Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, ka ftuar dje sipërmarësit që të japin propozime dhe ide sa i përket paketës fiskale të vitit 2019. Kjo ftesë e Ahmetaj-t është bërë përmes një letre të hapur që ai ua ka dërguar të gjithë sipërmarësve, në kuadër të procesit të konsultimit publik për Paketën Fiskale 2019.
Në letër, Ahmetaj iu ka kujtuar sipërmarjeve disa ndryshime të bera deri tani, që kanë të bëjnë me: ligjin për Tatimin mbi të Ardhurat, ligjin për TVSH-në dhe ligjin për Taksat Vendore.
“Ajo që është e rëndësishme dhe që dëshiroj të ndaj sot me ju, Ministria e Financave dhe Ekonomisë po fillon në të njëjtën kohë konsultimin publik me të gjithë aktorët dhe faktorët për Paketën Fiskale 2019. Në këtë kuadër, dëshiroj të përcjell tek ju ftesën e hapur për mendime, propozime dhe ide, në funksion të përmirësimit të legjislacionit, të përmirësimit të procedurave, në mënyrë që deri në vjeshtë të kemi arritur së bashku një Paketë në funksion të përmirësimit të klimës së biznesit dhe zhvillimit ekonomik”, ka shkruar në letër ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj.
Ministri Arben Ahmetaj përmes kësaj letre thekson se qeveria synon marjen e të gjitha mendimeve, ideve dhe propozimeve të sipërmarjes, për paketën e Vjeshtës që do të shoqërojë ligjin e Buxhetit të Shtetit 2019, krahas disa ndryshimeve të rëndësishme në paketën aktuale, që priten të kalojnë në qershor 2018.
LETRA E PLOTË E AHMETAJT
Të nderuar Sipërmarrës, Ministria e Financave dhe Ekonomisë po avancon tashmë procesin e konsultimit publik, për disa ndryshime të rëndë- sishme në Ligjin për Tatimin mbi të Ardhurat, Ligjin për TVSH dhe Ligjin për Taksat Vendore.
Këto ndryshime, të cilat do të jenë pjesë e paketës që finalizohet në qershor 2018, përfaqësojnë lehtësim të drejtpërdrejtë dhe ulje të ngarkesës fiskale për sipërmarrjet në disa sektorë kryesorë. Kemi propozuar shkallëzimin e normës së tatimit mbi fitimin për bizneset me të ardhura deri në 14 milionë, për të cilat norma e tatimit mbi fitimin ulet me tri herë, nga 15% në 5%. Me këtë masë, rreth 90% e sipërmarrjeve përfitojnë lehtësim të ngarkesës fiskale, me tatimfitimin zero ose 5%. Sektori energjetik, me qëllim nxitjen dhe lehtësimin e investimeve në fushën e energjisë diellore, do të përfitojë përjashtim nga TVSH për një gamë të gjerë të linjave teknologjike, makineri dhe pajisje.
Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor do të trajtohen në dy mënyra, në referencë të lehtësimit të barrës fiskale. Së pari, në transaksion me grumbulluesit do të përfitojnë rimbursimin e TVSH në masën 20% dhe së dyti, do të trajtohen me tatimfitimin e reduktuar nga 15% në 5%. Sipërmarrjet e licencuara në sektorin e agroturizmit do të përfitojnë gjithashtu mbështetje përmes tre korrektimeve të rëndësishme fiskale, uljen e tatimfitimit nga 15% në 5%: normë të reduktuar të TVSH prej 6% për shërbimet e akomodimit, ushqimit apo veprimtarive të tjera që afrohen nga subjekti i licencuar agroturistik dhe përjashtim nga taksa e ndikimit në infrastrukturë e ndërtimeve të reja me qëllim agroturizmin.
Ajo që është më e rëndësishme dhe që dëshiroj të ndaj sot me ju, Ministria e Financave dhe Ekonomisë po fillon në të njëjtën kohë konsultimin publik me të gjithë aktorët dhe faktorët për Paketën Fiskale 2019. Në këtë kuadër, dëshiroj të përcjell te ju festën e hapur për mendime, propozime dhe ide, në funksion të përmirësimit të legjislacionit, të përmirësimit të procedurave, në mënyrë që deri në vjeshtë të kemi arritur së bashku një Paketë në funksion të përmirësimit të klimës së biznesit dhe të zhvillimit ekonomik.
Do t’ju ftoja që mendimet dhe sugjerimet tuaja të përcillen në adresën [email protected], e cila do të jetë platforma jonë e përbashkët e komunikimit për këtë qëllim.