TIRANE-Fatin e Gjykatës Kushtetuese që u fut në ngërç mund të ketë edhe Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) pas lëvizjeve të Presidentit Ilir Meta. Fillimisht kreu i shtetit u përplas me KED duke emëruar emrin e dytë (Marsida Xhaferllari) për të njëjtin vend në gjykatën Kushtetuese, pasi më parë ishte emëruar anëtarja Arta Vorpsi, automatikisht si e para në listë pas përfundimit të afatit 30 ditorë që presidenti Meta kishte në dispozicion për të zgjedhur. Ndërsa me kallëzimin e djeshëm penal kundër Ardian Dvoranit që dorëzoi në tre prokurori, Presidenti rrezikon që të fusë në kaos KED-në, organin që liston pikërisht kandidatët për në Kushtetuese.

Shorti për zgjedhjen e anëtarëve të KED do të hidhet në datë 5 Dhjetor, ndërsa funksionimin ky institucion e nis më pas në fillim të vitit 2020 me mandat një vjeçar. Por ligji e përcakton se një person që është në ndjekje penale nga organi i akuzës nuk mund të kandidojë për të qenë pjesë e KED-së. Kjo do të thotë se Ardian Dvorani, që drejton Këshillin e Emërimeve në Drejtësi për shkak të funksionit që ka si anëtar i Gjykatës së Lartë, i ngelur vetëm pas procesit të vettingut rrezikon që të përjashtohet nga rikandidimi nëse ndaj tij do të nisë një proces penal nga prokuroria. E gjithë kjo situatë do të thotë se nëse nis hetimi kundër Dvoranit pas kallëzimit të Ilir Metës ai mbetet jashtë KED-së dhe në kushtet kur nga Gjykata e Lartë nuk ka asnjë emër tjetër (pasi Medi Bici është anëtar i KLGj-së) ky institucion futet në ngërç.

Çfarë thotë ligji për ngritjen e KED-së? Pika 3 e nenit 149/d të Kushtetutës së ndryshuar në vitin 2016, parashikon që Presidenti i përzgjedh me short anëtarët e Këshilli të Emërimeve në Drejtësi, midis datave 1 dhe 5 dhjetor të çdo viti kalendarik, dy gjyqtarë nga Gjykata Kushtetuese, një gjyqtar nga Gjykata e Lartë (që edhe e drejton këtë institucion), një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme, dy gjyqtarë, dy prokurorë nga gjykatat e apelit, si dhe një gjyqtar nga gjykatat administrative. Por nëse Presidenti i Republikës nuk arrin të zgjedhë anëtarët deri në datën 5 dhjetor, Kryetari i Kuvendit i zgjedh ata me short brenda datës 10 dhjetor.

Pra, nëse Meta refuzon ta ushtrojë këtë funksion, procesi do të kalojë në duart e Kuvendit. Sa i takon kompetencave, kryetari i KED përgatit, thërret dhe drejton mbledhjet e Këshillit, përfaqëson Këshillin në marrëdhëniet me të tretët, harton dhe bën publik raportin vjetor mbi veprimtarinë e Këshillit, siguron dokumentimin e mbledhjes se këshillit dhe mbajtjen e dokumentacionit si dhe nënshkruan aktet e verifikimit të kandidatëve, vlerësimit dhe të renditjes dhe ia përcjell ato organit të emërtesës.

Por përpos gjykatës së Lartë që nuk ka anëtar tjetër përveç Dvoranit, e komplikuar është zgjedhja e dy anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi në radhët e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, për shkak se për një vend vakant në këtë gjykatë, janë emëruar dy anëtare, Arta Vorpsi dhe Marsida Xhaferllari. Arta Vorpsi, e renditur e para me pikë nga KED, është zgjedhur automatikisht anëtare e Gjykatës Kushtetuese, pasi Presidenti Meta nuk e ushtroi të drejtën për të emëruar një nga tre kandidatët e renditur në krye të listës. Por, disa ditë pas mbarimit të afatit ligjor, Meta dekretoi si anëtare të Kushtetueses Marsida Xhaferllarin, e renditur e katërta në listën që KED i dërgoi Presidentit. Mazhoranca dhe Kuvendi njohin zonjën Arta Vorpsi si anëtare të ligjshme, ndërsa Presidenti Meta, opozita dhe anëtarja Vitore Tusha njohin Marsida Xhaferllarin si anëtare të ligjshme.