Pajisje të reja mjekësore për 3
Poliklinika në Tiranë dhe Korçë

Pajisje të reja mjekësore për 3<br />Poliklinika në Tiranë dhe Korçë
Dy poliklinikat e mëdha të Specialiteteve të Tiranë si dhe poliklinika e Korçës do të pajisen me të gjithë gamën e aparaturave diagnosikuese dhe laboratorike.
 
Në kuadër të Marrëveshjes mes Qeverisë Shqiptare dhe asaj Italiane, në Ministrinë e Shëndetësisë u firmosën sot dy kontrata të pajisjeve mjekësore dhe e Laboratorëve për poliklinikën e Specialiteteve nr 2 dhe 3 në Tiranë, si dhe për poliklinikën e Korçës.
 
“Sot firmosëm dy kontrata shumë të rëndësishme, në kuadër të kredisë me Kooperacionin Italian përsa i përket fuqizimit të sistemit Parësor në vend, në kuadër të projektit shumë të rëndësishëm për fuqizimin e dy poliambulancave në Tiranë dhe tre poliambulancave të tjera në Korçë, në Gjirokastër dhe në Peshkopi.

Përveç përfundimit të punimeve të rehabilitimit në dy poliklinikat e Tiranës, firmosim edhe kontratat, të cilat garantojnë që brenda një periudhe 60 ditore, pra në fund të muajit Korrik, do të kemi mundësi të fuqizojmë me aparatura mjekësore dhe laboratorike dy poliambulancat e Tiranës, pikërisht ambulancën nr. 2 dhe ambulancën nr. 3 si dhe poliambulancën e qytetit të Korçës.

Është një projekt i cili padyshim përmirëson shërbimin shëndetësor parësor në Shqipëri dhe fuqizon akoma më shumë mjekun e familjes, për të garantuar një shërbim më të mirë për qytetarët”,
u shpreh ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
 
Për drejtorin e Agjencisë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim, ky investim, është në vazhdën e bashkëpunimit të vazhdueshëm mes dy vendeve tona në fushën e shëndetësisë, veçanërisht në rehabilitimin e Poliambulancave.
 
“Parashikojmë që në të ardhmen të rrisim bashkëpunimin për funksionimin më të mirë të rrjetit shëndetësor të spitaleve, me bashkëpunime të tjera në fushën e urgjencave shëndetësore dhe ndihmës së shpejtë në spitalet përgjatë bregdetit.

Do të ndërhyjmë në gjithçka që ka të bëjë me nevojat e popullsisë shqiptare dhe fluksin në rritje të turistëve. Kjo, falë përfshirjes së enteve të rëndësishme italiane shumë të njohura në Botë”
, u shpreh Nino Merola, Drejtor i Agjencisë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim për Shqipërinë.
 
Pajisja e 2 poliklinikave të Specialiteteve në Tiranë, si dhe poliklinikës së Korçës me aparaturat e nevojshme është pjesë e projektit të madh të rehabilitimit dhe pajisjes së 5 poliklinikave, me vlere 5 milion Euro, i cili po implementohet me Agjencinë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim, në kuadër të marrëveshjes së përbashkët mes qeverisë shqiptare dhe qeverisë italiane.
 
Falë këtij projekti, Ministria e Shëndetësisë ofron shërbime të specializuara, me cilësi, në poliklinikën nr.2 dhe nr.3 në Tiranë, në Poliklinikën e Korçës, Gjirokastrës dhe Peshkopisë, duke i rikonstruktuar dhe pajisur ato me aparatura mjekësore të rëndësishme radiologjike dhe pajisje laboratorike.

Janë 37 lloje të ndryshme pajisjesh mjekësore, si, endoskopë, ezhe, holtera, aspiratorë, biçikleta, defibrilatorë, etj si dhe 20 lloje pajisjesh laboratori, si, elektroforeza, analizatorë gjaku, sterilizatore, autoklava, etj, me të cilat do të pajisen 3 poliklinikat brenda muajit Korrik.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike