Disa orë pas aksidentit në të cilin humbën jetën tre persona, Report Tv rikthehet në vendin e ngjarjes. Prej aksidentit të rëndë që ndodhi në aksin Vlorë-Kotë mbrëmjen e së dielës, edhe përgjatë kësaj të hëne, shenjat janë tepër të dallueshme.

Përplasja ka qenë tepër e fortë, aq shumë sa pjesët e automjeteve kanë përfunduar kudo në segmentin rrugor. Madje, targa e mjetit Benz nga goditja ka përfunduar në anën tjetër të trafikndarëses, ndërsa edhe pjesë nga automjeti Ford kanë përfunduar disa metra më larg vendit ku ndodhi përplasja.

Ndërkohë, shenjat janë të dallueshme edhe në segmentin rrugor, aty ku rruga ka marrë në një pjesë të saj ngjyrën e zezë pas përplasjes së mjeteve. Janë shenjat e vajit dhe naftës të dala nga mjeti Benz, ku pjesa para tij ka qenë totalisht e shkatërruar. Në segmentin rrugor shihen edhe shenjat e frenimit të fortë të mjetit Ford që janë ende në rrugë. Jo vetëm kaq, por edhe shenjat e frenimit tregojnë qartësisht se mjeti Ford ka qenë aq i shpejtë sa ka kaluar në anën tjetër të korsisë.

Aksidenti ka ndodhur në një pjesë të drejtë rruge, ku ke mundësi të qarkullosh me shpejtësi të lartë. Ndërkohë që në fund të kësaj rruge vjen një kthesë, ku mendohet se pas frenimit të fortë për të ulur shpejtësinë përpara kthesës, mjeti Ford ka humbur kontrollin duke dalë nga korsia dhe duke goditur më pas Benzin.


Lajmi kryesor:

Aksidenti tragjik në Drashovicë të Vlorës, shkon në 3 numri i viktimave! Humb jetën edhe pasagjeri