Panairi 'Art dhe Zeje' mbledh mbi 500 nxënës, prindër e mësues në Tiranë! Rama: Ta kthejmë programin në traditë për talentet, do e zhvillojmë në shkolla të tjera

Nxënësit që kanë talent në mjeshtërinë e të punuarit me dorë kanë marrë pjesë në Panairin Kombëtar të Shkollave ‘Art dhe Zeje 2023’. I pranishëm ishte dhe kreu i qeverisë Edi Rama, i cili pa nga afër punimet artizanale dhe artistike të nxënësve që u mblodhën nga të gjithë zonat e Shqipërisë në Tiranë. 

Kreu i qeverisë dha mesazhin që programi të kthehet në traditë në mënyrë të zhvillohen talentet dhe fëmijët të largojnë për disa orë mjetet teknologjike e të kujdesen për talentin e dhuntinë e tyre. Rama tha se po mendojnë që ta shtrijnë programin edhe më tej duke përfituar që të kenë festivale, ekspozita e shfaqje të dedikuara për arsimin e fëmijët.

“Një përgëzim të veçantë për të gjithë ato që keni nxjerrë nga duart në këtë eksperiencë që siç e keni vënë re ka shumë të mira. Ka të mirën e madhe që ju jep mundësinë të largoheni për disa momente. Shpresoj disa orë nga mjetet elektronike dhe të kujdeseni për duart, shqisat, për të nxjerrë nga brenda vetes suaj përmes dhuntive tuaja, talentit tuaj, gjëra kaq të bukura që realisht jo vetëm janë të bukura për tu parë por mbi të gjitha janë të bukura për tu bërë.

Ta bëjmë një program që nga risi të kthehet në traditë e hapësirë ku të gjithë ju, ata si ju dhe të gjithë ata që janë pjesë e këtij procesi të arsimimit dhe edukimit në shkollat tona të mund të kenë kushte dhe mësuesit për të zhvilluar talentet e tyre por edhe për t’u njohur me rrugë të reja të eksplorimit të shijeve të ndryshme të traditës sonë si dhe për t’u njohur me eksperienca të reja që kanë të bëjnë me artin, zejet, historinë e përbashkët botërore europiane por edhe historinë e përveçme shqiptare.

Kjo praktikë e mirë dhe sidomos aty ku kjo ka dhënë edhe shembujt më pozitivë duhet marrë e zhvilluar më tej në procesin e shtrirjes së programit. Tani kemi provën që jo vetëm është e mundur por edhe e realizueshme si proces i mësimdhënies dhe mësimmarrjes. Le të bashkojmë idetë, forcat e energjitë dhe të shkojmë më tutje në mënyrë që nga zhvillimi i programit të përfitojmë jo vetëm një panair si ky por edhe festivale, ekspozita të dedikuara, shfaqje të posaçme e një pasuri të madhe për arsimin tonë ”, tha Rama.

Gjatë aktivitetit ku ishin mbi 500 nxënës, prindër dhe staf mësimor, grupe të ndryshme muzikore, vallesh dhe baletit performuan këngë dhe valle të ndryshme.

Programi Kombëtar “Art, Zeje, Sport” i quajtur ndryshe dhe si Programet Jashtë Orarit Mësimor (JOM) u zbatua gjatë këtij viti shkollor në sistemin arsimor parauniversitar në 200 Shkolla Qendër Komunitare të zgjedhura nga ZVAP-të dhe miratuara nga MAS, duke angazhuar 644 punonjës arsimorë dhe 10,423 nxënës, duke mbështetur këto shkolla me bazë materiale në ndihmë të veprimtarive krijuese.

Ky program ka për qëllim inkurajimin e mësimit të punimeve të artit dhe atyre artizanale përmes veprimtarive praktike, nxitjen e aftësive sipërmarrëse të nxënësve në perspektivën e ruajtjes dhe të promovimit të vlerave të komunitetit ku jetojnë, si dhe të trashëgimisë sonë kulturore në fushat: Pikturë, Vegla Muzikore, Bujqësia dhe Mjedisi, Zeje, Kor, Teatër, Sport-Mirëqenie , Fuqizim Për Vetëmbrojtje, Teknologji.

Ky program nxit zhvillimin e fëmijëve dhe të rinjve në arsimin bazë dhe në arsimin e mesëm të lartë, krijimtarinë, novacionin dhe marrjen përsipër të nismave, veprimtarive dhe projekteve që zhvillohen në shkolla në bashkëpunim dhe partneritet me prindërit, komunitetin dhe bizneset lokale.

A.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 03/06/2023 01:15

    Heren tjeter hapni dhe nje panair per shpikesit dhe novatoret e rinj.Ne bote kam pare femije e adoleshente qe po marrin pjese ne shfaqje te tilla me aplikacione, robote e modele makinerish qe i kane krijuar vete,kurse ne jemi akoma ne nivelin e zejeve e artit! Me besoni, nuk jam kunder ketij panairi,jo te gjithe do te behen shpikesa e inxhinjere,por kam pershtypjen qe panairet e teknologjise e teknikes tregojne nivel me te larte te arsimit, se /artet e zejet/.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Sezoni Turistik nis më herët në Green Coast

Sezoni Turistik nis më herët në Green Coast