Paketa e Maleve” është një nismë që synon të zgjidhë problemet e pronësisë të trashëguara nga ligji 7501, veçanërisht në zonat veriore dhe verilindore të vendit. Kështu u shpreh Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me përfaqësues të agroturizmit në Tiranë. Kreu i qeverisë theksoi se kjo paketë do u japë mundësi qytetarëve që nuk kanë tituj pronësie të zhvillojnë pronat e tyre.

“Paketa e Maleve ka lindur nga nevoja për t’i dhënë drejtim një problemi shumë të madh, që e ka origjinën te ligji 7501 dhe te konflikti i shumë familjeve në zona të caktuara të vendit, kryesisht në veri dhe verilindje, që nuk e kanë njohur 7501 si një instrument të vlefshëm për tokën e tyre. Problemi i trashëguar është që këta njerëz e kanë të pamundur të kenë akses në financa dhe të ndërtojnë në mënyrë të ligjshme, sepse nuk kanë një titull pronësie”, tha kryeministri.

Me “Paketën e Maleve”, qytetarët mund të aplikojnë në bashki për leje ndërtimi, ndërsa certifikatën e pronësisë e marrin vetëm pasi të kenë përfunduar investimin. Rama sqaroi se nëse gjatë procesit paraqiten pretendime për pronësinë, çështja zgjidhet nga shteti dhe jo nga investitori.

“Në 45 ditë duhet të vijë një kundërshti e argumentuar. Nëse nuk vjen, lista kalon në Këshillin Bashkiak. Ky aplikim vlen vetëm për një gjë, vlen vetëm për të aplikuar për të marrë leje për një projekt. As nuk mund ta marrësh tokën ta shesësh, as nuk mund ta japësh me qira, as nuk merr titull pronësie. Pasi miratohet projekti, ti ndërton. Vetëm pasi ke përfunduar ndërtimin, jo përpara, ti merr titullin e pronësisë. Nuk mund të gëzosh një titull pronësie pa e investuar atë tokë. Nëse në një kohë X, shfaqet dikush tjetër që pretendon të jetë pronari, shkon në gjyq dhe ai fiton, ti nuk merresh me atë, por merret shteti. Kjo është trajektorja që ndjek kjo paketë. Është shumë pro biznes”, tha Rama.

Kryeministri prezantoi gjithashtu programin “Dyfisho Ndërmarrjen Tënde”, që synon të mbështesë bizneset e vogla dhe të mesme. Programi parashikon kredi me interesa më të ulëta se tregu, të garantuara nga qeveria, me një limit deri në 2 milionë euro.

“Ky projekt do të mbështet nga një linjë kredie e Bankës së Shqipërisë, e cila do të përpunohet nga bankat e nivelit të dytë në bazë të aplikimeve dhe do të garantohet nga qeveria shqiptare me një garanci sovrane dhe do të ketë një interes të kredisë më të ulët sesa kreditë komerciale. Plus që do të ketë një limit deri në 2 milionë euro. Nuk do të jetë e mundur të aksesohet nga kompanitë e mëdha, por do të aksesohet nga Start-Up, nga ndërmarrjet e vogla e të mesme, nga punishtet dhe agroturizmat që duan të rriten”, shpjegoi kryeministri.

Në fjalën e tij, Rama u ndal edhe te ndryshimet në ligjin për portet turistike, duke mbrojtur mundësinë që investitorët strategjikë të ndërtojnë marina pa kaluar në procedura koncesionare. Sipas tij, kjo bëhet për të shmangur burokracitë dhe vonesat që pengojnë investimet.

“Pati një alarm të ngritur në parlament dhe madje edhe në Bashkimin Evropian kur u deklarua se ne jemi vendi i parë dhe besoj i fundit kandidat në historinë e zgjerimit të BE-së që eksporton papastërti dhe helm nga kryeqyteti ynë në kryeqytete të tjera. U pretendua se qeveria po ndryshonte ligjin për t'u dhënë porte oligarkëve pa konkurrencë. Në fakt, ndryshimi është i nevojshëm për të shmangur pengimin, vonesën dhe zvarritjen e investitorëve që po investojnë në pronat e tyre bregdetare”, tha Rama.

Në prag të sezonit turistik, kreu i qeverisë u bëri thirrje bizneseve, veçanërisht në jug, të shmangin çmimet e larta dhe të përmirësojnë cilësinë e shërbimit.

