Pajazit Nushi: Shqipëria sulmohet
vetëm po të kalojnë mbi trupat tona  

Pajazit Nushi: Shqipëria sulmohet<br />vetëm po të kalojnë mbi trupat tona  
Pasi të nesërmen, të martën, më 7 tetor, nga ora tetë deri në njëmbëdhjetë në një sallë të madhe me në krye portretin e Titos, që prej disa muajsh nuk jetonte më, u zhvilluan bisedimet zyrtare midis delegacionit nga Tirana dhe homologëve të vet në Prishtinë, më pas u krye vizita në Universitetin e Prishtinës, në vijim edhe një udhëtim drejt Mitrovicës.

E mërkura, 8 tetori, që në orën 8.45, nisi me takimn me Pajazit Nushin, nënkryeministrin e Kosovës. Kjo ishte edhe biseda më e mbushur me politikë.
Në paradhomën e nënkryeministrit të Kosovës Pajazit Nushi, edhe pse hyri Tefta Cami, sekretarja e tij nuk lëvizi nga vendi. Pak çaste më parë një funksionare tjetër e qeverisë së Prishtinës, të cilën ministrja shqiptare e kish pritur me mjaft ngrohtësi në Tiranë, tek u shkëmbye me të, mezi i mbajti këmbët. Bëri sikur nxitonte për një punë urgjente.

Cami e kuptonte se mes bashkëkombësve që i dëshironin atë vizitë si mundësi për të forcuar lidhjet mes dy pjesëve të ndara të kombit, kishte edhe prej atyre që pikërisht sepse kishte këtë mesazh nuk e pëlqenin atë vizitë. Të paktën ruheshin. UDB, me sa dukej, i mbante sytë ngulitur dhe për të nuk kishte ndryshuar asgjë nga platforma e vjetër e përgjimit të përhershëm të shqiptarëve.

Gjithsesi këtij mjedisi nënkryeministri Nushi ishte krejtësisht e anasjella. “Paraqitja e buzëqeshja e tij, shkruan Tefta Cami në librin e saj “Katër ditë vizitë në Kosovë”, shprehnin afërsi dhe një pritje të përzemërt”. Gjatë takimit tha se ai qe i ngarkuari më i lartë i qeverisë së Kosovës për marrëdhëniet me Shqipërinë. Pastaj parashtroi: “Po vë në dukje disa orientime. Marrëdhëniet të mos ngelen në këto nivele, por t’i zgjerojmë më tej. Nëse nuk mund t’i zgjerojmë, të bëjmë ç’është e mundur që të ruajmë këtë gjendje. Edhe njëherë po e theksoj se ne kemi orientim që ta zgjerojmë bashkëpunimin”.

Pasi bëri një pauzë të shkurtër, të cilin e mbushi me një buzëqeshje të çiltër dhe të gëzuar, Pajazit Nushi vijoi: “Ne jemi shumë të interesuar për marrëdhëniet me RPSSH, e cila është e lirë dhe e pavarur. Dhe ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë ne e konsiderojmë si kryesore. Këtu në Kosovë thuhet se vetëm kur të shkelin mbi trupat tanë, mund të sulmohet Shqipëria. Të gjitha aktivitetet tona duhet t’i nënshtrohen këtij principi dhe ai mbetet aktual”.

Nënkryeministri Nushi e përsëriti edhe njëherë tjetër se në të gjitha aktivitetet që ata planifikonin me Shqipërinë kishte përparësi objektivi suprem: ruajtja e pavarësisë së saj.
Në vazhdim të ideve të tij Pajazit Nushi tha se marrëdhëniet me Shqipërinë nuk mund të kufizoheshin vetëm me ato arsimor, kulturore apo sportive. Këmbënguli se duhej të qenë shumë të gjallëruara edhe në lëmin ekonomik.

Nënkryeministri Nushi e vështroi butë Tefta Camin dhe nën ballin e tij të gjerë sytë u dukën se edhe po e vëzhgonin. Ndoshta hetonte përshtypjen e fjalëve të tij tek ministrja e Tiranës.

“Na kërkojmë ndrydhje të rripit, domethënë, të shpenzimeve, por jo të shkurtohen marrëdhëniet me Shqipërinë, sepse i kemi me përparësi. Nuk mendojmë që të bëjmë reduktime në marrëdhëniet me Shqipërinë, por të vazhdojmë t’i zgjerojmë. Ne do të jemi subjekt kryesor në marrëdhëniet me RSPSSH dhe do të ngelemi si bartës kryesorë të këtyre marrëdhënieve me të gjitha republikat dhe krahinat e RFSJ”.

Tefta Cami tashmë e kuptoi më qartë përse Enver Hoxha dhe pas tij Ramiz Alia, e patën orientuar se nuk duhej gjatë vizitës zyrtare në Kosovë, të sipërmerrte gjeste marrëdhëniesh me pjesët e tjera të shumështetit jugosllav.

Këtë rol do ta luante vetë qeveria e Prishtinës. Shqipëria ruante të drejtën e diferencimit politik mes raporteve të saj me Kosovën dhe me Serbinë, ndërkohë të bashkatdhetarët në Jugosllavi, më të organizuarit dhe më të shumtit në të, kosovarët, fitonin autoritetin që të përcaktonin masën e marrëdhënieve me vetë Federatën.

“Ne nuk lejojmë që Kosova të përdoret si urë kalimi në Shqipëri”, përsëriti papritmas Pajazit Nushi edhe pse Tefta Camit nuk iu duk se rrjedha e bisedës ato çaste kishte domodoshmëri për këtë rideklarim atdhedashurie.

