Kemi bërë një përpjekje që të ftojmë personalitete, puna e të cilëve në një mënyrë ose një tjetër lidhet drejtpërdrejtë me sfidat tona, eksperienca e të cilëve në një mënyrë ose një tjetër vlen për sfidat tona dhe lidhja e të cilëve me realitetin tonë në një mënyrë ose një tjetër përbën një arsye që ata të jenë sot këtu. Kam nderin që t’ua prezantoj shkurtimisht, në mënyrë që të gjithë ju dhe të gjithë ata që na ndjekin, nëpërmjet kamerave, të mund të kenë një pamje të qartë të ditës së sotme dhe njëkohësisht, një ide të qartë të cilësisë së lartë që kemi mundur të garantojmë, falë të ftuarve tanë për ditën e sotme. Dita është e ndarë në tre panele. Paneli që e hap dhe pastaj dy panele të tjera të fokusuara te Shqipëria dhe bota, inspirimet për një Rilindje Ekonomike, tek krijimi vendeve të reja të punës në Shqipëri dhe tek mundësitë dhe kërcënimet për ekonominë tonë sot. I jam mirënjohës me radhë, zotit Pagrotsky, ish-ministër i Tregtisë dhe Industrisë të Suedisë, por njëkohësisht edhe shumë i lidhur prej vitesh me rajonin, me zhvillimet ekonomike të rajonit dhe drejtpërdrejtë edhe i interesuar për të na mbështetur dhe na ndihmuar në formësimin e një plani real aksioni, që do të zbërthejë gjithë programin tonë të Rilindjes. Pastaj zotit Yilmaz, ish-guvernatorit të Bankës qendrore të Turqisë, njërit prej ekonomistëve dhe protagonistëve më të mëdhenj të ekonomisë turke dhe të transformimit të madh të Turqisë; zonjës Goldstein, Drejtore e Bankës Botërore, për Europën Juglindore dhe Azinë Qendrore; zotit Hans Timmer shef i njësisë ekonomistëve për Europën dhe Azinë Qendrore i Bankës Botërore; zotit Erik Berglof shef i njësisë ekonomistëve dhe këshilltar i Presidentit të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim; zotit Matthias Kollatz-Ahnen, zëvendëspresident i Bankës Europiane të Investimeve; zonjës Cairncross, rektore e Kolegjit “Exeter” në Oxford, drejtpërdrejt e lidhur me ekonominë dhe një ekonomiste e shquar; zonjës Stephany Griffith-Jones, drejtore e Tregjeve Financiare dhe Iniciativës për dialog politik në Universitetin e Columbias në SHBA; zotit Hamish McRae, gazetar i financave dhe bashkëbotues i gazetës Indipendent në Angli; Panayotis Mihalos, Sekretari i përgjithshëm për marrëdhëniet ekonomike ndërkombëtare dhe zhvillimin e bashkëpunimit në ministrinë e punëve të jashtme të Greqisë; zotit Gerald Knaus, president i iniciativës europiane për stabilitet; zotit Doug Tweddle, ish drejtori i Doganave të Britanisë së Madhe; zotit Panagiotis Karkatsoulis, këshilltari politik në Ministrinë e Brendshme dhe gjithashtu në Institutin e Politikave Rregullatore në Greqi; zotit Ferenc Karvalic, ish-zv.President i Bankës Kombëtare të Hungarisë; zonjës Saskia Bruysten, CEO e Union Social Biznes; zonjës Romana Vlahutin, këshilltare për punët e jashtme e Presidentit të Kroacisë; zotit Sebastian Vladescu, ish-ministër i financave të Rumanisë; zotit Alexandru Nazare, ish ministër i transportit të Rumanisë; zotit Alexandros Kritikos, drejtues i Programit të Zhvillimit për Autoritetet Lokale në Eurobankë; zotit Jacob Fass, President dhe CEO i “J.F.I Ltd”.
