Pas takimit të fundit me kryeministrin Rama, ku kreu i qeverisë nuk i kurseu kritikat për neglizhencën, duket se bashkitë në vend kanë përcaktuar zonat e lira për “Paketen e Maleve”.
Në Bashkinë e Kukësit, sipas kryebashkiakut Albert Halilaj, numri i aplikimeve për Paketen e Maleve rritet nga dita në ditë, teksa deri tani janë regjistruar 183 kërkesa, shumica prej të cilave nga emigrantët që duan të rikthehen dhe të investojnë në vendin e tyre.
“Ka interes edhe nga pjesa e emigrantëve të cilët duan të investojnë në trojet e tyre, pavarësisht se nuk kanë pasur mundësi reale të investojnë, për shkak se toka është shtet. Ne po ndihmojmë aplikuesit, të cilët kanë afat deri më 31 dhjetor 2025 për të qenë pjesë e kësaj pakete”, thotw Albert Halilaj, kryetar i Bashkisë së Kukësit
Nisma e qeverisë për të nxitur investimet në zonat malore ka ngjallur interes të dukshëm edhe në Qarkun e Lezhës. Sipas të dhënave, numri më i madh i aplikimeve për “Paketen e Maleve” është regjistruar në Bashkinë Lezhë me 116 kërkesa, e ndjekur nga Mirdita me 87 dhe Kurbini me 37 kërkesa. Nënkryetari Fatjon Zefi thotë se harta me zonat prioritare i është dërguar tashmë qeverisë, ku do të kryhet edhe shqyrtimi i aplikimeve.
“Faza e parë ka qenë dërgimi i kësaj harte pranë ministrisë, e cila është një hartë e përgjithshme për zonat ku bashkia ka menduar se mund të zhvillohet agroturizmi, parqet fotovoltaike, blegtoria, vreshtaria, ullishtaria etj., për të cilat është shfaqur interes”, shprehet Fatjon Zefi, nënkryetar i Bashkisë Lezhë
“Paketa e Maleve” synon të krijojë kushte të favorshme jo vetëm për turizmin, por edhe për agropërpunimin, bujqësinë dhe blegtorinë në zonat me potencial të lartë natyror, duke orientuar investimet drejt një zhvillimi të qëndrueshëm dhe afatgjatë. Nisma e qeverisë ka për qëllim ndikimin në rigjallërimin e fshatrave malorë, të cilët prej vitesh përballen me shpopullim dhe mungesën e investimeve.
Komente








