Pagesa, prioriteti
sipas datës së faturës

Pagesa, prioriteti<br />sipas datës së faturës
TIRANE- Për sa kohë bizneset e varura nga kontratat qeveritare pushojnë ose shtyjnë aktivitetin e tyre si rezultat i vonesave në pagesa ose vështirësive në mundësinë e kredive nga bankat tregtare, aq më e lartë eshtë mundësia e ngadalësimit të rritjes ekonomike dhe rritjes së papunësisë. Shlyerjet e huave kundrejt bankave mund të vuajnë nëse likuiditeti kufizohet si rezultat i rritjes së detyrimeve të prapambetura. Ndikimet mbi likuiditetin në treg mund të jenë gjithashtu të ashpra. Këta faktorë mund të rezultojnë në një ndikim dëmtues mbi kërkesën e përgjithshme dhe mund të kufizojnë aftësinë e qeverisë në përdorimin e politikës fiskale si një mjet për stabilizimin makro-ekonomik.

Nëse furnitorët e Qeverisë marrin parasysh mundësinë e vonesave të gjata në marrjen e pagesave, ata mund të përpiqen të ulin riskun dhe koston shtesë të pagesave të vonuara duke rritur përkatësisht çmimet e tyre, duke detyruar kështu qeverinë të paguajë çmimet mbi tregun për shërbimet e ofruara. Një pjesë e rritjes së huave të këqija në sektorin bankar në disa prej viteve të fundit mund t'u atribuohet detyrimeve të prapambetura të qeverisë. Dhënia e shërbimeve publike në disa raste është ndalur plotësisht pasi furnitorët kanë ndërprerë zbatimin e ndërtimit në projektet e investimeve për shkak të mos-pagesave, duke rezultuar në degradimin e disa investimeve, veçanërisht në sektorin rrugor.
 
Borxhi
Parashikimet për shlyerjen e detyrimit në vitet në vazhdim do të përfshihen në programin buxhetor afatmesëm. Pagesat e verifikuara dhe të rakorduara do të paguhen brenda një periudhe që nuk i kalon tre vite kalendarike. Rradha e pagesave për secilën kategori të detyrimeve të papaguara do ndjekë parimin e kohës së krijimit të detyrimit financiar. Pagesat do të fillojnë nga detyrimet më të vjetra tek ato më të reja, sipas datave të dorëzimit, vlerësimit dhe aprovimit nga institucionet përkatëse, të dokumentacionit që vërteton kryerjen e punimeve, shërbimeve, dorëzimin e mallrave dhe/ose kërkesën për rimbursimin e TVSh, Tatim Fitimit. Radha e pagesës do të ndryshojë vetëm nëse ka parregullësi në dokumentacion që kërkon verifikime të mëtejshme.
 
Pagesat
Pagesat e detyrimeve të prapambetura për kontratat do të kryhen sipas parimit që detyrimet më të vjetra financiare do të marrin prioritetin më të lartë (hyrje e parë - dalje e parë). Rimbursimi i TVSH-së dhe tepricës kreditore të tatimit mbi fitimin do të fillojnë gjatë vitit 2014. Pagesat e rimbursimeve, pas verifikimit, do të kryhen kundrejt fondeve buxhetore të miratuara për këtë qëllim dhe sipas parimit hyrje e parë - dalje e parë, duke u bazuar në datën e paraqitjes së kërkesës nga subjekti tatimpagues në organin tatimor (data e protokollit të organit tatimor) pavarësisht se kur eshtë vlerësuar dhe miratuar nga ky i fundit. 

Si u auditua borxhi ndaj biznesit
Qeveria shqiptare përzgjodhi paraprakisht “Deloitte & Touche” si një kompani të njohur ndërkombëtare për të asistuar Qeverinë në realizimin e auditimin të borxheve që shteti u ka kompanive, të cilat kanë kryer punë publike. Nga Ministria e Financave nuk u bë e ditur që të jetë zhvilluar ndonjë garë publike për përzgjedhjen e saj për të kryer këtë funksion. “Deloitte & Touche” ka përvojë në Shqipëri, pasi ka kryer auditimin e piramidave financiare. Strukturat shqiptare të auditimit, si Kontrolli i Lartë i Shtetit, u vlerësuan nga Qeveria se nuk kishin kapacitetin dhe eksperiencën e duhur profesionale për të realizuar një proces të tillë, si auditimin e borxhit që Qeveria ka ndaj biznesit.
 

Shkrimi u publikua sot (28.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

28 Nëntori/ Policia nuk lejon shqiptarët të festojnë në Londër! Në Athinë festa me flamuj e muzikë në rrugë! Vishet kuqezi edhe 'Duomo' e Milanos

28 Nëntori/ Policia nuk lejon shqiptarët të festojnë në Londër! Në Athinë festa me flamuj e muzikë në rrugë! Vishet kuqezi edhe 'Duomo' e Milanos