Bëra këtë listë të gjatë dhe zgjodha ta bëj vetë në respekt të të ftuarve tanë, por dhe për të krijuar idenë e plotë të protagonistëve të kësaj Konference, që pas punës së djeshme me dyer të mbyllura dhe debatit që kemi pasur me një grup ministrash mund të them me plot gojën se përbëjnë një vlerë të shtuar në përpjekjen tonë për të harmonizuar sa më mirë të gjitha hapat e planit për jetësimin e Programit tonë të Rilindjes.
Edhe dy fjalë për vetë konferencën dhe raportin mes territorit dhe ekonomisë pasi dje ezauruam pjesën e parë dhe sot kemi pjesën e dytë, si rrjedhojë e vizionit tonë dhe e vetëdijes sonë që sot gjendemi përpara një sfide shumë të madhe të vendosjes së kontrollit mbi territorin dhe të transformimit të gjitha politikave urbane në territor në politika zhvillimi dhe njëkohësisht të lidhjes me gjithë politikën e zhvillimit ekonomik me atë çka ndodh në territor.
Jemi të gjithë të vetëdijshëm dhe qëndrimi ynë i “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, i qeverisë sonë është i njohur. Modeli i zhvillimit i gjithë këtyre viteve ka shteruar. Instrumentet e zhvillimit të gjithë këtyre viteve nuk janë më të vlefshme, sepse nuk arrijnë të prodhojnë rritje, të krijojnë punësim dhe të garantojnë kohezion social. Gjendemi përpara sfidës për të ndërtuar një model të ri zhvillimi. Një model të ri zhvillimi të bazuar tek prodhimi; të bazuar tek punësimi përmes investimeve prodhuese; bazuar tek transformimi i sistemit tonë arsimor dhe tek rritja eksponenciale e peshës dhe e cilësisë së arsimit profesional; bazuar tek domosdoshmëria për të kaluar nga një gjendje prapambetje e thellë në sektorin e fshatit në një zhvillim modern rural; bazuar tek bindja se turizmi në vendin tonë duhet të kthehet nga një fushë prurjesh, të cilat i mbeten spontanitetit në një industri që të krijojë mirëqenie dhe vende pune. Të bazuar tek domosdoshmëria për të ndërtuar një sistem funksional në marrëdhëniet mes individit si kontributor dhe shtetit si shërbëtor. E padyshim, bazuar tek bindja se të gjitha këto janë të mundura vetëm përmes një reforme rrënjësore të sistemit qeverisës, të institucioneve që lidhen drejtpërdrejtë me ekonominë dhe me botën e sipërmarrjes. Të marrëdhënies, në fund fare, por jo për nga rëndësia, të qeverisë me sipërmarrësin dhe të sipërmarrësit me shoqërinë.
Temat janë të hapura për diskutime. Gjithsecili është i ftuar që të angazhohet me pyetje në një diskutim ku të ftuarit tanë jam i bindur që do të sjellin ide të reja dhe do të krijojnë atë sinergji të domosdoshme për qeverinë tonë mes kapaciteteve lokale, kapitalit tonë njerëzor dhe kapaciteteve të tjera, që për ne janë të domosdoshme. Të cilat, ne do të bëjmë çmos që t’i vendosim në dispozicion të Programit tonë për Rilindjen për të ecur më shpejt drejt Bashkimit Europian, por me qëllimin që Europën e shumë ëndërruar ta ndërtojmë këtu dhe ta bëjmë të prekshme për njerëzit tanë në jetën institucionale të vendit, në shërbimet që ju ofrohen qytetarëve dhe në bashkëjetesën që duhet të garantojë konkurrencë të lirë dhe meritokraci.
Faleminderit dhe punë të mbarë të gjithë të ftuarve tanë dhe ndjekje të mbarë të konferencës për të gjithë ju.
