TIRANE - Kryeministrit Edi Rama i ka sosur durimi teksa ka qëndruar për rreth 3 orë me rradhë në Gjykatën e Lartë dhe më pas ka braktisur seancën dhe ka lënë në sallën e gjyqit të vetme avokaten e tij, Enkelejda Muça. Largimi i tij, është bërë fill pas fjalës së avokatit të deputetit të PD njëherësh kreut të grupit parlamentar të kësaj force politike Edi Paloka, i cili renditi një sërë argumentash dhe përmendi dy vendime të Gjykatës së Lartë, të cilat për të njëjtën objekt padie si kjo që ka ngritur Rama, kanë vendosur të pushojnë çështjen.

Rama, pas këtij fjalimi ka folur i nervozuar duke pohuar se ka ardhur në Gjykatën e Lartë që të marrë drejtësisë, por sipas tij salla e gjykatës u shndërrua në një seancë parlamenta e stërzgjatur. Në fjalën e tij Rama, replikoi dhe me avokatin e Edi Palokës, Ivi Kaso, të cilin e krahasoi me një personazh tek libri “Ushtari i mirë Zhvejk”, të cilin Rama pohoi se e kishte lexuar kur ishte fëmijë.

Mirëpo shumë shpejt ka ardhur replika e avokatit Kaso duke pohuar se kryeministri Rama nuk di se çfarë pohon, pasi libri që citoi, sipas avokatit nuk është një libër për fëmijë, por një libër për moshat e mëdha.Fill pas kësaj, Rama kërkoi nga gjykata që të largohet ende pa përfunduar seanca, ndërkohë ndryshe nga sa ishte betuar në seancën e parë se do merte pjesë çdo seancë, Rama ka pohuar se nuk do paraqitet më në Gjykatën e Lartë, duke i lënë çëshjen e tij në dorë të avokates.

Ja debati ne seance

Paloka:
Të nderuar anëtarë të trupit gjykues jam këto në respektin e kësaj gjykate.Unë në këtë gjykim nuk përfaqësoj vetëm shtetasin Edi Paloka, por edhe Partinë Demokratike ku aderoj.

Gjykata: Mirë atëherë palët kanë kërkesa paraprake për të dhënë?. Nëse s’ka i japim fjalën avokates së palës akuzuese, që të lexojë padinë civile.
Avokatia: Të nderuar gjyqtarë, për ekonomi gjyqësore po lexoj disa pjesë të padisë civile ku ne kërkojmë nga pala e paditur Edi Paloka një dëmshpërblim prej 30 milion lekë të vjetra.

Pala e paditur gjatë një komunikimi me mediat në muajin Janar në një deklaratë të tij ka akuzuar kryeministrin Rama se është i lidhur me anëtarë të grupeve kriminale, duke i mbështetur dhe përkrahur ata dhe më konkretisht shtetasin Emiljano Shullazin.

Në deklaratë, i padituri ka përmendur se me urdhër të kryeministrit Shullazi dhe anëtarët e bandës së tij që u përfshinë në një përplasje me armë me anëtarë të një bande tjetër në Tiranë, janë fshehur armët e krimit dhe se policia e Tiranës nuk ka marrë asnjë masë ndalimi. Të gjitha këto janë thënie që janë bërë botërisht dhe që konsiderohen si shpifje.Nisur nga kjo ne kërkojmë dënimim me 30 milion lek gjobë të vjetra, ndërkohë që njëherësh çështja të ndiqet penalisht dhe nga Prokuroria e Përgjithshme.

Gjykata:Atëherë u njohëm shkurtimisht me kërkesat e palës paditëse. Pala tjetër ka ndonjë pretendim apo do vijojmë me kërkesat tuaja?
Avokati Kaso: Jo nuk kemi asnjë pretendim. Unë them të japim vetëm pretendimet tona. Së pari, i nderuar zoti kryetar ky process gjyqësor duhet të ishte pushuar, pasi nuk jemi përballë një konflikti personal,pasi dhe vetë zoti Rama e ka thënë seancën e parë se ska asgjë personale me të paditurin Paloka. Këto akuza që lexoi avokatia nuk janë shpifje siç dhe i cilëson ajo, por opinione të mbledhura nga Partia Demokratike dhe të konretizuara në një deklaratë për shtyp, të cilën e ka dhënë nga foltorja e PD, nënkryetari i kësaj force politike Edi Paloka. Opozita ka fjalën e vetë dhe se përfaqëson një pjesë të mirë të popullit, dhe për pasojë Gjykata e Lartë nuk mund tia heqë të drejtën e fjalës, nëpërmjet kësaj padie.

Ne kërkojmë rrëzimin e kësaj kërkesë padie, pasi në raste të ngjashme, vetë Gjykata e Lartë në vitin 2010 ka vendosur të pushojë çështjen.Ne kërkojmë pushimin e kësaj padie pasi e njëjta deklaratë është pohuar dhe nga vetë kryetari i PD Lulzim Basha dhe sekretari i Përgjithshëm Arben Ristani, dhe më pas kryeministri Rama ka hedhur në gjyq vetëm Ristanin dhe jo kryetarin Lulzim Basha. Në kërkojmë pushimin e padisë, pasi akuzat dhe thënien nuk janë bërë në emër të Edi Palokës, por të subjektit politik Partia Demokratike.

Gjykata:Zoti avokat, ju letem më thoni një deklaratë qoftë persona qoftë institucionale që është bërë mbi bazën e opinioneve?
Avokati Kaso:Ka shumë të tilla. Po ju përmend vetëm rastin e fundit deklaratën e Ambasadës Amerikane, e cila teksa përshëndeste përjashtimin e deputetit të PS Tom Doshi nga grupi parlamentar, nisej nga opinione duke deklaruar se Doshi ishte i lidhur me veprimtari kriminale.

Edi Rama:Së pari të nderuar gjyqtarë më duhet të them dy fjalë në këtë seancë gjyqësore por për ekonomi gjyqësore do më duhet të mos zgjatem. Sot mendova se do shkoja në gjyq dhe jo në një seancë të tejzgjatur parlamentare. Unë nuk kam ardhur në Gjykatën e Lartë të meret me opinionet e këtyre zotërinjve por me akuzat që ata bëjnë për çdo ditë, jo vetëm ndaj meje si kryeministër por ndaj çdo shrese.

E them këtë sepse pasi dëgjova fjalën e avokatit, mësova se të gjitha këto nuk kanë qënë shpifje por opinione dhe që janë thënë ng PD dhe jo personalisht nga Edi Paloka. Unë dua të di nga ju si gjykatë se kush nga këta “Edi”, ka të drejtë. Për më tepër fjala e avokatit dhe vetë i padituri, (Edi Paloka) në këtë gjyq më ngjanë sot me një personash tek libri “Ushtari i mirë Zhvejk”, të cilin e kam lexuar kur kam qënë fëmijë.

*Shkrimi u botua ne Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)