TIRANË- Seancat gjyqësore ndaj Ols Dados në gjykatën Administrative, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj kërkon që të transmetohen live për publikun e gjerë. Nëpërmjet një kërkesë të veçantë drejtuar gjyqtarit Hazbi Balliu, Veliaj i kujton gjykatës detyrimin për transparencë sipas ligjit organik të vetë Administratives.

Parimi i transparencës së gjykimit duhet të garantohet në mënyrë reale dhe efektive, thotë Kryebashkiaku pasi kufizimi aktual në ndjekjen fizike të seancave nuk përmbush standardin që kërkon ligji. Ai thekson se, për shkak të funksionit të tij publik, interesit të lartë që mbart çështja, personave të shumtë të interesuar, aplikimi i një standardi më të kufizuar nga gjykatat e tjera do të cenonte të drejtën e publikut për të përçuar zhvillimin e çështjeve, besimin e publikut dhe do kompromentonte qëllimet e këtyre proceseve.

“Vetë ligji parashikon se kufizimi i publicitetit është përjashtim dhe lejohet vetëm në raste të caktuara, të lidhura me mbrojtjen e moralit publik, rendit publik, sigurisë kombëtare, sekretit tregtar, jetës private apo të drejtave vetjake. Në rastin konkret, nuk rezulton të ekzistojë asnjë nga këto rrethana që do të justifikonte një kufizim të tillë”, thuhet në kërkesë. 

Një argument i kryebashkiakut është edhe shembulli i Gjykatës Kushtetuese, e cila tashmë transmeton live seancat publike, si standard për garantimin e transparencës dhe aksesit të qytetarëve në drejtësi. Sipas Veliajt, kjo praktikë duhet të shërbejë si model për të gjitha gjykata.

Veliaj i kërkon Gjykatës Administrative shfuqizimin e dekretit që e bëri prokuror Ols Dadon, pasi sipas tij nuk ka plotësuar asnjë kusht për t’i emëruar si i tillë. Avokati i Dados i ka kërkuar  gjykatës ta rrëzojë padinë, duke theksuar se procesi penal ku Erjon Veliaj është i pandehur, nuk ndikohet, pasi çështja ka edhe një prokuror të dytë, Altin Dumanin. Seanca e radhës në Administrative do të jetë më 8 maj

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë