Pas dy dekadash, Panairi Ndërkombëtar i Tiranës i Klik Ekspo Group, tashmë është shndërruar në simbolin identifikues të biznesit shqiptar në botë, por njëkohësisht dhe një urë lidhëse mes bizneseve shqiptare dhe atyre të huaja. Panairi Ndërkombëtar i Klik Ekspo Group, që do të mbahet në ambientet e Pallatit të Kongreseve më 23 deri më 27 nëntor, risjell falë bashkëpunimit me Ministrinë e Brendshme të Shqipërisë dhe nën kujdesin e veçantë të Ministrit Saimir Tahiri, Ekspozitën për Mbrojtjen dhe Sigurinë, ALMEX III. Do të jetë vetë Ministri i Brendshëm i Shqipërisë z.Saimir Tahiri, i cili do të përurojë këtë ekspozitë dhe do të prezantojë prioritetet e qeverisë shqiptare në fushën e sigurisë.
Edhe pse tashmë vetëm pak orë na ndajnë nga çelja zyrtare e edicionit të 20-të të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, të gjithë vijojnë ende të kujtojnë paraardhësin e tij të një viti më parë, Panairin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, që u kthye në një simbol të arritjeve të vetë sipërmarrësve shqiptarë të erës së re. Qindra ekspozues të ardhur nga të gjithë anët e botës, diktuan në shqip fjalët e fundit të teknologjive dhe u vetpropozuan si bashkëpunëtorët e ardhshëm të tregut të Shqipërisë dhe të zonës që ajo përfaqëson gjeografikisht nën emërtimin “Porta drejt Ballkanit”.
Edicioni i këtij viti do të sjellë surpriza. Veç bashkëpunimit me shtetet e njohura tashmë, të cilat prej vitesh janë pjesë e eksponateve ndërkombëtare të Klik Ekspo Group, një pjesëmarrje e re e mirëpritur ketë vit është "Pavioni i Taivanit". Kjo pjesëmarrje dëshmon edhe një here se, si Shqipëria është tashmë piketë e qëndrueshme në hartat strategjike të investitorëve dhe eksportuesve udhëheqës në botë. Ky pavion ofrohet falë një bashkëpunimi frytdhënës mes Klik Ekspo Group dhe TAITRA (Taiwan External Trade Development Council). Eshtë hera e parë që një delegacion përfaqësues i biznesit nga Taivani merr pjesë në një panair shqiptar. Ndërmarrjet nga Taivani sjellin produktet e tyre të teknologjisë së fundit, duke dëshmuar se biznesi taivanez e ka shenjestruar Panairin Ndërkombëtar të Tiranës të organizuar nga Klik Ekspo Group si një platformë ideale për të hyrë në ketë treg rajonal, si dhe për të zhvilluar partneritete afatgjata me kompanitë shqiptare.
TAITRA ose Këshilli për Zhvillimin e Tregtisë së Jashtme të Taivanit është një ndër organizatat më të njohura e cila, prej 1970, promovon dhe nxit tregtinë e jashtme të ketij superishulli të njohur në mbarë botën për nivelin e lartë teknologjik. Ky organizëm është i financuar nga shoqëritë e ndryshme industrial edhe tregtare të Taivanit për forcimin e konkurencës dhe ndihmesën për tu përballur me sfidat e tregjeve globale. Me këtë qëllim, TAITRA ofron shërbime cilësore në mbështetje të bizneseve që duan të zgjerojnë aktivitetin e tyre brenda dhe jashtë Taivanit.
Salloni Ndërkombëtar i Agrobiznesit
Bashkëpunimi mes Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave të Shqipërisë dhe Klik Ekspo Group, është dëshmi e një parteneriteti të suksesshëm. Falë angazhimit të vetë Ministrit z. Edmond Panariti, ky sallon do të paraqesë produktet e kompanive më të sukseeshme shqiptare në fushën e ushqimit dhe bujqësisë, produkte këto bio dhe të cilat kërkohen gjërësisht në tregjet e rajonit dhe më gjerë. Por në të njëjtën kohë, bashkëpunimi i Klik Ekspo Group bëri të mundur që këtij Salloni t’i bashkohen edhe kompanitë më në zë ndërkombëtare në këtë fushë, për të sjellë përvojat dhe produktet të vlerësuara ndërkombëtarisht.
Dhe falë kësaj, gara e pafund kundër produkteve të importuara nxit fabrikat vendase për të kërkuar cilësi të lartë, teknologji të avancuar, investim në imazh dhe përpjekje për orientim të konsumit hap pas hapi. Në ketë copëz Shqipërie do të takohen ekspozuesit vendas dhe të huaj, do të propozohen risi në fushën e bujqësisë dhe përpunimit të ushqimit, prodhimet e qumështit, verërat dhe pijet e ndryshme alkoolike, llojet e ndryshme të prodhimeve të vajit ulliri, kafesë, etj Salloni Ndërkombëtar i bujqësisë dhe industrisë ushqimore është realizuar nën patronazhin dhe pjesëmarrjen aktive të Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave të Shqipërisë.
