Paketa fiskale, çfarë ndryshon te taksat

Paketa fiskale, çfarë ndryshon te taksat
Dështon decentralizimi fiskal. Këshilli i Ministrave ka miratuar dje një numër projektligjesh e vendimesh, që ndryshojnë rregullat e taksave në Republikën e Shqipërisë, mes tyre shquhet edhe një projekt, sipas të cilit taksa e biznesit të vogël do të mblidhet sërish nga administrata fiskale qendrore. Nga viti 2006 e në vazhdim, mbledhja e taksës së biznesit të vogël kryhet nga administrata tatimore e pushtetit vendor, komuna e bashki. Kjo u cilësua nga Berisha si reformë drejt decentralizimit fiskal, një kërkesë e përafrimit të legjislacionit në fushën e taksave me BE. Me vendimin e djeshëm, qeveria ktheu në fuqi situatën e mëparshme, duke pranuar dështimin e kësaj reforme. Administrata tatimore qendrore do të jetë agjent i mbledhjes së taksave vendore dhe ajo, për shërbimin që do të kryejë si agjent tatimor, do të marrë një komision në masën 3 për qind të shumës së mbledhur.

Sipas relacionit shoqërues, të përgatitur nga ministria e Financave, me kalimin e viteve, u vu re se kapacitetet administrative të administratës vendore të taksave nuk ishin në nivelin e duhur për menaxhimin dhe mbledhjen e kësaj takse. Në fakt, në këtë mënyrë i hiqet kontrolli mbi fonde të mëdha pushtetit vendor, të cilit qeveria mund t'ia mbajë për një kohë të gjatë apo mund t'ia kalojë të tretëve paratë e mbledhura, siç është rasti i ujësjellësve.

Ndërkohë, me anë të një VKM-je u vendos që nga 1 janari 2013, procedura për blerjet e vogla nga administrata shtetërore do të bëhet tërësisht dixhitale, pas informatizimit të prokurimeve të tjera.

TVSH
Një tjetër projektligj i parashikuar në këtë paketë thekson se do të përjashtohen nga pagesa e TVSH-së në doganë, për importimin e makinerive dhe pajisjeve, subjektet që investojnë në vlerë të konsiderueshme, në dhe mbi 50 milionë lekë të reja ose 500 mijë dollarë. Në raste më vlerave më të ulta, TVSH-ja mbetet 20%. Procedura e përjashtimeve do të përcaktohet me Vendim të Këshillit të Ministrave dhe do t'u akordohet vetëm makinerive dhe pajisjeve që janë direkt të lidhura me investimin.
Aktualisht, në fuqi është një akt ligjor, sipas të cilit pagesa e TVSH-së në importin e makinerive dhe pajisjeve, pavarësisht nga vlera e investimit, mund të shtyhet deri në një vit nga administrata doganore dhe, në rast se cikli i investimit dhe fillimit të prodhimit është më i madh se një vit, subjektit, pas plotësimit të një serie dokumentacionesh, i akordohej një shtyrje e dytë me autorizim nga ministri i Financave, deri në momentin e fillimit të prodhimit.

paketa fiskale


Eksporti
Sipas të dhënave të administratës doganore, ka një rritje mbi 2.5 herë të sasisë së eksportuar të lëndës drusore nga Shqipëria, duke krahasuar vitin 2011 me vitin 2008. Qeveria vendosi dje të taksohet në eksport lënda e parë dhe gjysëm e gatshme e produkteve drusore në masën 30% të çmimit të shitjes. Në këtë mënyrë, synohet të pengohet financiarisht masakra e pyjeve. Rritja e ndjeshme e eksporteve të produkteve të tilla është duke marrë karakter shqetësues për arsye të humbjes së pasurisë kombëtare siç është lënda drusore.

(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?