Juristja Alesia Balliu është shprehur se protesta e sotme e PD-së kishte më pak pjesëmarrje se protesta e 24 janarit, por më shumë dhunë.

Komentet Balliu i bëri në emisionin ‘Repolitix’ në Report TV, ku tha se këto protesta organizohen nga Berisha për mbijetesën politike të lidershipit të PD-së.

“Kjo ishte pak më e dhunshme se protesta e kaluar, por kishte më pak njerëz. E gjithë kjo protestë bëhet për mbijetesë politike të lidershipit të saj. Militantët e PD-së janë aty. Por a mobilizon qytetarët kjo protestë? Jo. Duke mos ditur se ku do shkojë, protestat Berisha i ka kthyer në disa protesta rutinë. Nëse ndryshimi është real, çdo gjë ndodh spontanisht dhe jo me skenar”, tha mes të tjerash Balliu.

Balliu shtoi gjithashtu se besueshmëria e kësaj proteste është shumë e ulët, për shkak se si Berisha, ashtu edhe sekretari i përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, janë nën hetim nga SPAK.

Kjo sipas Balliut krijon perceptimin te qytetarët se protestat nuk organizohen për hallet e tyre, por për të mbrojtur lidershipin e PD-së nga drejtësia.

“Besueshmëria e kësaj proteste është zero. Nuk mund të bëjë ndryshimin lidershipi aktual i PD-së kur janë nën hetim nga SPAK, si Berisha, ashtu edhe sekretari i përgjithshëm Flamur Noka. Kështu që krijohet perceptimi se kjo protestë bëhet për t’u mbrojtur lidershipi nga drejtësia”, vijoi më tej Balliu.


Lajmi kryesor:

Tubimi i opozitës/ 'Trondit' Meçe: Sot Berisha donte vrasje të policëve! Avokati: Dy protestat e fundit të PD-së paralajmërojnë se në 20 shkurt do të ketë nivel të lartë dhune