Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka reaguar sërish nga protesta e dhunshme ku ka publikuar pamjet nga dëmtimi i Ministrisë së Eknomisë.

Sipas Koçiut fëmijët nuk duhet të përfshihen në protesta të dhunshme. Ajo u bën thirrje prindërve të tregojnë kujdes për fëmijët dhe të sigurohen që ata të qëndrojnë larg zonave të përplasjeve.

Reagimi i plotë:

"Fëmijët nuk e kanë vendin mes dhunës dhe kaosit. Vendi i tyre është në bankat e shkollës, mes librave, në dritën e dijes dhe në sigurinë që meritojnë, jo në errësirën e një revolte me maska që nuk shohin kë dhe ku godasin e as çfarë shkatërrojnë.

Një revoltë që i përdor fëmijët si mburojë dhe u mëson gjuhën e dhunës, nuk i shërben së ardhmes së tyre.

Mbrojtja dhe siguria e fëmijëve janë një përgjegjësi absolute dhe e panegociueshme e të gjithëve! Distancohuni nga dhuna, ulni tensionet dhe largoni menjëherë të miturit nga zonat e përplasjes.

Të dashur prindër, sot nuk bëhet fjalë thjesht për bojkotimin e mësimit apo mungesat në shkollë, por për sigurinë e drejtpërdrejtë të fëmijëve tuaj. Tregoni kujdes të jashtëzakonshëm në këto momente, interesohuni se ku ndodhen fëmijët tuaj dhe sigurohuni që të jenë larg çdo zone tensioni e përplasjeje.

Kërkohet kujdes, maturi dhe përgjegjësi nga të gjithë. Asnjë kauzë, sado e madhe dhe e drejtë të duket, nuk vlen më shumë se jeta dhe siguria e një fëmije"-thuhet në reagimin e ministres.


Lajmi kryesor:

Protestat e dhunshme, Ministria e Arsimit dhe Policia apel prindërve: Mbani fëmijët larg përplasjeve! Mos lejoni të përdoren për dhunë