Paketa fiskale 2019, studiohet mundësia e uljes së tatimit mbi dividentin

Paketa fiskale 2019, studiohet mundësia e uljes së tatimit mbi dividentin

Foto Ilustruese

Paketa e re fiskale pritet të sjellë ndryshime të rëndësishme taksash duke filluar që nga 1 janari i vitit të ardhshëm.

Ndonëse drafti nuk është bërë publik, ndryshimi kryesor është ulja e tatimit mbi dividentin. Aktualisht, norma e tatimit mbi dividentin është 15 për qind. Propozimi i qeverisë në paketën e re fiskale është që kjo taksë të zbresë në një nivel më të ulët.

Aktualisht po shqyrtohen dy variante. I pari është ai që tatimi mbi dividentin të zbresë në 8 për qind, ndërsa varianti i dytë parashikon uljen e kësaj takse në shkallën 10 për qind. Varianti final pritet të zyrtarizohet nga vet kryeministri, gjatë ditëve në vijim kur paketa të bëhet publike.

Ulja e tatimit mbi dividentin lehtëson barrën e taksave, kryesisht për bizneset e mëdha. Por, qeveria e cilëson atë si një masë kompensuese, që pason uljen e taksave për biznesin e vogël, e cila u votua pak kohë më parë.

Përmes një pakete të miratuar në mes të këtij viti, por që hyn në fuqi nga 1 janari i vitit të ardhshëm, qeveria e uli me tri herë tatimfitimin për bizneset e vogla dhe të mesme, me xhiro vjetore nga 8 deri në 14 milionë lekë në vit. Për këto biznese, shkalla e tatimfitimit është 15 për qind. Por, sipas paketës së miratuar në mes të vitit, nga 1 janari i vitit të ardhshëm ai do të ulet në 5 për qind, një masë nga e cila sipas qeverisë përfitojnë mbi 10 mijë biznese të vogla dhe të mesme.

Të dyja lëvizjet e fundit përbëjnë një kthesë jo të vogël në politikën fiskale të qeverisë. Në vitin 2014, kur sapo erdhi në pushtet, Qeveria “Rama” rriti si tatimfitimin, ashtu dhe dividentin; nga 10 për qind që ishin në 15 për qind; ndërsa tani, të dyja këto taksa ulen gati në nivelet ku ishin. Por, a është kjo një “mea culpa” dhe një pendesë për politikën tatimore të ndjekur deri më tani?

Qeveria pretendon që jo. Sipas saj, në vitin 2014 rritja e taksave ishte e detyrueshme për të mos lejuar falimentimin e shtetit, ndërsa tani financat publike janë stabilizuar dhe buxheti ka mundësi për të lehtësuar barrën e biznesit./tch

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja