Sipas KLSH Saimir Kadiu ka keqadministruar dhe keqpërdorur fondet e projektit “Modernizimi i Sistemit Shëndetësor Shqiptar” duke i shkaktuar shtetit një dëm ekonomik rreth 90 mijë dollar.
"Nga auditimi rezultoi që në disa prej procedurave të prokurimeve, S.K. ka ndërhyrë përtej kompetencave të tij ligjore në procesin e vlerësimit të ofertave të operatorëve të ndryshëm ekonomikë, duke favorizuar haptazi subjekte të veçanta, nëpërmjet krijimit ndaj tyre të mundësisë së plotësimit të dokumentave të ndryshme kualifikuese, pa të cilat këta operatorë ekonomikë do të skualifikoheshin automatikisht nga komisioni përkatës."- thuhet në njoftimin e KLSH-së
Nga auditimi rezultoi se vlera totale e dëmit të shkaktuar si pasojë e këtyre veprimeve të. S.K. është rreth 90,000 USD dhe përveç kësaj, një pjesë e mirë e fondeve të projektit janë përdorur jo me ekonomicitet, eficiencë dhe efektivitet, duke favorizuar padrejtësisht operatorë të ndryshëm ekonomikë.
Gjithashtu, Kadiu ka penguar gjatë periudhës së auditimit, audituesit e KLSH-së në kryerjen e detyrës së tyre funksionale audituese, nëpërmjet mosvënies në dispozicion të dokumentacionit të kërkuar nga ana e tyre, mosdhënies së aksesit në e-mailin zyrtar të projektit, si dhe krijimit të pengesave artificiale ndaj grupit të auditimit.
NJOFTIMI I KLSH-SE
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të tij të auditimit, ka audituar në Ministrinë e Shëndetësisë projektin “Modernizimi i Sistemit Shëndetësor Shqiptar”, për periudhën Shtator 2006 - Qershor 2012.
Në përfundim të këtij auditimi, Kontrolli i Lartë i Shtetit konstaton se nga ana e personit përgjegjës për zbatimin e këtij projekti, Drejtori i Drejtorisë së Planifikimit Financiar në Ministrinë e Shëndetësisë, janë kryer shkelje të rënda dhe flagrante të dispozitave ligjore dhe nënligjore në fuqi, duke keqadministruar dhe keqpërdorur fondet e këtij projekti, duke tejkaluar vlerat e përcaktuara për komponentët dhe nënkomponentët e tij, duke përdorur fondet e kredisë jashtë destinacionit të përcaktuar, pa zbatuar procedurat e rialokimit, duke kryer shtesa në kontratat e ndryshme me operatorët ekonomikë, pa patur tagrin e nevojshëm ligjor, duke shkelur barazinë e pjesëmarrësve në procedurat e tenderimit, si dhe duke penguar audituesit e KLSH-së në ushtrimin e detyrës së tyre ligjore.
Më konkretisht, nga auditimi rezultoi që Drejtori i Drejtorisë së Planifikimit Financiar në Ministrinë e Shëndetësisë S.K., në tejkalim të kompetencave të tij si përgjegjës për zbatimin e projektit “Modernizimi i Sistemit Shëndetësor Shqiptar”, ka krijuar një përqëndrim të kompetencave në çështjet e prokurimit, zbatimit dhe likuidimit të kontratave, duke sjellë si pasojë përfitim të padrejtë për operatorë të ndryshëm ekonomikë.
Lidhja e kontratave me stafin e Njësisë së Zbatimit të Projektit, kryerja e shtesave të kontratave me operatorë të ndryshëm ekonomikë, fillimi i procedurave të tenderimit, rialokimi i fondeve dhe përdorimi i tyre jashtë destinacionit të përcaktuar, janë kryer nga S.K. pa patur asnjë delegim kompetencash nga Ministri apo deleguesi i tagrave të tij.
Nga auditimi rezultoi që në disa prej procedurave të prokurimeve, S.K. ka ndërhyrë përtej kompetencave të tij ligjore në procesin e vlerësimit të ofertave të operatorëve të ndryshëm ekonomikë, duke favorizuar haptazi subjekte të veçanta, nëpërmjet krijimit ndaj tyre të mundësisë së plotësimit të dokumentave të ndryshme kualifikuese, pa të cilat këta operatorë ekonomikë do të skualifikoheshin automatikisht nga komisioni përkatës.
Nga auditimi rezultoi se vlera totale e dëmit të shkaktuar si pasojë e këtyre veprimeve të. S.K. është rreth 90,000 USD dhe përveç kësaj, një pjesë e mirë e fondeve të projektit janë përdorur jo me ekonomicitet, eficiencë dhe efektivitet, duke favorizuar padrejtësisht operatorë të ndryshëm ekonomikë.
Gjithashtu, S.K. ka penguar gjatë periudhës së auditimit, audituesit e KLSH-së në kryerjen e detyrës së tyre funksionale audituese, nëpërmjet mosvënies në dispozicion të dokumentacionit të kërkuar nga ana e tyre, mosdhënies së aksesit në e-mailin zyrtar të projektit, si dhe krijimit të pengesave artificiale ndaj grupit të auditimit.
I bindur që hetimet e mëtejshme nga ana e organit të prokurorisë do të thellojnë dhe zgjerojnë më tej shkallën dhe vlerën e dëmit të shkaktuar si pasojë e këtyre shkeljeve, Kontrolli i Lartë i Shtetit, përveç kërkesës drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë për fillimin e procedurave administrative e ligjore për dhënien e masës disiplinore “Largim nga shërbimi civil”, ka depozituar njëkohësisht për S.K. pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, kallëzimin penal për konsumim të elementëve të figurës së veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” si dhe “Kundërshtimit të punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose shërbim publik”, parashikuar nga nenet 248, 258 dhe 235 të Ligjit nr. 7895, datë 27.1.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, me ndryshimet përkatëse.
Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)