Kreu i PBDNJ, Vangjel Dule, e ka cilësuar të drejtë marrëveshjen e Detit me Greqinë të bërë në vitin 2009. Duke folur nga Korça, Dule tha se shpreson që negociatat të konkludojnë në një rezultat të drejtë dhe efektiv.

Për kreun e PBDNJ, ndarja e detit duhet të bëhet sipas Konventës respektive të Kombeve të Bashkuara, e cila parashikon çdo aspekt të procesit dhe është ratifikuar nga të dyja vendet. Pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese për marrëveshjen e 2009, Dule thotë se e drejta ndërkombëtare prevalon mbi të drejtën e vendit, përfshirë edhe Kushtetutën.

“Greqia dhe Shqipëria janë të vonuara në arritjen e marrëveshjes”

Vangjel Dule, kreu i PBDNJ

Më tej, kreu i PBDNJ akuzoi kryeministrin Rama se për 5 vite ka mbajtur peng marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë.

“Në këto 5 vitet e fundit janë bërë hapa pas në marrëdhëniet me fqinjët tanë, të cilët kanë kosto jo të vogël. Marrëdhëniet midis dy vendeve nuk mund të mbahen peng për një kohë të gjatë, sepse ato janë solide dhe të shtrira në histori dhe të tashmen. Rama nuk mund të mbajë peng vendin në marrëdhëniet me Greqinë, vendi që është strumbullari i politikave euroatlantike të Evropës Juglindore"

Vangjel Dule, kreu i PBDNJ