VLORE- Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka shkuar sot në Prokurorinë e Vlorës për të dorëzuar një kallzim penal lidhur me shkeljet e konstatuara gjatë ndërtimit dhe marrjes së lejes për ndërtimin e  “Kompleksin Jon” tek "Uji i Ftohtë" në Vlorë në pronësi dhe të vjehrrit të kryetarit të PD-së, njëkohësisht kryetar i bashkisë së Tiranës Lulzim Basha.

Mësohet se kallëzimin Tahiri e ka bërë si kreu i Taskë Forcë.

"Kallëzimi është bërë pas njohjes me relacionet e paraqitura nga Inspektoriati Urbanistik Kombëtar, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Agjensia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe dokumentet bashkëngjitur këtyre relacioneve.

Task-Forca ka analizuar situatën ligjore dhe faktike të objektit në ndërtimin “Godinë banimi dhe shërbime 1-4-5 kate + 1 kat papafingo + 1 kat nëntokë dyqane”, në lagjen “Uji i Ftohtë”, Vlorë, të zbatuar nga subjekti ndërtues shoqëria “G.B-A KONSTRUKSION”, në bazë të lejes së ndërtimit të miratuar nga K.Rr.T-ja e Bashkisë Vlorë, me Vendimin e saj Nr. 5/7, datë 17.08.2010."- thuhet në njoftimin e ministrisë së Brendshme.

Përmes kësaj padie Ministri kërkon hetim tërësor të piramidës së personave të cilët favorizuan ndërtimin e "Kompleksit Jon"

"Në relacionin e paraqitur të përbërë nga 49 faqe, shkruhet se janë vërejtur shkelje të rënda të legjislacionit në fushën e pronësisë, në zbatimin e lejes së ndërtimit si dhe probleme të krijuara nga ky ndërtim në perspektivën e zhvillimit turistik të zonës. "Për të gjitha shkeljet e vërejtura, Kryetari i Task-Force për Mbrojtjen e Territorit, Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri ka bërë kallëzimin penal"- thuhet në njoftimin për shtyp.

Sipas dosjes prej 49 faqesh kompleski është ndërtuar në një zonë në të cilën nuk lejohet ndërtimi, në kundërshtim me kushtet e lejes së ndërtimit, jashtë hapësirës tokësore (në det) dhe pa një certifikim ligjor të sigurisë së përdorimit të këtij objekti (pa leje shfrytëzimi).
 
“Parregullsitë e konstatuara në procedurat për kthimin dhe kompensimin e tokës, dhënien e lejes së ndërtimit, ndërtimin e objektit për zbatimin e lejes së ndërtimit, si edhe në regjistrimin e pronës dhe objektit në ZRPP janë kryer në kundërshtim me parashikimet ligjore, në mospërmbushje të detyrave funksionale nga një zinxhir organesh të adminstratës shtetërore dhe Gjykatës duke i sjellë në këtë mënyrë dëm interesave të shtetit.”- thuhet në relacionin e Tahirit.

Pallati 8 katësh në pronësi të Xhuvi Sharxhit dhe Xhafer Isufit, vjehrrit të Lulzim Bashës, dhe është ndërtuar nga  G.B.A Konstruksion”.

SHKLEJET NE LEJEN E KRRT  17 gusht 2010
-Në territorin në fjalë është ende në fuqi Plani i Përgjithshëm Rregullues i miratuar nga KRRTRSH në vitin 1996, sipas të cilit nuk lejohen ndërtime, pasi kjo zonë është cilësuar si Zonë Plazhi. Nuk lejohen ndërtime as sipas Studimit Urbanistik të Qendrës së Qytetit Vlorë, konkretisht zonës Skelë – Tunel, studim ky i miratuar në vitin 2004 nga KRRTRSH.
-Zbardhja e lejes së miratimit të destinacionit të sheshit të ndërtimit dhe kondicioneve urbane të tij, si dhe lejes së ndërtimit, është bërë për 1 (një) kat më shumë, duke shtuar edhe një kat nën tokë dhe dyqane, të cilat nuk janë miratuar në mbledhjen e Këshillit të Rregullimit të Territorit të Bashkisë.
-Gjatë zbatimit të objektit në kundërshtim me lejen e ndërtimit, është përvetësuar prona publike, duke shkelur vijën bregdetare në brendësi të sipërfaqes së detit.

