Edhe Gjykata e Lartë kundërshton formulën e propozuar nga socialistët për pagat e magjistratëve. Në Komisionin e Ligjeve, zv.kryetari Ilir Panda tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk është një orientim, por detyrim për ligjvënësin, ndërsa formula që e çon pagën referuese nga 36 në 38% të pagës së Presidentit nuk e realizon plotësisht standardin e vendosur prej saj. Gjykata e Lartë thotë se duhet një mekanizëm tjetër që do të garantonte zbatimin real të vendimit të Kushtetueses.

“Gjykata e Lartë e vlerëson të nevojshme ndërhyrjen ligjore pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Çështja nuk është nëse Kuvendi duhet të ndërhyjë, por nëse zgjidhja e propozuar realizon standardet detyruese që lindin nga vendimi i Kushtetueses, i cili nuk përbën orientim, por detyrim për ligjvënësin. Kushtetuesja ka konstatuar papajtueshmërinë e skemës ekzistuese dhe ka përcaktuar edhe një afat për ndërhyrjen e Kuvendit. Projektligji duhet vlerësuar jo vetëm si një zgjedhje e re, por si zbatim i një vendimi përfundimtar dhe detyrues të Gjykatës Kushtetuese.

Problemi kryesor është paga referuese prej 0.38 të pagës së Presidentit. Gjykata e Lartë nuk e kundërshton në parim mundësinë që ligjvënësi të zgjedhë një referencë të re, por problemi qëndron te rezultati konkret i formulës së propozuar. Sipas Gjykatës së Lartë, kjo nuk e realizon standardin e vendosur nga Gjykata Kushtetuese, për arsye se Kushtetuesja ka kërkuar një referencë dinamike, të lidhur me një pagë që rritet herë pas here dhe që ruan nivelin e mbrojtjes financiare të magjistratit. Për këtë arsye, Gjykata e Lartë propozon që ligji të mos fiksojë koeficientin 0.38, por të caktojë një mekanizëm që garanton standardin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe ruajtjen reale të nivelit të pagës.

Gjykata e Lartë kërkon që formula prej 0.38 të rishikohet, në mënyrë që paga referuese të përmbushë standardin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese; të bëhet një ndarje e qartë e rregullimit për të ardhmen nga pagesat e prapambetura, për të cilat pasoja juridike është prodhuar pas datës 31 korrik; si dhe të shmangen efektet automatike mbi funksionarët e tjerë publikë.

Kuvendi ka hapësirë për të zgjedhur formulën, por jo për të mos zbatuar standardin kushtetues. Ligji i ri duhet ta zgjidhë çështjen për të ardhmen, por pa fshirë pasojën e vendimit të Kushtetueses. Qëllimi nuk është miratimi i një ligji, por miratimi i një ligji që zbaton vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha zv.kryetari i Gjykatës së Lartë, Ilir Panda.


Lajmi kryesor:

Pagat e magjistratëve, thirren në komision institucionet e drejtësisë! KLP-GJL kundër formulës së PS, i bashkohet PD