ALMEX - Ekspozita Ndërkombëtare për Mbrojtjen dhe Sigurinë
ALMEX është shfaqja më e plotë e risive teknologjike, produkteve më efikase, zgjidhjeve të industrisë së mbrojtjes dhe sigurisë. Kjo ekspozitë është samiti më dinamik për sipërmarrësit më aktivë të sektorit, blerësit kyç që vëzhgojnë tregjet në zhvillim të Ballkanit Perëndimor dhe Evropës Juglindore. Ky ekspozim i produkteve dhe shërbimeve në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë është formësuar për të përmbushur kërkesat e profesionistëve të këtij sektori. ALMEX konsiderohet si rruga, ku industrialistët që vijnë nga Franca, Italia, Gjermania, Republika Çeke, do të tregojnë gatishmërinë për të bashkëpunuar me autoritetet e Sigurisë dhe të Mbrojtjes jo vetëm të Shqipërisë, si anëtare e NATO-s.
Për herë të parë Ministria e Brendshme e Shqipërisë, nën kujdesin dhe vëmendjen e Ministrit z. Saimir Tahiri, është bërë pjesë e këtij Panairi. Do të jenë të gjitha strukturat nën varësi të Ministrisë, duke nisur që nga Policia e Shtetit, Forcat Speciale RENEA, Garda e Republikës, Drejtoria e Emergjencave Civile dhe shumë drejtori të tjera, që do të paraqesin forcën, arritjet dhe vizionin për të ardhmen e tyre. E pikërisht për këtë vizion, Ministri i Brendshmë Saimir Tahiri ka insistuar që Ministria e Brendshme të jetë pjesë e rëndësishme e organizimit të Ekspozitës Ndërkombëtare për Mbrojtjen dhe Sigurinë. Kjo ekspozitë do të shërbejë për një rekrutim të përgjegjshëm, njohjen me teknologjitë inovative si dhe paraqitjen e prioriteteve të Qeverisë së Shqipërisë në fushën e Sigurisë.
Galeria e shteteve
Kjo galeri tradite e krijuar me shumë kujdes e pasion nga Klik Ekspo Group, që në vitin 2001, ofron një mundësi përqasje e testim interesi edhe ketë edicion. Kjo galeri tregon besimin universal që, edhe nëse Shqipëria është një treg i vogël në vetvete, serish përfaqëson një vendkalim kryesor - në një zonë e treg shumë të madh si Ballkani dhe Evropa Juglindore. Përfaqësojnë vendin e tyre në ketë event të nëntorit ekspozues nga Kosova, Maqedonia, Serbia, Bullgaria, Greqia, Bosnjë Hercegovina, Sllovenia, Kroacia, Italia, Franca, Sllovakia, Hungaria, Republika Çeke, Austria. Por edhe ato realitete biznesi të cilat janë prezente si ekspozues në mënyrë alternative ose të përvitshme që vinë nga India, Polonia, Austria, Belgjika, Spanja, Argjentina.
Pavijoni Helenik i Greqisë, është embrioni që çliroi suksesin e Galerisë së Shteteve që me formulimin e saj në edicionin e shtatë të vitit 2000. Nga ky vit, Thessaloniki International Fair ka qenë ndër faktorët parësorë në rezultanten e Panairit Ndërkombëtar të Tiranës. Dekada e parë e Pavijonit të Republikës së Serbisë në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës, do të simbolizojë po ashtu se si fairplay dhe përgjegjshmëria e të bërit biznes, mund të çojnë drejt bashkëpunimeve solide afatgjata dhe rritjes së ndërveprimit ekonomik e politik mes shteteve e përafrimit mes popujve. Pavijoni i Serbise organizohet me kujdesin e çmuar të partnerit Velexpo doo.
Nga ana tjetër, besatimi i sipërmarrësve të Kosovës dhe Panairit të shtetit amë, rikthen Pavijonin e Kosovës përmes burimeve të afta njerëzore dhe një industrie prodhimi e përpunimi që rend me shpejtësi drejt tregjeve të rajonit. Edhe pse është një Panair, fakti i të qënit Ndërkombëtar, ofron mundësinë e artë që Kosova të njihet si shtet, edhe prej atyre shteteve që ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë, me anë të produkteve të saj.
Pranitë shtetërore të Hungarisë, Kroacisë, Bullgarisë, Italisë do të përvijojnë në rrugën e sinjalizuar të bashkëpunimit duke e shquar eventin si një shënjues që të mund të ndriçojë mbi mundësitë e pafundme të investimeve dhe kultivimit të marrëdhënieve ekonomike e sociale mes këtyre vendeve dhe Shqipërisë.
Shkrimi u publikua sot (24.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)