Ekonomia e vendit u rrit me 3.71% në tremujorin e parë të këtij viti nga 3.76% vjet, e mbështetur kryesisht nga aktivitetet e lidhura administratën publike dhe pasuritë e paluajtshme, ndërsa disa sektorë tradicionalë si bujqësia dhe industria vijojnë të përballen me një tkurrje të aktivitetit.
Instituti i Statistikave thotë se në këtë periudhë rritja më e madhe ka ardhur nga administrata publike dhe shëndetësia me 1.68%, ndjekur nga pasuritë e paluajtshme me +0,52%, më pas janë aktivitetet profesionale me 0.47% apo ndërtimi me 0.32%. Kurse turizmi ka kaluar në vendin e 5-të për këtë periudhë me kontribut në rritje vetë, 0.21%.
E kundërta ndodhi me sektorët që kanë numrin më të madh të punonjësve, industria dhe bujqësia, që dhanë kontribut negativ me përkatësisht -0.25% (industria) dhe -0.06% (bujqësia).
Sa i takon krahasimit me sipas sektorëve me vitin e kaluar, përsëri administrata kryeson me rritje 13,93%, si rezultat i indeksimit të pagave në shtet, apo edhe prej rritjes së rrogave edhe gjatë këtij viti në disa profesione, nga arsimtarët, bluzat e bardha apo edhe në radhët e policisë.
Në vend të dytë është sektori i pasurive të paluajtshme me rritje prej 8,99%, për shkak të blerjeve me çmime më të larta por edhe si rezultat i investimeve në rritje në këtë fushë, që vetëm në tremujorin e parë ishin 173 milionë euro.
Më pas është grupi i “Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative”, që është në rritje me 7.32% krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar, e më tej vijnë aktivitetet financiare me 5% rritje, apo ndërtimi është zgjeruar me 3.3%.
Sa i takon grupit “Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor" ku bën pjesë edhe turizmi, rritja në krahasim me vjet është vetëm 1.61 %.
Edhe pse ekonomia vijon të rritet, përsëri struktura e saj mbetet e brishtë, për shkak të krizës në sektorët prodhues ku është përqendruar edhe punësimi. Në krahasim me vitin e kaluar sektori i industrisë, energjisë dhe ujit ka rënë me -2.17%, ndërsa bujqësia është tkurrur me 0.49%, duke dhënë prej vitesh kontribut negativ në rritjen ekonomike.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Komente








