Duke folur në ceremoni, kryeministri Edi Rama falënderoi mbështetjen e pakufishme të kreut të bashkisë së Kavajës dhe deputetit të zonës. “Falë mbështetjes dhe iniciativës së kreut të bashkisë dhe deputetit të Kavajës që kaluan përtej planit të paraparë nga ministria dhe mundësuan me ndihmën e biznesit për çeljen në kohë rekord të kësaj zyre”, tha Rama.
Sipas kryeministrit, “nuk është më surprizë për ne që drejtuesit politik në Kavajë janë pararojë e përpjekjeve për të përmirësuar komunitetin dhe hapjen e vendeve të punës. Të gjitha zyrat e punës po ndërtohen dhe po çelen njëra pas tjetrës sipas planit dhe afateve të parashikuar”.
“Këtu në Kavajë është një ditë e shënuar, pasi jemi të gjithë të vetëdijshëm për papunësinë që e gërryen. Ka nevojë për punë dhe sapo krijohen mundësitë e reja, komuniteti dhe njerëzit që kanë nevojë për punë i shfrytëzojnë”, theksoi gjatë fjalës së tij kryeministri Edi Rama.
RAMA: ZONE INDSTRIALE NE KAVAJE
Kryeministri tha se, zyrat e punësimit sjellin edhe fuqizimin e sipërmarrjes pasi biznesi nuk humb kohë në kërkimin dhe përzgjedhjen e punonjësve.
“Zyrat Kombëtare e Punësimit kanë edhe një aspekt tjetër, që është mbështetja dhe fuqizimi i sipërmarrjes. Kjo pasi kanë një kapital njerëzor që është i regjistruar me të gjitha kapacitetet dhe që biznesi të mos humbë kohë me përzgjedhjen. Ne do të krijojmë një zonë industriale në qytetin e Kavajës për të ndërtuar kapanone që do të jenë të dispozicion të biznesit si atij fason por edhe për industri të tjera prodhuese” tha kryeministri Rama.
Ky i fundit deklaroi se, “po përgatisim një paketë të plotë për industrinë fasone pasi ka një tipar që zhvillohet shpejt dhe krijon shpejt vende pune”.
Gjatë fjalës së tij në inaugurimin e zyrës së punës në Kavajë, kryeministri Edi Rama tha se, duhet të kuptojmë që shteti nuk është punëdhënësi më i madh. “Është koha që të shpjegojmë me durim dhe të gjithë ta kuptojmë se shteti nuk mund të jetë punëdhënësi më i madh apo kryesori”.
“Punëdhënësi më i madh është biznesi prandaj duhet që të nxisim investimet e reja vendas dhe të huaj. Në vetëm 1 muaj 3 zyra pune kanë negociuar dhe punësuar 1055 persona (janar 2014). Ky është një tregues i mjaftueshëm për të kuptuar se jemi në rrugë të mbarë dhe këtu bëhet fjalë për një politikë të re dhe një shërbim të ri për punësimin”, tha kryeministri Edi Rama.
Sipas tij, “zyrat e punës hap pas hapi do të shtrihen në të gjithë territorin e Shqipërisë brenda këtij viti. Kemi një mesatare prej 3 mijë vendesh pune në tre zyrat e punës. Në qeverinë e kaluar, shteti paguante me rroga më shumë njerëz se sa ata që punësoheshin. E kjo ka bërë që njerëzit të mos trokisnin në zyrat e punësimit dhe sipërmarrja të mos shkonte atje”.
“Përfaqësuesit e biznesit po na ndihmojnë që biznesi ti drejtohet këtyre zyrave për të punësuar njerëzit dhe sa më shumë profile të punës të kemi aq më shumë qytetarë do të punësohen. Në të njëjtën periudhë të një viti më parë ishin vetëm 1100 persona që shpresonin të gjenin një punë. Ndërsa tani numri ka kaluar të 4 mijë persona që janë regjistruar dhe këto përurime shërbejnë që të inkurajohen të dy palët, punëkërkuesit dhe punëdhënësit”, theksoi kryeministri Rama.
“Me siguri edhe në Kavajë këto zyra pune do të tregojnë se janë një instrument i rëndësishëm për të rritur punësimin në vend dhe kapitalin njerëzor. Këto nuk janë zgjidhja e vetme e as kryefjala e përpjekjes për nxitjen e punësimit, investimeve, rritjes ekonomike, por janë një faktor për të shkuar përpara në një proces që nuk është i lehtë por që me projektet dhe njerëzit e duhur që ne i kemi, përbëjnë një objektiv madhor dhe plotësisht të realizueshëm”, përfundoi fjalën e tij kryeministri Edi Rama, në ceremoninë e inaugurimit të zyrës së Punës në Kavajë.
VELIAJ: AKTUALISHT KEMI BERE 10 HERE ME SHUME SE QEVERIA E KALUAR
Ndërsa ministri Erjon Veliaj u shpreh se qeveria çfarë ka bërë në këto muaj janë dhjetëfishi i asaj që ka bërë qeveria e kaluar. “Vetëm një qendër e cila bënte kurse falas u regjistruan më shumë se 320 persona, dyfishi i asaj që ka bërë qeveria e kaluar. Kaq sa kemi bërë ne këto muaj janë dhjetëfishi i asaj që ka bërë qeveria e kaluar”, deklaroi Veliaj gjatë fjalës së tij.
Duke vlerësuar inaugurimin e kësaj zyre si një dritare e re për inaugurime të tjera në biznese dhe shërbime të ndryshme Veliaj u shpreh: "Vetëm në këto dy muajt e fundit janë negociuar 1055 vende pune. Zyrat e punës më parë askush nuk i dinte se ku ishin jo më që të aplikonin për to. Falë këtyre zyrave të punës, sot njerëzit shkojnë të marrin arsim profesional."
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)