Pakti me Greqinë, Idrizi kërkon takim urgjent me Bushatin: Mungesë transparence, heshtje olimpike për detajet

Kreu i PDIU-së në një deklaratë për shtyp ka sjellë edhe njëherë në vëmendje çështjen e marrëveshjes me Greqinë. Në deklaratën e tij, Idrizi ka ngritur 16 pyetje, të cilat presin përgjigje nga ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati.

Sipas Idrizit, PDIU dhe “Shoqata Çamëria” do të ndërmarin të gjitha hapat e duhura dhe do të intesifikojmë qëndrimin e tyre ndaj çdokujt që mund të nëpërkëmbë dinjitetin e Çamërisë.

Deklarata e Idrizit:

PDIU dhe Shoqata Patriotike “Çamëria” shpreh shqetësimin nga deklaratat e vazhdueshme të ministrit të Jashtëm, Nikos Kotzias dhe atij të Mbrojtjes, Panos Kammennos që thonë: “:
… jemi të kënaqur me marrëveshjen me palën shqiptare, morëm çfarë deshëm dhe që s’kemi biseduar asnjëherë me palën shqiptare për Çështjen Çame…”.
Por dhe për shkak të mungesës së transparencës dhe heshtjes olimpike të ministrit tone të Jashtëm, Ditmir Bushati, jemi këtu për t’i kërkuar në mënyrë të përsëritur dhe publikisht një takim urgjent për të na sqaruar ne dhe opinonin publik:

1. Çfarë është biseduar me palën greke për zgjidhjen e Çështjes Çame dhe sa është zbatuar “Rezoluta për Çështjen Çame” e Kuvendit të Shqipërisë, një dokument i detyrueshëm për zbatim nga Mininistria jonë e Jashtme?

2. Çfarë është biseduar me palën greke në detyrim të reciprocitetit dhe kërkesës së përsëritur të Shoqatës “Çamëria” për ngritjen e varrezave të shqiptarëve të Çamërisë të vrarë nga bandat e Napoleon Zervës, kur nderkohe qeveria shqiptare po implementon marrëveshjen për ngritjen e varrezave historike të ushtarëve të rënë grekë në territorin e Shqipërisë, ku erdhën si pushtues?

3. Çfarë është biseduar me palën greke për heqjen e ndalimit në kufirin grek të të moshuarve çamë të lindur në Çamëri që sot janë nga 75 - 85 vjeç, e që duan të shohin dhe një herë shtëpitë e tyre në limitet e moshës?
Kjo vazhdon të ndodh në dhunim të plotë të Konventes Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe të lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë pa viza në hapesiren “Shengen”.

4. Çfarë përmban e ashtuquajtura marrëveshje për Toponimet Greke që detyron sot të moshuarit e lindur në Çamëri të ndryshojnë vendlindjet e tyre në pasaportat shqiptare?

5. Çfarë është biseduar me palën greke për çështjet pronësore të shqiptarëve të Çamërisë?

6. Çfarë është biseduar me palën greke për heqjen e Ligjit të Luftës dhe akteve nën ligjore për heqjen e pengesave për gëzimin e pronave të shtetasve shqiptarë, e në veçanti të atyre çam, që pala greke nxiton të thotë se nuk përfitojnë dhe përse?

7. Çfarë është biseduar me palën greke për kërkesën e përsëritur të Shoqatës “Çamëria” dhe PDIU për dhënien e statusit të minoritetit etnik shqiptar në Greqi dhe hapjen e shkollave shqipe për shqiptarët e Çamërisë që jetojnë në trojet e tyre në Çamëri, status që e kanë patur në vitin 1927 në Greqi.

8. Çfarë është biseduar me palën greke për kërkesën e Shoqatës “Çamëria” dhe PDIU për hapjen e Konsullatës Shqiptare në Çamëri, në reciprocitet të hapjes së disa konsullatave greke në Jug të Shqipërisë?


9. Çfarë është biseduar me palën greke për kërkesën e Shoqatës “Çamëria” për heqjen e busteve e përmendoreve të kriminelit Napoleon Zerva në zonën e Çamërisë?

10. Çfarë është biseduar me palën greke në komisionet mikse për rishikimin e historisë në tekstet shkollore dhe apo negociohet për heqjen nga tekstet tona shkollore historia e Çamërisë dhe termi “Çamëri”?