“I ndërpret të ardhmen duke bërë lista, menura ose tabelën e çmimeve të dhomave me atë urinë për të fituar sot edhe atë që do fitosh nesër, faktikisht ti bën varrmihësin e investimit tënd. Është një tragjedi që i ka ndodhur, jo pak vendeve nga e cila duhet mësuar”, tha ai.

Rama theksoi rëndësinë e mikpritjes dhe të një turizmi cilësor, duke shtuar se Shqipëria duhet të synojë turistë që shpenzojnë më shumë, dhe jo turizëm masiv me konsum të ulët.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:49
Ligji për portet turistike/ Rama akuza PD-së: Alarmuan BE-në përmes helmit të tyre! Shqipëria, një vend që ka një defiçencë shumë të madhe me pikat e ankorimit në det (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama gjatë takimit me përfaqësues të agroturizmit në Tiranë, teksa hodhi akuza ndaj opozitës për ‘eksportim të baltës dhe helmit’ nga kryeqyteti shqiptar drejt vendeve të BE-së, me qëllim sipas tij goditjen e qeverisë, shtoi se të njëjtën gjë PD bëri edhe edhe me ligjin për portet turistike në Parlament (duke alarmuar edhe BE-në).

Gjatë fjalës së tij, Rama tha se ndryshimi ishte i domosdoshëm për të mos penguar dhe për të mos vonuar investitorët të cilët investojnë në bregdet në pronat e tyre, dhe kanë një projekt që ka dhe një pontil apo një marinë të vogël.

Sipas kryeministrit, Shqipëria është një vend që ka një defiçencë shumë të madhe me pikat e ankorimit në det (për porte të vogla për anije turistike, jo për porte të mëdha).

Pjesë nga fjala e Ramës:

E para, më vjen mirë nëse e kam shpjeguar si duhet Paketën e Maleve sepse do duhet ta shpjegojmë shumë shpesh, sepse ka shumë “helm” që hidhet çdo ditë këtu, siç besoj mund ta keni parë, mund mos ta keni parë, rezistencën idiote që u bë për një ndryshim krejt të thjeshtë për portet në parlament, aq sa u vu alarmi edhe në Bashkimin Europian. U çua nga këtu atje, se në këtë pikë domethënë jemi i pari dhe unë jam i bindur, i fundit vend kandidat në historinë e zgjerimit të Bashkimit Europian, që “eksportojmë baltë dhe helm” nga kryeqyteti ynë drejt kryeqyteteve të tjera dhe u tha që “qeveria po ndryshon ligjin se do t'i japë oligarkëve portet pa garë’’.

Në fakt, ndryshimi është i domosdoshëm për të mos penguar dhe për të mos vonuar dhe marrë zvarrë, investitorët të cilët investojnë në bregdet në pronat e tyre, dhe vijnë me një projekt që ka dhe një pontil apo një marinë të vogël dhe përgjigjja që marrin është: “mund ta marrësh lejen për këtë pjesën tjetër, për pontilin dhe për marinën duhet bërë tender”. Sepse në ligjin ekzistues, normal, duke qenë se deti është nën administrimin total të shtetit, për portet turistike që ndërton, që nxjerr në garë qeveria, bëhet garë, ndërsa t'i thuash tjetrit që “ti investoje gjithë këtë këtu, po për parkimin, se porti është një parkim i anijeve, për parkimin do bëjmë një garë’’, i bie që të krijosh “territore luftrash” midis le njëherë që ai që bën investimin do të thotë “po heq fare pontilin’’.

Ne jemi një vend që kemi një defiçencë shumë të madhe me pikat e ankorimit në det, shumë të madhe. Qindra e qindra porte kanë të tjerët, ankorimi,  dhe këtu s'flitet për porte si Marina e Durrësit apo si Marina e Vlorës që janë marina të mëdha turistike. Këtu dhe për porte të vogla dhe vëmë në diskutim këtë gjë. Pra, flitet për çdo gjë në mënyrë të mbrapshtë sepse nuk kanë dhe faj, nuk kanë dhe faj, u bënë kaq shumë vite që s'kanë lidhje fare me punët e shtetit.

Ora 19:24
Rama: Banka Shqiptare e Zhvillimit nis veprimtarinë e saj shumë shpejt, do na japë mundësinë që të mbështesim iniciativa në bujqësi dhe sektorë të tjerë

Kryeministri Edi Rama, gjatë takimit me përfaqësues të agroturizmit në Tiranë, bëri të ditur se qeveria po krijon Bankën Shqiptare të Zhvillimit.

Kjo iniciativë sipas kryeministrit vjen pasi sektori i bujqësisë vazhdon të përballet me vështirësi në sigurimin e financimit nga bankat, për shkak të perceptimit që konsiderohet si një fushë me risk të lartë.

