Pagoi 80 mijë euro për të vrarë një person me të cilin kishte konflikt, arrestohet Albert Pashaj! Vrasësit me pagesë i bënë dy atentate shënjestrës

TIRANË-Vrasja e mbetur në tentativë e 59-vjeçarit Aredin Behari në qytetin e Fierit, në dy raste të ndryshme në vitet 2017 dhe 2019, është zbardhur nga Prokuroria e Posaçme.

Në pranga ka rënë Albert Pashaj, personi porositës që e donte të vdekur fierakun. Për të Gjykata e Posaçme caktoi masën “arrest në burg” dhe Policia e Shtetit ka ekzekutuar arrestimin të hënën e 26 qershorit.

Për të eliminuar Aredin Beharin për shkak të konflikteve që kanë pasur më herët, Albert Pashaj ka kontaktuar Henrik Hoxhajn, i arrestuar në kuadër të operacionit “Golden Bullet”, bashkëpunëtor i hershëm i Nuredin Dumanit, kundrejt pagesës.

Për të kryer atentatin, Hoxhaj ka porositur bashkëpunëtorin e tij Skerdi Tase. Tentativa e parë në 2017-ën ka dështuar, pasi Behari i pikasi dhe u shtri përtokë.

Një tentativë e dytë është bërë në 2019-ën, periudhë kur Albert Pashaj do të paguante 80 mijë euro për kryerjen e vrasjes të njëjtët persona. Edhe këtë radhë atentati nuk u krye me sukses pasi në Henrik Hoxhajt iu bllokua kallashnikovi. Albert Pashaj akuzohet për veprat penale “Vrasje me paramendim”.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:49
U paguan 80 mijë euro për ekzekutimin e tij, ky është fieraku që u shpëtoi 2 atentateve të porositura nga Albert Pashaj (FOTO)

1687852316_aredinbehari.jpg

Ky është Aredin Behari, 59 vjeçari i cili u shpëtoi dy atentateve të porositura nga Albert Pashaj në vitin 2017 dhe 2019. Për eliminimin e tij, Albert Pashaj kontaktoi ‘ushtarin’ e Nuredin Dumanit, Henrik Hoxhajn të cilin e ka paguar 80 mijë euro. Ky i fundit ka porositur ka porositur bashkëpunëtorin e tij Skerdi Tase. Tentativa e parë në 2017-ën ka dështuar, pasi Behari i pikasi dhe u shtri përtokë. Ndërsa në 2019-ën, Henrik Hoxhajt iu bllokua kallashnikovi.

Ora 09:43
Albert Pashaj pagoi 80 mijë euro për ta vrarë, si i shpëtoi 2 herë atentatit Aredin Behari

1687851487_finalprojekt.00110206.Still036.jpg

SPAK ka zbardhur një vrasje të mbetur në tentativë në dy raste të ndryshme ndaj Aredin Beharit në qytetin e Fierit. Në pranga është vënë Albert Pashaj, i cili akuzohet si porositë i vrasjes, dhe ka paguar 80 mijë euro Henrik Hoxhaj e Skerdi Tasen për të krye ekzekutimin. Por të dyja atentate kanë dështuar. Sipas SPAK, Aredin Behari herën e parë pikasi vrasësit dhe u shtri në tokë ndërsa herën e dytë ekzekutorit Henrik Hoxhaj, iu bllokua arma e llojit automatik kallashnikov.

Njoftimi i plotë i SPAK

‘Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka kryer hetime në kuadër të procedimit penal nr. 75/2022, të regjistruar për veprat penale të “Vrasje me paramendim”, “Vjedhje me armë”, “Vjedhje me dhunë”, “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” etj, të parashikuara nga nenet 78/2, 139, 140, 80, 152, 278/1, 28/4, 333/a e 334 të Kodit Penal.
Pas kryerjes së veprimeve të shumta hetimore, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin Nr. 72 datë 25.06.2023 ka vendosur: • Caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, ndaj personit nën hetim A. P., i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Vrasja me paramendim”, e kryer per interes, në bashkëpunim, e mbetur në tentativë, e kryer në dëm të A. B., dy here, (në datat 05.11.2017 dhe 03.04.2019), në qytetin e Fierit, në bashkëpunim me të hetuarit H. H. dhe S. T., parashikuar nga nenet 78/2, 22, 25, të Kodit Penal.
Ky vendim është ekzekutuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në datën 26.06.2023.
Nga hetimet ka rezultuar se, për shkak të konflikteve të vazhdueshme midis vëllezërve A. P. dhe të dëmtuarit A. B., i hetuari A. P., ka vendosur të vrasë shtetasin A. B. në vitin 2017. Për të realizuar këtë qëllim, ai ka kontaktuar të hetuarin H. H., që të kryeje vrasjen e shtetasit A. B. kundrejt pagesës. Shtetasi H. H. pasi ka marrë përsipër të kryejë këtë veprim, ka kontaktuar lidhjen e tij, të hetuarin S. T., me qëllim që vrasjen të kryenin së bashku (H.H. dhe S.T. ndodhen aktualisht të arrestuar). H.H. dhe S.T. pasi kanë rënë dakord për të kryer vrasjen e shtetasit A. B. kundrejt pagesës, kanë siguruar armën e krimit kanë vëzhguar viktimën dhe kanë përcaktuar ekzekutorin i cili do të ishte S. T. në datën 05.11.2017. Për arsye që nuk vareshin nga vullneti i hetuarve H. H. dhe S. T. vrasja e A.B. nuk u arrit të finalizohej, pasi objektivi i ka pikasur menjehere dhe është shtrirë në tokë.
Por porositësi A.P. nuk është ndalur këtu. I hetuari A. P. ka dashur ta finalizojë krimin e nisur në 2017 dhe në vitin 2019 (vrasje e shtetasit A. B.) duke e çuar pagesën në 80.000 euro.
Për këtë arsye, të hetuarit H. H. dhe S. T., riorganizohen, duke gjetur automjetin, armën e krimit dhe pas vëzhgimit të objektivit (A.B.) në datën 03.04.2019, vendosin të vrasin shtetasin atë. Ekzekutor në këtë rast u vendos të ishte H. H., duke qënë se herën e parë i hetuari S.T. nuk e finalizoi me sukses.
Edhe këtë rast për fatin e mirë të viktimës (shtetasit A. B.) krimi nuk u arrit të finalizohej, pasi të hetuarit H. H., pas goditjes së parë ju bllokua arma e llojit automatik kallashnikov.’- njofton SPAK.

M.Q./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    19 Dhjetor, 08:16

    5 vite nga krijimi i SPAK, jeni të kënaqur me punën e bërë?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet e 11 Majit 2025/ Tabaku: Të rinjtë, në ballë të betejës për fushatën e PD-së

Zgjedhjet e 11 Majit 2025/ Tabaku: Të rinjtë, në ballë të betejës për fushatën e PD-së