Në Maliq, blegtorët e fshatit Pirg po përballen me vështirësi për të kullotur bagëtitë. Tokat shtetërore që për 30 vite i kanë shfrytezuar për kullota, tashmë janë shpallur nga bashkia si zona prioritare për investime.
“Prej shumë vitesh i kemi kullotur bagëtitë në këto fusha. Tani janë rrethuar dhe nuk na lejohet më. Nuk kemi ku t’i çojmë”, thonë banorët.
Nga Paketa e Maleve preken rreth 15 familje qe jetojnë me blegtori në Pirg.
“Edhe uji është problem. Ka burime që nuk i përdorim dot më dhe kjo na vështirëson shumë punën. I çojmë edhe nëpër brigje lumenjsh, por rrezikojmë edhe gjoba kur na thonë që po shkelim kufizimet”, vijojnë banorët.
Sipas të dhënave zyrtare, në Maliq janë regjistruar deri me tani mbi 100 aplikime për “Paketën e Maleve”.
Në Selenicë, interesi për “Paketën e Maleve” është i lartë, me mbi 150 aplikime dhe pa problematika te evidentura deri më tani.
“Kemi ngritur një grup pune për të verifikuar çdo aplikim dhe për të përcaktuar zonat përkatëse në bazë të dokumentacionit”, thotë Nertil Bellaj.
Kreu i bashkisë ben me dije se janë shpallur 36 zona me potencial zhvillimi, ndërsa procesi i aplikimeve po vazhdon. Fshati Brataj ka numrin më të lartë të aplikimeve, ku interesi është për zhvillimin e agroturizmit, fermave të vogla dhe bujtinave.
“Synimi është që kjo paketë të shtrihet në të gjithë territorin, duke respektuar kriteret dhe dokumentacionin përkatës”, thotë Bellaj.
Qytetarët e interesuar për Paketën e Maleve mund të aplikojnë në çdo bashki të vendit për leje ndërtimi, ndërsa certifikatën e pronësisë e marrin vetëm pasi të kenë përfunduar investimin. Siç sqaroi kryeministri Rama një ditë më parë, nëse gjatë procesit do të ketë pretendime për pronësinë e tokës, çështja zgjidhet nga shteti dhe jo nga investitori.
Komente