11. Çdo të thotë për intersat e sovranitetit dhe integritetit Kombëtar që e ashtuquajtura “Marrëveshje e Detit” do të jetë më e mirë se e para?
Përse ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias deklaron që do zgjerojmë hapësirën detare me Shqipërinë nga 6 në 12 milje?
Shqiptarët janë të interesuar, jo për një marrëveshje më e mirë se e para, por për një marrëveshje, ku ajo që është e Shqipërisë të mbetet e saj. 

12. Çfarë është biseduar me palën greke për caktimin e kufijve tokësorë dhe marrëveshjen për administrimin e zonave kufitare midis Greqisë dhe Shqipërisë, të njohura ndërkombëtarisht nga Traktati i Firences dhe që Greqia nuk e ka ratifikuar ende?

13. A mendoni zoti ministër që në kushtet e mos funksionimit të Gjykatës Kushtetuese përfundimi i Marëveshjes për Detin do t’u hiqte mundësinë e ankimimit subjekteve të interesuara sic eshte dhe PDIU për ta kundërshtuar këtë marrëveshje në Gjykatën Kushtetuese?

14. A keni biseduar me palën greke dhe a i keni kërkuar asaj që qeveria greke të njohë shtetin e Kosovës, si një detyrim i diplomacisë shqiptare për të lobuar për njohjen e shtetit të Kosovës?

15. A jeni në dijeni dhe çfarë po bën qeveria shqiptare me kërkesën e Shoqatës “Çamëria” për dhënien e statusit të Varrezave Historike për Varrezat Monumentale të Kllogjerit, ku prehen në një varrezë masive 2900 shqiptarë të Çamërisë që vdiqën 1 kilometër brenda territorit shqiptar nga etja, uria e sëmundjet.

16. A mendoni zoti ministër që Shqipëria duhet të firmosë marrëveshjen e partneritetit strategjik me Greqinë, një vend që nuk njeh Çështjen Çame dhe shtetin e Kosovës? 

Shoqata Patriotike “Çamëria” dhe PDIU i bëjnë me dije opinionit publik që në varësi të realizimit të takimit me ministrin Bushati, transparencës dhe qëndrimit për pikëpyetjet e ngritura më sipër:
- Ne do të ndërmarim të gjitha hapat e duhura ligjore e e vene para pergjegjsise ligjore e morale, si dhe do të intesifikojmë e do të radikalizojmë qëndrimin tone, ndaj çdokujt që mendon se do të mund të nëpërkëmbë dinjitetin tonë dhe të Çamërisë.
Ne do të ftojmë çdo shqiptar patriot t’i bashkohet protestave tona për dinjitet e integritet kombëtar ndaj kujdo, që mendon se çështje të tilla mund të lihen apo të meren sipas dëshirës dhe që nuk i trajton nga pozita reciprociteti dhe dinjiteti.
Shoqata Çamëria dhe PDIU urojnë shumë që ky vit për Shqiptarët të jetë vërtetë viti i Skënderbeut dhe jo i Hamzait dhe Esad Pashës së radhës…

Shpëtim Idrizi, kryetar i PDIU

Ditën e djeshme, ministri grek i Mbrojtjes, Panos Kammenos, ka folur për mediat greke një ditë pas publikimit të disa detajeve të marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Greqisë nga ana e tyre.

Në deklaratën e tij, Kammenos ka vlerësuar bashkëpunimin që ka pasur mes dy palëve për çështjen e varrezave të ushtarëve grekë por ka mohuar që në marrëveshje të negociohet për çështjen çame pasi sipas tij ata janë kriminielë lufte dhe me të tillë nuk negociohet.

Shqipëria dhe Greqia kanë patur disa raunde bisedimesh për shumë nga çështjet kryesore që i ndajnë dy vendet. Marrëveshja pritet të marrë firmat e Ramës dhe Tsipras në mesin e Korrikut. Grupi negociator shqiptar ka kërkuar që marrëveshja të marrë miratimin e parlamentit grek e më pas të firmoset nga dy kryeministrat.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindja, Presidenti e Kryeministri urojnë besimtarët katolikë! Begaj: Të reflektojmë mbi vlerat më të larta të njerëzimit

Krishtlindja, Presidenti e Kryeministri urojnë besimtarët katolikë! Begaj: Të reflektojmë mbi vlerat më të larta të njerëzimit