VLORE- Plot 13 familje që kanë blerë apartamente në kompleksin “Jon” në Vlorë, kanë larguar nga banesat e tyre të gjitha orenditë shtëpiake, duke i dhënë mundësi INUK dhe forcave xheniere të ushtrisë të rrëzojnë pallatin 8 katësh.

ORA 13:50 INUK VAZHDON PRISHJEN E OBJEKTEVE TE JASHTME
Kanë vijuar edhe sot proceduar për shembjen e kompleksit “Jon” ose siç njihet ndryshe pallati i “Bashës”, dy ditë pasi ministri i Brendshëm, Sajmir Tahirit bëri kallëzim penal në prokurorinë e rrethit Vlorë.

Forca të shumta policie dhe inspektorë të INUK dhe INUV kanë qenë të pranishëm që në orët e para të mëngjesit duke rrethuar kompleksin 8 katësh. Fadromat e INUK kanë vazhduar me prishjen e objekteve të jashtë të pallatit dhe të pishinës, ndërsa banorët kanë vazhduar me lirimin e apartamenteve të tyre.

BRAKTISJA E PALLATIT MENJEHERE PAS VENDIMIT TE QEVERISE PER SHPRONESIMET
Braktisja e pallatit ka nisur një ditë pas publikimit të vendimit të qeverisë, i cili shpronësonte të gjithë banorët e objektit, duke i hapur rrugë shëmbjes dhe ndërtimit të shëtitores së qytetit të Vlorës.

Gjatë largimit të orendive shtëpiake nuk ka pasur asnjë përplasje fizike apo konflikt tjetër me forcat e policisë, që mbajnë të rrethuar pallatit në pronësi të Xhuvi Sharxhit dhe Xhafer Isufit, ky i fundi vjehrri i kreut të PD Lulzim Basha, njëherësh dhe kryebashkiaku i Tiranës.

Mësohet se afati përfundimtar për largimin e sendeve shtëpiake nga apartamentet është dhënë brenda 5 ditëve, dhe se fill pas kësaj INUK dhe Ushtria do të marrin masa të menjëhershme për rrëzimin e kompleksit “Jon” me eksploziv. Sipas dokumentave të publikuar në numrat e kaluar të “Shqiptarja.com”, kostoja e këtij objekti ka qënë 1.8 milion euro, vetëm në fazën kur projekti ishte ende në letër, pra kur ende objekti nuk kishte filluar të ndërtohej.

Paralajmërimi për gjyq
Shuma financiare që qeveria ka vendosur të shpronësojë banorët e kompleksit “Jon”, nuk i ka kënaqur aspak të gjithë pronarët. Sipas tyre apartamentet i kanë blerë me një çmim prej 1300 euro metro katror, ndërkohë që qeveria vendoste ti shpëprblente me 570 mijë lekë të vjetra. Sipas tyre kjo është një padrejtësi totale dhe se shumë shpejt vendimin e qeverisë, do e kundërshtojnë në gjykatë.

Banorët, pretendojnë se shuma financiare është qesharake. Ndërkohë mësohet se gati gjysma e banorëve të kompleksit “Jon” kanë qënë puntorë gjatë ndërtimit të këtij pallati, dhe se kanë marrë apartamentet, në vend të pagesës.

Ushtria në zonë
Dy ditë më parë në kompleksin “Jon” është parë një automjet i ushtrisë shqiptare. Mësohet se disa specialist të repartit të xhenios kanë parë zonën, në mënyrë që të planifikojnë taktikën e shpërthimit të kontrolluar për shembjen e pallatit, që në qytetin e Vlorës, njihet si “pallati i Lulzim Bashës”. Sipas, burimeve mësohet se menjëherë sapo të jenë larguar 13 familjet e vetme të pallatit, forcat e ushtrisë dhe inxhinierët e INUK do hyjnë në objekt, për të realizuar infrastrukturën e nevojshme për shembjen e pallatit 8 katësh. Gjithmonë sipas burimeve, bëhet fjalë për vendosoje të eksplozivit në katin e parë që ndodhet në sipërfaqe, si dhe në katin e 3, nga ku besohet se do të realizohet shembja totale e objektit, shumë të diskutuar në Vlorë por dhe jo vetëm.
 
