain tonë si e meriton ai!
Me dinjitet mund të fitohet shumëçka. Shqiptarët e Luginës duhet të ndihen mirë që dëgjuan prej gojës së Kryeministrit Rama në vizitën e tij lajmin se Qeveria Serbe do të njohë diplomat e Republikës së Shqipërisë.
Një mundësi më shumë që të rinjtë e Luginës të mos e braktisin vendlindjen e tyre. Shqiptarët po mendojnë njëlloj, po frymojnë njëlloj. Duhet dhe jetësimi i iniciativave ekonomike përbashkuese që të jemi më të fortë dhe më të begatë! /a.ke/