Ish- ministri i Bujqësisë Edmond Panariti një ndër figurat kryesore të Lëvizjes Socialiste për Integrim, është larguar nga partia pas 16 vitesh angazhim.

Lajmin e ka bërë me dije vetë ai përmes një njoftimi në rrjete sociale, ku shpjegon se arsyeja e largimit është sepse ka marrë një ftesë për t'u angazhuar në një detyrë të rëndësishme.

Detyrën e rëndësishme në të cilën do të angazhohet ai nuk e ka treguar ende, por burime për Report Tv bëjnë me dije se do të marrë postin e drejtorit të kabinetit në presidencë, në vend të diplomatit  Arben Cici.

"Të dashur miq, kolegë dhe bashkëpunëtorë! Që nga dita e sotme kam vendosur të ndërpres angazhimin tim si pjesë e strukturave të Lëvizjes Socialiste për Integrim, për shkak të një ftese për tu angazhuar në një detyrë të rëndësishme. Me këtë rast më lejoni t'ju falenderoj përzemërsisht për këtë rrugëtim 16 vjeçar të përbashkët, plot sfida, sakrifica dhe arritje. Duke ju shprehur mirënjohje dhe falenderim për miqësinë vlerësimin dhe mbështetjen, ju siguroj që do të mbetem miku juaj përherë", shkruan Panariti.

Ish-ministri i Bujqësisë i propozuar nga LSI në katër vitet e qeverisjes së kësaj force me Partinë Socialiste, ka qenë një figurë e rëndësishme në këtë parti. Me largimin e tij sigurisht që do të zbehet dhe më shumë imazhi i kësaj partie.


Lajmi kryesor:

Nga Këshilltari për Çështjet e Sigurisë Kombëtare te ai Diplomatik, emërime të reja në Presidencë! Panariti largohet nga LSI dhe merr postin e shefit të kabinetit