Skrepi prish pallatin
Një eksavator me skrep, ka hyrë për herë të parë mëngjesin e djeshme në kompleksin “Jon”, ku në prani edhe të banorëve ka filluar të prishë, ambjentet e jashtme të këtij objekti, si pishinën, muret rrethuese si dhe disa aksesorë të tjerë që ishin ndërtuar për pushuesit. Në momentin kur ekskavatori ka hyrë në kompleks nuk ka pasur asnjë konfrontim nga ana e banorëve me policinë e Vlorës. Situata ka qënë e qetë, dhe se të gjithë banorët kanë filluar të largohet.

Zyrtarët e kallëzuar
Tre gjyqtarë të rrethit të Vlorës, dy pronarët e truallit Xhuvi Sharxhi dhe Xhafer Isufi, ky i fundit vjehrri i Lulzim Bashës, anëtarë të KRT së bashkisë Vlorë dhe zyrtarë të hipotekës Vlorë, janë kallëzuar penalisht në prokurori nga ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri. Kallëzimi është depozituar në prokurorinë e Vlorës, për veprat penale të “shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim “falsifikimit të dokumentave” dhe “Përvetësimit të ambjenteve publike”.

Për hetimin e këtij kallëzimi është ngarkuar njësia hetimore Task-Forcë në prokurorinë e Vlorës, e cila pritet që në ditët në vijim të thërasë dhjetëra persona, zyrtarë të bashkisë Vlorë dhe të Hipotekës, për të mësuar rrethanat e skandalit të ndërtimit të kompleksit “Jon”, mbi ujërat e detit në Vlorë.

Tashmë çështja është në fazën fillestare, por nga sa mësohet fundi i hetimeve do nxjerë para gjykatës një sërë zyrtarësh të lartë, që kanë miratuar lejën e ndërtimit të kompleksit “Jon”, pallat ky që rezulton të jetë në pronësi të Xhuvi Sharxhit dhe Xhafer Isufit, vjehrrit të Lulzim Bashës. Ndër personat që ka votuar “pro” ndërtimit të këtij objekti është dhe kryebashkiaku Shpëtim Gjika, i cili në dëshminë që “Shqiptarja.com” publikoi pak kohë më parë, ka pohuar se ai kishte votuar “Pro” ndërtimit.

Zyhdi Dajti
Kreu i INUK ka bërë me dije se tashmë kanë filluar të gjitha procedurat në teren për rrëzimin e objektit. Pritet vetëm largimi i banorëve dhe më pas e gjithë zona, do vihen në kontrollin e plotë të policisë.

Maks Haxhia
Avokati mbrojtës i banorëve dhe pronarëve të pallatit ka bërë me dije se do depozitojë kallëzim penal ndaj krerëve të INUK dhe se do kundërshtojë në gjykatë, vendimin e qeverisë së Edi Ramës.

Gjika: Ejani të prishim pallatin
Bashkia e Vlorës me anë të një letre, ka kërkuar ndihmën e Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, për prishjen e ndërtimeve pa leje nga “Uji i Ftohtë” të Tuneli. Në këtë zonë dhe për shkresën që kreu i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, i ka dërguar INUK, bëhet fjalë vetëm për pallatin e “Bashës”, siç thuhet edhe në vendimin e Këshillit të Ministrave, të datës 27 nëntor 2013 për pronën me numër 16/8. Kërkesa e Bashkisë së Vlorës drejtuar INUK, është bërë me anë të një letre, që mban datën 2 dhjetor 2013. Bashkia e qytetit bregdetar ka kërkuar, zbatimin e VKM, që kërkon rehabilitimin e zonës mjedisore.

Shkrimi u publikua sot (05.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)