SHKELJET NE ZBATIMIN E LEJES SE NDERTIMIT
-Pozicionimi i rrugës hyrëse në objekt, është realizuar në kundërshtim me Planimetrinë e Sheshit të Ndërtimit.
-Në kundërshtim me Planimetrinë e Sheshit të Ndërtimit, është realizuar Pishinë, një kat shtesë. Është realizuar pa leje një shesh (vendparkim automjetesh)
-Sipërfaqja totale e sheshit e realizuar nga subjekti ndërtues e tejkalon sipërfaqen e sheshit të miratuar nga KRRT
-Objekti nuk ka një leje shfytëzimi të miratuar nga organi kompetent dhe pavarësisht nga kjo është përcjellë për regjistrim mëgjithëse është një praktikë e paplotësuar konform kërkesave ligjore.
 
PARREGULLSI NE REGJISTRIMIN DHE VEPRIMET E ZRPP VLORE
-Është lejuar regjistrimi i një objekti i ndërtuar mbi sipërfaqen ujore të detit.
-Mungon leja e shfrytëzimi të objektit mungesë, e cila duhej të sillte si pasojë mos regjistrimin e objektit.
-Sipas aktit të kolaudimit konstatohet mospërputhje midis tij dhe lejes së ndërtimit: Konkretisht sipërfaqja e katit përdhe e përcaktuar në aktin e kolaudimit është 1651.25 m2 ndërkohë që sipas lejes së ndërtimit -Sipërfaqja që duhej të shfrytëzohej është 1098 m2 pra një diferencë mbi 450 m2.

KERKOHET NDJEKJE PENALE PER
-Kërkohet hetim për veprimet dhe mosveprimet e Regjistruesve si dhe veprimet dhe mosveprimet e punonjësve të ZRPP-së Vlorë.  ”Kërkojmë nga ana juaj fillimin e ndjekjes penale në ngarkim të këtyre shtetasve për veprën penale të parashikuar nga neni 248 dhe 25 i Kodit Penal. Veprime të kryera me dashje në bashkëpunim me njeri-tjetrin, në mospërmbushje të detyrës së përcaktuar në aktet ligjore dhe nënligjore  i kanë shkaktuar dëm shtetit"- thuhet në relacion.  Gjithashtu për këta kërkohet dhe pezullimin nga detyra.

 - Duke i konsideruar veprimet dhe mosveprimet e Kryeinspektorit dhe inspektorëve personave të kallëzuar, si mosveprime të kryera me dashje direkte, në bashkëpunim me njeri-tjetrin dhe që i kanë shkaktuar shtetit një dëm real dhe konkret, kërkojmë nga ana juaj fillimin e ndjekjes penale për veprën penale të parashikuar nga neni 248 dhe 25 i Kodit Penal, në ngarkim të këtyre shtetasve
 
-Duke i konsideruar veprimet dhe mosveprimet e subjekteve administrative të cilët kanë marrë pjesë në procedurat për kthimin dhe kompensimin e pronës (komisioni) si edhe ata që kanë përgatitur aktet e ekspertimit teknik për Gjykatën së bashku me trupin gjykues, i cili ka lejuar një veprim të tillë, si mosveprime të kryera me dashje direkte, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe që i kanë shkaktuar shtetit një dëm real dhe konkret, kërkojmë nga ana juaj fillimin e ndjekjes penale për veprën penale të parashikuar nga neni 248 dhe 25 i Kodit Penal, në ngarkim të këtyre shtetasve

INVESTIGIMI I SHQIPTARJA.COM
Shqiptarja.com prej ditësh publikoi një sërë shkrimesh investigative në lidhje me Kompleksin Jon.  Investigimi i Shqiptarja.com