Ai theksoi se institucioni është në fazë përgatitore, ka siguruar ambientet dhe po ndërton stafin e tij, ndërsa pritet që së shpejti të bëhet plotësisht operative.

Shefi i Ekzekutivit shpjegoi më tej se kjo bankë do të krijojë mundësi të reja për financimin e iniciativave, me fokus te ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

“Bankat kanë një rezervë më të madhe ndaj bujqësisë dhe ndaj sektorëve të tjerë, sepse e konsiderojnë një sektor me risk të lartë. Për të pasur më shumë kontroll, ne po krijojmë dhe Bankën Shqiptare të Zhvillimit, e cila po zhvillon stafin e vet. Ka marrë edhe zyrat dhe së shpejti do të jetë operacionale. Do na japë mundësinë që të mbështesim shumë iniciativa”, tha mes të tjerash kryeministri Rama.

Ora 18:06
Rama takim me përfaqësues të agroturizmit në Tiranë, prezanton projektin ‘Dyfisho Ndërmarrjen Tënde’: Deri në 2 milionë euro kredi për bizneset e vogla e të mesme

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar edhe nga drejtuesja politike e qarkut, Ogerta Manastirliu, kanë zhvilluar një takim me përfaqësues të agroturizmit në Tiranë, për të folur për ‘Paketën e Maleve’, një program që bashkë me fazat e tjera të këtij procesi ka synim që t’i japë një impuls të ri industrisë së turizmit në vendin tonë.

Gjatë fjalës së saj, Manastirliu është shprehur se ka pasur një interes të shtuar për programet e qeverisë, për mbështetjen e bizneseve.

“Dua të theksoj faktin se bashkëpunimi ynë ka qenë i vazhdueshëm. Mbështetja nga programet, qoftë të qeverisë, qoftë të Bashkisë, janë incentiva për t’u zhvilluar më shumë. Edhe këto takime që ne kemi nisur i vlejnë edhe diskutimeve, sesi ne mund të bashkëpunojmë më shumë sëbashku për ekonominë e Tiranës, për të rritur investimet në këtë zona, për të ulur pengesat burokratike administrative. Do të kemi një veprim të shpejtë nga qeveria, pasi Bashkia e Tiranës të depozitojë hartën ku do të kemi aplikimet e para. Vetëm për Dajtin janë mbi 100 shprehje interesi që kanë ardhur. Në të gjithë Tiranën janë mbi 600. Ka mundësi që ne të zhvillohemi. Ne do të vijojmë me ritëm për të aplikuar këto dy programe kaq të rëndësishme”, tha Manastirliu.

Ndërkohë gjatë fjalës së tij, Rama ka prezantuar programin ‘Dyfisho Ndërmarrjen Tënde’, një program që sipas kryeministrit synon të mbështesë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Kryeministri shpjegoi se ky projekt do të mbështetet nga një linjë kredie e Bankës së Shqipërisë, e cila do të përpunohet nga bankat e nivelit të dytë dhe do të ketë garanci sovrane nga qeveria.

“Ky takim synon të ndihmojë jo thjesht ju që jeni këtu, por të gjithë ata që janë të interesuar për t’u informuar me mundësitë e reja, që do të vihen në dispozicion të të gjithë atyre që do të duan të jenë protagonistë në këtë fushë. Dua ta nis te programi i ri kombëtar që ne po përgatisim, që do të lançohet sëshpejti. Në fund të muajit do të kemi marrëveshjen mes Bankës së Shqipërisë, bankave të nivelit të dytë dhe qeverisë për një linjë financimi të mbështetur nga qeveria shqiptare, për të mbështetur çdo projekt për këdo që ka një ndërmarrje të vogël apo të mesme dhe që ka ndërmend ta rrisë atë. E kemi quajtur projektin ‘dyfisho ndërmarrjen tënde’. Ky projekt do të mbështet nga një linjë kredie e Bankës së Shqipërisë, e cila do të përpunohet nga bankat e nivelit të dytë në bazë të aplikimeve dhe do të garantohet nga qeveria shqiptare me një garanci sovrane dhe do të ketë një interes të kredisë më të ulët sesa kreditë komerciale. Plus që do të ketë një limit deri në 2 milionë euro. Nuk do të jetë e mundur të aksesohet nga kompanitë e mëdha, por do të aksesohet nga Start-Up, nga ndërmarrjet e vogla e të mesme, nga punishtet dhe agroturizmat që duan të rriten”, tha mes të tjerash Rama.