Por me sa duket kishte nevojë për të vetë shpirti i ndezur kombëtar i Pajazit Nushit.
Kur në mbrëmjen e së enjtes, 9 tetorit 1980, ndërsa e nesërmja do të ishte dita e fundit e qëndrimit të delegacionit shqiptar, nënkryeministri Nushi shtroi një darkë. Dy detaje i kanë bërë përshtypje Tefta Camit: tryezat e bukës të mbushura në mes tyre me buqeta karafilash të kuq dhe rozë, po ashtu jashtë Grand Hotelit, ku u darkua, në roje të dërgatës shqiptare, përveç policisë, edhe disa të rinj vullnetarë.
Ishin që në ditën e parë që e bënin këtë punë.
 
Kryeministri i Kosovës, karafila dhe lutje për një vizitë të shpejtë në Beograd
 
Të premten, 10 tetor, dërgatën nga Shqipëria e priti kryeministri i Kosovës, Bahi Oruçi. Në tavolinën ovale, ne mes, sërish një pjatancë me karafila të kuq. Ju mundët të shihni këto ditë një rilindje të Kosovës që jeton në RSFJ”, tha kryeqeveritari. Kështu vuri që në fillim kufirin për çdo nëntekst se shkëmbimet mes dy vendeve bëheshin që nesër të dy pjesët e kombit të bashkoheshin. Ai qe i gëzuar që për herë të parë Kosova kishte hartuar një plan të saj 5-vjeçar, 1981-1985. Ka rritje, pohoi ai, në shkëmbimet tona: 57 milion dollarë për vitin 1978, 80 milion për 1979 dhe vitin që po e mbyllnin, 1980, pritej të kapej shifra entuziaste e 100 milionëve.

Oruçi përsëriste vazhdimisht formulën “mes dy vendeve”, ndoshta i sigurt se ashtu i shtynte larg ëndërrimit për t’u bashkuar një ditë. Sidoqoftë një moment shqiptoi: “Nuk e di për funksionarët e lartë, por masat popullore vlerësojnë se pavarësia e sovraniteti i Shqipërisë është pjesë e sovranitetit të Jugosllavisë dhe anasjelltas”.
Mesazhi sërish qe i kthjellët: stabiliteti i Jugosllavisë mund të prishej edhe me përpjekjen për shkëputjen e Kosovës.

Pastaj Bahri Oruçi papritur tha: “Do të dëshironim ta ngrinim nivelin e vizitës suaj dhe t’ju realizonim një pritje në shkallë federative në Beograd, qoftë edhe për gjysëm ore”.
Këtu kryeministri i Kosovës e ndërpreu fjalën e tij. Në të vërtetë e kishte mbyllur, por ndërkohë në fytyrë iu nder ndjenja e pritjes së përgjigjes për propozimin e fundit.
Tefta Cami e mori radhën për t’u shprehur duke nisur nga ato që kishte planifikuar më parë të fliste dhe që tani, pas katër ditëve vizitë, nga përsëritja i qenë bërë rutinë. Përgjigjen që tjetri lypte, ia dha në fund: “Përsa i përket marrëdhënieve me Jugosllavinë, ne u japim dhe do t’i japim përparësi marrëdhënieve me Kosovën dhe viset e tjera shqiptare në Jugosllavi, sepse dihet se jemi një komb dhe kemi të bëjmë me një traditë historiko-kulturore që duhet mbajtur gjallë në ndërgjegjen tonë kombëtare dhe zhvilluar vazhdimisht”.

Bahri Oruçi ia kishte ngulur vështrimin dhe nuk jepte shenjë se i kishte pëlqyer apo jo kjo përgjigje për propozimin e tij që të shkonin për një gjysmë ore në Beograd.
Cami vijoi e qetë, pothuaj me retorikë: “Ndërsa për sa i përket marrëdhënieve tona me RFSJ, qëndrimi i qeverisë shqiptare është parimor dhe i drejtë. Dhe ky qëndrim është shprehur qartë vazhdimisht. Besoj se ju jeni njohur edhe me artikullin e gazetës “Zëri i Popullit” i 19 janarit të këtj viti, në të cilin theksohet se në rast agresioni kundër  Jugosllavisë, populli shqiptar do të luftojë përkrah popujve të Jugosllavisë”.      
 
Kthimi për në Shqipëri: ditë me shi dhe mall
 
Ajo e premte i largimit të Tefta Camit nga Kosova qe me mot të keq, re të zeza dhe shi. Kjo ia shtonte trishtimin e ndarjes ministres shqiptare. Gjatë drekës së fundit, të shtruar në Grand Hotel, ajo mori vesh se autoritetet e larta në Beograd gjatë tërë ditëve të pranisë së saj në Kosovë, i patën bërë presion Ymer Jakës që ta sillte kolegen e Tiranës në kryeqytetin e Federatës, por ai pati këmbëngulur për “jo”-në.

Në Tiranë Tefta Cami dhe delegacioni që e shoqëronte hyri në orën  01-30 të datës 11 tetor. Po atë ditë në orën 7.00 u paraqit në punë dhe në 11.00 shkoi në godinën e paratit të Komitetit Qendror të PPSH-së. I raportoi Ramiz Alisë.

Në 16 tetor, ditë përvjetor e lindjes së Enver Hoxhës, ndërsa shkuan ta uronin, mes bisedës nisi ta informojë atë për vizitën e saj të porsapërfunduar në Greqi ministra e Bujqësisë, Themie Thomai.

Por Hozha ndërhyri menjëherë: “Në fillim do të dëgjojmë Teftën për vizitën e bërë te vëllezërit. Pastaj do të dëgjojmë Themien për vizitën e bërë te miqtë”.
 
Ylli Polovina
 
Tiranë, më 2 korrik 2016
 

 

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Gjermania do të ridislokojë sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot në Poloni

Gjermania do të ridislokojë sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot në Poloni