Hije të forta dyshimi janë ngritur për shkelje të ligjit lidhur me miratimin e lejës së ndërtimit të pallatit në pronësi të Xhafer Isufit, vjehrrit të kryetarit aktual të bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, njëherësh dhe kreut të Partisë Demokratike. Në fotot e publikuara nga gazeta  Si u hodhën kollonat në shtratin e detit      dallohet qartë se kompania “G.B.A Konstruksion” ka kryer punime në shtratin e detit me sondë. Hedhja e masivit të gurëve brenda në det ka bërë që toka të shtohet në një distancë rreth 50 metra larg pozicionit të mëparshëm, duke krijuar një sipërfaqe artificiale të truallit. Më pas kjo sipërfaqe është arritur të hipotekohet në kundërshtim me të gjitha rregullat ligjore.

DERI TANI VETEM DREJTORI I URBANISTIKES NE HETIM

Aktualisht lidhur me këtë ngjarje, asnjë person duke filluar nga pronarët e tokës, që është shtetasi Xhafer Isufi, por edhe nga pronarët e kompanisë që kanë marrë përsipër ndërtimin e objektit, nuk është hetuar dhe marrë në përgjegjësi penale, për një masakër të tillë, të bërë në afërsi të zonës më piktureske të qytetit të Vlorës, siç është zona e “Ujit të Ftohtë”. Për këtë çështje, nën akuzë është vënë vetëm drejtori i urbanistikës në Bashkinë e Vlorës, inxhinieri Odhise Zoto. Ndaj këtij të fundit prokuroria ka kërkuar dënimin me 2 vjet burg dhe gjobë financiare. Zoto akuzohet nga organi i prokurorisë për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” pasi ka paraqitur në mbledhjen e këshillit, materile të rreme dhe në kundështim me ligjin e urbanistikës.

LEJA ME FIRMEN E GJIKES
Hije të forta dyshimi janë ngritur edhe për shkelje të ligjit lidhur me miratimin e lejës së ndërtimit të pallatit në pronësi të Xhafer Isufit. Sipas, burimeve pranë prokurorisë së Vlorës ndërtimi i pallatit, ka marrë spunto nga dy vendime të paligjshme, ku i pari bën fjalë mbi një akt-teknik dhe plan urbanstik tërësisht të paligjshëm të kryer nga shefi i urbanistikës, tashmë i pandehuri Odhise Zoto, si dhe një vendim tjetër që i ka ndezur dritën jeshile për ndërtimin e pallatit, që është vendimi i KRRT-së në bashkinë e Vlorës. Ky vendim është miratuar nga anëtarët e këtij këshilli, dhe më pas kryebashkiaku Shpëtim Gjika ka vendosur firmën e tij, duke i hapur rrugën ndërtimit të objektit që në qytetin e Vlorës njihet si “pallati i Lulzim Bashës”.  Leja e KRRT-së mban datën 17 gusht 2010.

SI U BLLOKUA NGA INUK PALLATI DHE ME PAS U LIRUA
Më 3 nëntor 2013 inspektorët e INUK bllokuan pallatin në pronësi të vjehrrit të Lulzim Bashës në Vlorë, Xhafer Isufi. Qëllimi ishte verifikimi i dokumentacionit, pasi sipas inspektorëve të INUK një gjë i ishte kërkuar pronarëve por ata kishin refuzuar dorëzimin e letrave.
Një ditë më pas më 4 nëntor 2013, 11 persona banorë dhe pronarë të komplesit “Jon” iu  drejtuan Gjykatës Administrative Vlorë, ku kërkuan shfuqizimin e aktit adminsitrativ të INUK, që bllokonte hyrje-daljet e banorëve të kompleks si dhe heqjen e shiritit rrethues në hyrje të kompleksit. Më 7 nëntor 2013, Gjykata administrative vendosi të pranojë kërkesë padinë civile të 11 banorëve dhe pronarëve të pallatit, duke hequr shiritin policor të vendosur nga INUK dhe Policia e Shtetit. Pavarësisht këtij vendimi, INUK u shpreh se do e apelojë atë.

 

Kallallzimi penal i Ministrit Tahiri drejtuar prokurorisë së rrethit Vlorë