Numri i fundit i "Charlie Hebdo" ka shkaktuar zemërimin e shumë muslimanëve në të gjithë botën. Protestues të shumtë në Pakistan duke brohoritur parulla kundër Charlie Hebdo janë përleshur me policinë përpara konsullatës franceze në Karaçi.

Së paku 3 protestues dhe një fotoreporter mbetën të plagosur në përleshjet e sotme me policinë e cila përdori gaz lotjellës dhe shkopinj gome për të shpërndarë turmën e cila po tentonte të futej në brendësi të konsullatës franceze. Po ashtu edhe Jordania është bashkuar në protesta kundër numrit të fundit të reviztës satirike franceze.

Mijëra qytetarë u mblodhën përpara xhamisë në kryeqytetin jordanez, Aman pas faljes së xhumasë me slogane kundër Charlie Hebdo, por edhe ndaj qeverisë franceze që ka lejuar publikimin e karikaturave.

Edhe këta kanë tentuar të hyjnë në ambasadën franceze, por kanë hasur në ndërhyrjen e policisë e cila arrestoi 4 persona. Një tubim i ngjashëm është zhvilluar edhe në Siri, ku rezultoi fatale për të paktën 10 persona të cilët u vranë nga regjimi i presidentit Bashar Al Assad teksa protestonin kundër botimit të karikaturave të profetit Muhamed.