Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, e cilësoi antikushtetues draftin e PS-së për pagat e magjistratëve. Në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, ai kritikoi edhe mënyrën se si është hartuar nisma, duke thënë se është anashkaluar Këshilli i Legjislacionit.
“Dy kolegët e kanë sjellë këtë ligj pa asnjë proces konsultimi me grupet e interesit. Gjithashtu, mënyra se si vjen ky ligj, është shkelur një vendim i Këshillit të Legjislacionit. Ju, znj. Bylykbashi, jeni anëtare e Këshillit të Legjislacionit dhe e dini këtë çështje. Gjithashtu, thuhet në relacion se projektligji është hartuar nga një punonjës i administratës së Kuvendit. Dhe kjo është shkelje e rëndë. Vendimin e Gjykatës Kushtetuese nuk mund ta adresoni as ju të dy si deputetë dhe asnjë punonjës i administratës. Prandaj është Këshilli i Legjislacionit dhe përbëhet nga 10 juristë me eksperiencë. Nuk është kaq e thjeshtë të adresohet një vendim i Gjykatës Kushtetuese”, tha Bardhi
Bardhi theksoi se qeveria ka futur në kolaps sistemin gjyqësor, pasi nuk veproi në kohë për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Mosveprimi i qeverisë ka futur në kolaps sistemin. Ka lënë sistemin gjyqësor pa paga, duke mos respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Dhe në qoftë se i qëndrohet procedurës parlamentare, siç ka ardhur ky ligj, gjyqtarët do të jenë pa paga edhe për disa muaj të tjerë. Unë nuk e kuptoj pse janë sot këtu në komision përfaqësuesit e qeverisë?! Janë këta që nuk kanë vepruar, duke sjellë këtë situatë të paprecedentë”, vijoi Bardhi.
Lajmi kryesor:
Pagat e magjistratëve, thirren në komision institucionet e drejtësisë! KLP-GJL kundër formulës së PS, i bashkohet PD







