Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar lidhur me çështjen e pagave të magjistratëve, pasi këta të fundit përmes një deklarate të përbashkët kërkuan që pagat e tyre duhet të reflektojnë rritjen e kërkuar nga Gjykata Kushtetuese, pasi Kuvendi nuk përcaktoi formulën brenda afatit të kërkuar.
Përmes një konference për mediat, Berisha tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet zbatuar, pasi sipas tij, është kusht themelor për funksionimin e shtetit ligjor.
“Qëndrimi i Partisë Demokratike është shumë i qartë. Zbatimi, vendimi i Gjykatës Kushtetuese, kusht themelor për funksionimin e shtetit ligjor”, tha Berisha.
Më tej Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka përmbysur piramidën e pagave në Shqipëri, përmes atyre që kryedemokrati i cilësoi si politika pengmarrëse.
“Nuk është Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj që ka përmbysur piramidën e pagave në Shqipëri. Është Edi Rama me politikat e tij pengmarrëse që e ka përmbysur atë”, shtoi Berisha.
Në përfundim kryedemokrati akuzoi qeverinë se ka përcaktuar rroga më të larta për prokurorët e SPAK, sesa për anëtarët e Gjykatave Kushtetuese dhe kryetarët e Gjykatave Kushtetuese të të gjithë rajonit.
“Është Edi Rama që përcaktoi rroga për prokurorët e SPAK-it më të larta se për anëtarët e gjykatave kushtetuese edhe kryetarët e gjykatave kushtetuese të të gjithë rajonit", përfundoi Berisha.
Lajmi kryesor:
Qeveria nisi procedurën për anulimin e kontratës koncesionare për Aeroportin e Vlorës, Berisha: Duan t’i marrin aksionet Pacollit, shteti shqiptar do gjobitet me 500 mln euro!







