Ka shkuar në dy numri i të arrestuarve të policisë së Korçës për operacionin “Restart 12”. Në pranga ka rënë 20 vjeçari, Egi Bala në kuadër të operacionit të zhvilluar ditë më parë ku u arrestua 64 vjeçari Sotiraq Çipi pasi tentoi të kalonte 9.2 kg kanabis drejt Greqisë.
Droga ishte e ndarë në 16 pako dhe e fshehur brenda gomave rezervë të makinës me të cilës i moshuari tentoi të kalonte në Kapshticë.
Mësohet se Egi Bala ishte personi që kreu ambalazhimin dhe fshehjen e 16 pakove me kanabis në gomat rezervë të makinës me të cilën qarkullonte 64 vjeçari, Sotiraq Çipi. Ndërkohë policia bën me dije se ka shkuar në 28 numri i personave të ndaluar për operacionin e organizuar në 12 faza.