Pagesa vullnetare, si mund të sigurohesh për të marrë pension me të lartë pleqërie

Pagesa vullnetare, si mund të sigurohesh për të marrë pension me të lartë pleqërie

Ligji i ri për pensionet në Republikën e Shqipërisë lejon që një qytetar të mund të kontribuojë vetë për të rritur sasinë e pensionit që do të siguronte nga vitet e punës së kryer pranë punëdhënësit. Kjo bëhet nëse ai do të derdhë vullnetarisht një shumë të caktuar, që i lejon që, kur të arrijë moshën e parashikuar nga ligji në fuqi për pensionet e pleqërisë, masa e pensionit që i takon të jetë më e lartë.  

Kush mund të paguajë sigurim vullnetar për më shumë të ardhura?
Mund të paguajnë të gjithë personat ekonomikisht aktivë të vetëpunësuar, të punësuar dhe punëdhënësit, të cilët duhet të jenë të siguruar si të tillë në skemën e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Për çfarë periudhe mund të bëhet ky sigurim?

Ky sigurim bëhet vetëm për vitin korent.

Sa është masa e parashikuar për kontributin?

Kontributi duhet të jetë në hapësirën që llogaritet kontributi normal për pagat minimale dhe maksimale. Pra, kontributi do të llogaritej me një përqindje që paguhet kontributi normal në hapësirën nga 26.000 lekë (paga minimale e njohyr me VKM për vitin 2019) dhe 114.670 lekë, që është paga maksimale.

Cilën pagë mund të zgjëdhë qytetari për kontributet?

Qytetari ka të drejtë të zgjedhë një pagë brenda këtij kufiri, të pagës minimale dhe maksimale. Sa më e lartë të jetë paga që përzgjidhet, me tavanin 114.670 lekë, aq më shumë do të jenë kontributet dhe aq më shumë të ardhura do të marrë muaj pas muaji pensionisti, kur të arrijë moshën e pensionit të pleqërisë.

Sa duhet të paguhet nga kategoritë e caktuara të punonjësve për sigurim vullnetar për më shumë të ardhura?
Personat e vetëpunësuar sigurohen me pagë minimale mujore 26.000 lekë. Mbi këtë pagë, çdo person ka të drejtë të sigurohet vullnetarisht deri në kufirin e pagës maksimale 114.670 lekë. Ndërsa punëmarrësit që sigurohen  në bazë të kontratës të nënshkruar me punëdhënësin, kanë të drejtë të sigurohen vullnetarisht  për më shumë të ardhura mbi pagën që ata marrin deri në nivelin e pagës maksimale 114.670 lekë.

Po punëdhënësit mund të sigurohen në këtë mënyrë?

Çdo punëdhënës që sigurohet nën nivelin e pagës maksimale ka të drejtë të sigurohet vullnetarisht deri në kufirin e kësaj page.

Kush është përfitimi?

Përfitimet nga sigurimi vullnetar për më shumë të ardhura përfshijnë jo vetëm pensione më të larta pleqërie, por edhe ato të invaliditetit dhe familjar, sipas kontributit të derdhur.

A mund të kryhet sigurim vullnetar për degët e tjera të sigurimit?

Sigurim vullnetar për degë të tjera sigurimi mund të bëjnë të vetëpunësuarit, për degë të tjera që nuk mbulohen nga sigurimi i detyrueshem. Ky sigurim bëhet nga të vetëpunësuarit vetëm për vitin korent. Përfitimi nga sigurimi vullnetar për degët e tjera të sigurimit përfshin atë për paaftësi të përkohëshme në punë. Periudha e përfitimit për paaftësi të përkohëshme në punë fillon në ditën e 15-të të raportit mjekësor dhe zgjat jo më shumë se 6 muaj nga data e fillimit të pagesës. Pagesat e kontributeve për këto degë, bëhen sipas afateve të përcaktuara për pagesat e sigurimit të detyrueshëm (çdo tremujor), vetëm për vitin korent.

Si paguhet sigurimi vullnetar?
Personi i interesuar, paraqitet në Agjencinë Lokale të Sigurimeve Shoqërore të vendit ku ai banon dhe merr kontakt me inspektorin e sigurimit vullnetar.

Çfarë dokumentash kërkohen?

Personi i interesuar duhet të ketë me vete dokumentat e mëposhtme: Fotokopje të librezës së punës, ku pasqyrohen periudhat e sigurimit; fotokopje të librezës së kontributeve, në rast se e disponon; fotokopje të letërnjoftimit elektronik/ kartës së identitetit.

Si procedohet më tej?

Nëse personi i interesuar bie dakort për t’u siguruar vullnetarisht, do të marrë dokumentin tip “Urdhër veprimi”, i cili plotësohet nga inspektori i sigurimit vullnetar të Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore. Duke disponuar këtë “Urdhër veprim”, personi i interesuar paraqitet në bankë për të bërë pagesën. Me kryerjen e pagesës ai pajiset nga banka me “Mandat arkëtimi”. Pas marrjes së mandat arkëtimit, personi i interesuar rikthehet tek inspektori i sigurimit vullnetar të Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore, me të cilin lidh marrëveshjen e sigurimit vullnetar, që nënshkruhet nga personi i interesuar dhe inspektori i sigurimit vullnetar të Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore (një kopje e mandatit i dorëzohet inspektorit në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes). Pas nënshkrimit të marrëveshjes, inspektori i sigurimit vullnetar të Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore është i detyruar të bëjë pasqyrimin në librezë të kontributeve të personit të interesuar, ose të hapë librezë kontributesh të re në qoftë se nuk ka.

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim