Në takimin me sipërmarrësit e rinj në Sarandë, një qytetare shprehu shqetësimin se si hotelet dhe restorantet të caktuara bashkëpunojnë dhe bëjnë kontrata false për të zënë hapësira të caktuara plazhi.
Kryeministri tha se një marrëveshje e tillë mes restoranteve dhe hoteleve nuk do të funksionojë për shkak se këtë vit do të ketë më shumë kontrolle si edhe është hartuar një plan për menaxhimin e plazheve private dhe atyre publike. Ai tha se tashmë është gati edhe plani për monitorimin e plazheve me dron.

Pjesë nga diskutimi:
Qytetarja: Në Ksamil u bë një plan për plazhet që të jenë publike, u bë një aplikim në bashki për hotelet që të aplikojnë për disa shezlonge që të akomodojnë klientët. Nuk e di se si do të ndodhë, por në Ksamil këta pronarë të këtyre restoranteve po bëjnë kontrata me hotele sikur medemek janë duke i marrë me qira. Edhe te unë erdhi një pronar lokali dhe më tha se dëshirojmë të bëjmë kontratë sikur e kam marrë subjektin tuaj me qira, që të aplikoj në bashki për shezlonge dhe nuk pranuam. Por janë të shumta plazhet që po marrin dhe po bëjnë këtë. Po bëjnë kontrata false për të ruajtur plazhin.
Rama: Është kjo lufta e vazhdueshme e të gjithëve për të zënë hapësirë e bërë biznes. Por shumë mirë që e ngrite këtë çështje se do të jetë eksperiencë e re këtë vit. Është krijuar një raport i qartë midis plazheve që do të menaxhohen nga strukturat private dhe publike. Bashkitë kanë marrë përsipër të bëjnë disa gjëra të mira. Saranda ka pasur plazhin publik dhe e ka mbajtur po aty ku ka më shumë hapësira, bashkitë do të kenë ofertën e tyre me çadra dhe shezllonget kush do apo kush nuk do mund të vendosë peshqirin. Sa i përket Ksamilit se është bërë trend botëror. Pesë veta me një dhomë me 20 euro nuk besoj se do funksionojë për faktin, se pavarësisht se ata mund të bëjnë kontrolle me hotelin, restorantet nuk mund të kenë plazhe dhe nuk ka për t’ju funksionuar kjo marrëveshje. Do duhet të ushtrojmë më shumë kontrolle. Problemi i kontrolleve është se janë bezdi e madhe, mirë është që gjërat të bëhen pa pasur nevojë për të bërë kontrolle. Gjëja më e rëndësishme është që vetë ju të jeni në mbështetje të këtij procesi, duke bërë me dije autoritetet vendore, ose qendrore që çfarë po ndodh, sepse kontrollet kanë dhe ana tjetër të medaljes, janë edhe një burim marrëdhëniesh që mund të degjenerojnë në ryshfet. Pasi kemi krijuar fiskalizimin, tani të gjithë ju keni kasën që transmeton në 24 orë çdo transaksion. Po krijojmë me Microsoft modelin e AI, që do të bëjë atë që fizikisht bëjnë inspektorët nëse ke shkelur kasën apo jo. Modeli është duke u trajtuar dhe do të thotë se gjithë procesi do të jetë i mbikëqyrur në shkallë kombëtare nga inspektor virtual. Kjo do të bëjë që kontrollet në biznes të jenë minimale dhe raporti i të ardhurave biznes-shtet të jetë më shumë transparent. Sa i përket plazheve, e kemi mbyllur marrëveshjen me Emiratet e Bashkuara, për të mbikëqyrjen me kamera inteligjente të rrugëve dhe shkollave dhe aty kemi edhe plazhet. Por, aktualisht kemi bërë planin e mbikëqyrjes së plazheve me dron dhe në mënyrë të përditshme do marrin informacion për mënyrën se si administrohet hapësira e plazheve.
Lajmi kryesor:
Rama: Kontrolle bizneseve me AI! Hile me shtretërit, 65% parapagim nëse s’doni masa të ashpra! Ndalimi i prokurimeve 4 muaj para zgjedhjeve, absurditet (VIDEO)

