TIRANE - Dy ditë pas vendimit të Gjykatës Administrative Vlorë për heqjen e shiritit të bllokimit të hyrjes së banorëve në kompleksin “Jon” në zonën e Ujitë të Ftohtë në Vlorë, ka reaguar edhe Inspektoriati Ndërtimorë Urbanistik Kombëtar.

Sipas burimeve ky institucion ka apeluar në gjykatën Administrative të Apelit Tiranë, pasi sipas kreut të këtij INUK, Zyhdi Dajti vendimi i Gjykatës Administrative për zhbllokimin e pallatit, të njohur ndryshe në pronësi të vjehrrit të kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha është i padrejtë.

Dajti hodhi poshtë faktin se, INUK ka penguar banorët e kompleksit të hyjnë lirshëm në apartamentet e tyre, pasi sipas tij ata janë lejuar që në ditën e parë, kur u bllokua pallati. INUK e kishte bllokuar kompleksin “Jon” prej disa ditësh, me argumentin se po bëhen verifikime, nëse pallati është ndërtuar apo jo në kundërshtim me planin urbanistik. Pritet që në ditët në vijim dosja gjyqësore të vijë në Tiranë, ku do të shqyrtohet, për të marë një vendim të dytë, lidhur me këtë çështje.
 
 Shkrimi u publikua sot (9.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com­)