Tirana është zgjuar këtë të mërkurë me një festë të veçantë në sheshin “Nënë Tereza”, ku mbi 600 ekspozues nga 31 bashki të vendit kanë sjellë produktet më të mira të tyre.

Bëhet fjalë për veshje tradicionale, punime të dorës, por mbi të gjitha prodhime bujqësore e blegtorale, të gjitha në panairin “Shqipëria punon tokën”.

Erëza, produkte mishi, qumështi, perime, fruta apo verëra do të jenë të hapura për publikun edhe ditën e enjte. Nuk mungojnë as gjelat e detit, në një kohë kur Krishtlindja dhe Viti i Ri po afrojnë.

Ky panair organizohet nga Ministria e Bujqësisë dhe ka në fokus modelet e sipërmarrjes nga të rinjtë. Në ditën e parë aty ishte edhe kryeministri Rama, i cili gjatë bashkëbisedimit me sipërmarrësit tha se të rinjtë do të mbështeten nga qeveria. 

“Kjo vlen për të gjithë të rejat e të rinjtë që presin që punën t’ua sjellë shteti në kafene, apo që puna t’u shkojë në shtëpi, t’i zgjojë nga gjumi e t’i shoqërojë në kafe. Ne kemi vendosur që nga viti i ardhshëm, fondi i mbështetjes të ketë një zë të vecantë për të rinjtë që kanë një ide”, deklaroi Rama. 

Ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi u shpreh në të njëjtën linjë me kryeministrin kur njoftoi se fonde të tjera do të vijnë jo vetëm nga qeveria shqiptare, por edhe nga ato të huaja. 

“Ne kemi filluar dhe do vazhdojmë t’i promovojmë iniciativat e reja në bujqësi, si për të mbështetur këtë sektor edhe për të promovuar një model suksesi të pazakontë. Është e pazakontë që të rinj që kanë studiuar jashtë kthehen dhe merren me bujqësi. Kemi disa modele suksesi që bërtasin me zë të lartë për të rinjtë e tjerë që mendojnë se suksesi duhet t’u vijë në bare dhe kafene”, tha Peleshi. 

Ky event kulinarie shërben edhe për demonstrimin e kulturave sipas zonave. 

G.F. / Shqiptarja.com