Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pasi Qeveria nisi procedurat për zgjidhjen e kontratës koncesionare të Aeroportit të Vlorës, pas zvarritjes së punimeve për shkak të mos-marrëveshjeve mes kompanive ‘MABCO’ të drejtuar nga biznesmeni Behgjet Pacolli dhe 2A Group të drejtuar nga biznesmeni Valon Ademi.

Gjatë një konference për mediat, Berisha tha se zgjidhja e kontratës do të bëhet me qëllim që kryeministri Edi Rama, kreu i Grupit të PS-së, Taulant Balla dhe ish-zv.kryeministrja Belinda Balluku t’i marrin biznesmenit Behgjet Pacollit aksionet.

Sipas Berishës, pasi Rama, Balluku dhe Balla e panë që Pacolli nuk i dorëzoi aksionet pas presionit, ata vendosën që të ndërpresin kontratën koncesionare.

Teksa akuzoi Ramën dhe Ballukun për vjedhjen e 130 milionë eurove, Berisha tha gjithashtu se për ndërprerjen e kontratës koncesionare të aeroportit të Vlorës shteti shqiptar do të gjobitet në arbitrazh me të paktën 500 milionë euro.

“Shqiptarët për pasurimin e Edi Ramës dhe lubi Ballukut, për plaçkitjen nga ana e tyre të të paktën 130 milionë eurove, po prishin një kontratë për të cilën garantojnë qytetarët e këtij vendi se do gjobiten më së paku 500 milionë euro. Po prishin një kontratë dhe po prishin kontratën vetëm e vetëm se e panë që Behgjet Pacolli nuk ka ndërmend që t’u njohë atyre aksionet që këta pretendojnë se kompania turke ia ka dorëzuar Pacollit në pronësi të tyre. Pra këtu është një treshe faqezezë, Edi Rama, Lubi Balluku dhe Taulant Balla që kanë përdorur ortakun tjetër të ndërtimit, për t’ja marrë Pacollit aksionet. Pacolli aksionet nuk i jep. Është biznesmen me eksperiencë dhe duket se nuk plotëson kërkesat e tyre për pazar. Janë më qesharaket në botë proceset ndaj kësaj dosje. Dhe dëshmia që Pacolli ka bërë, si u thirr nga Belinda dhe si Belinda u veçua me biznesmenin turk, dëshmojnë qartësisht se Rama-Balluku dhe Taulanti janë pretendentët më kryesorë që turku ka dorëzuar”, tha mes të tjerash Berisha.

Më tej ish-kryeministri, duke e cilësuar Ballukun si hajdute, tha se ajo kërkonte që të ndërtonte në Vlorë aeroportin më të madh në Ballkan, me qëllim që vjedhja të ishte më e madhe.

“Historira mafioze korrupsioni të papara. Ju kujtohet ju, nuk e harroj ndonjëherë, kur Belinda Balluku për hir të së vërtetës, që në çdo rrafsh përfaqëson një turp njerëzor, vraponte në akërni dhe deklaronte se Vlora do ketë aeroportin më të madh në Ballkan. Duke treguar veten se Ballkani nuk ka një injorante të dytë sa ajo, e cila nuk di as të maskojë vjedhjet e saj, sepse të pretendosh të ndërtosh në Vlorë aeroportin më të madh në Ballkan, do të thotë të gjobisësh shqiptarët me një gjobë të tmerrshme. Këta e donin aeroportin më të madh të Ballkanit në Vlorë, për të bërë vjedhjen më të madhe në histori”, vijoi Berisha.

Në përfundim kryedemokrati theksoi se me nisjen e fluturimeve në Aeroportin e Vlorës, flamingot do të zhduken nga Laguna e Nartës.

“Aeroporti i zhduk flamingot. Kjo është e vërteta. Pasi të fillojnë fluturimet, flamingot në atë lagunë nuk kanë vend më. Imagjinoni ju duke fluturuar avionë mbi lagunë”, përfundoi Berisha.