Paneli I
Ministri i ardhshëm i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj: “Është pak e vështirë për të folur për sfidat e Shqipërisë në tre apo katër minuta. Sidoqoftë, kemi diskutuar dje me kolegët e nderuar dhe me miqtë e shquar që patëm dje gjatë gjithë këtyre seancave. Do të thosha që nuk ka më diskutim se ekonomia shqiptare ka konsumuar atë rritje natyrale që ka sjellë periudha e e tranzicionit dhe në vetvete përballet me sfidën e riformësimit të vetes. Kur flas për riformësim absolutisht i referohem të gjithë aktorëve të tregut dhe këtu përfshij qeverinë, bashkësinë e biznesit, industritë të cilat janë aktor mjaft aktiv. Kur i referohem qeverisë i referohem njërit prej aktorëve që ka detyrën të fillojë të formësojë politika, të marrë nisma të ndërmarrë veprime të cilat do të mund të nxisnin bashkësinë e biznesit. Do të nxisnin sektorët e industrisë që të riformësoheshin në bazë të platformës së konkurrencës së tregut të lirë.
Por cila është sfida e parë? Aktualisht, do t’i ndaja këto dy sfida, në dy periudha kohore. Janë sfidat urgjente dhe më pas sfidat afat mesme dhe afatgjata. Në ditët e para në detyrën e saj, kjo qeveri, por edhe kjo shoqëri do të përballet me sfidën e menjëhershme të borxhit. Nuk i referohem vetëm borxhit publik, i referohem gjithashtu borxhit që qeveria i detyrohet biznesit. E dimë tashmë, kemi folur për më shumë sesa dy vjet se biznesi është gjithmonë e më tepër në luhatje sepse qeveria nuk ka paguar detyrimet e veta. Ka të paktën 400 milionë euro dhe na duhet ta themi, na duhet ta pranojmë zyrtarisht, pra 400 milionë euro që qeveria i ka borxh komunitetit të biznesit. Ka një reagim mjaft problematik zinxhir që lidhet në fakt me shëndetin financiar të komunitetit të biznesit, korporatave, bizneseve të vogla, të bankave dhe të ekonomisë në përgjithësi, që flasin për hua të këqija prej 24%. Një nga arsyet është gjithashtu detyrimet që qeveria ka tek biznesi. Ka dhe një çështje tjetër që do të shqyrtohet më pas edhe nga Ministri i Energjisë, është situata emergjente e energjisë. Kjo ekonomi do të përballet gjatë gjashtë muajve në vijim dhe pse shpresojmë që jo, do të lutemi që të bjerë shi, sidoqoftë do të përballet me një situatë emergjence energjetike. Kjo është një sfidë mjaft afatshkurtër, që në fakt do të ndikojë tablonë e dy tre vjetëve në vijim për sektorin dhe jo vetëm për sektorin.
Më pas do të vijojmë me sfidat afatgjata. Ka debate të cilat do të formësohen dhe do të shtjellohen në të gjitha diskutimet tona sot. Kjo ekonomi duhet të shkojë nga ekonomia e konsumit tek ekonomia e orientuar tek prodhimit. Kur flas për një ekonomi të orientuar nga prodhimi, flas për rigjallërimin e prodhimit të brendshëm. Për orientimin e tij nëpërmjet politikave. Gjithashtu edhe zëvendësimin e importeve, në kuptimin e ri të fjalës dhe për ta bërë këtë ekonomi të orientuar nga eksporti, sepse kjo do të krijojë vende pune. Kjo do të përmirësojë në mënyrë absolute situatën financiare të vetë bizneseve, gjithashtu edhe të buxhetit.
Të gjitha këto, prodhimi i brendshëm, eksporti, punësimi, zëvendësimi i importeve bashkohen në një koncept të vetëm, që nuk është më dhe nuk duhet të mbetet më retorikë; Rritja Ekonomike.
Shqipëria e ka konsumuar tashmë kufirin e borxhit nga të gjitha pikëvështrimet e mundshme dhe ai i korporatave. Nuk diskutojmë 1% më pak 1% më shumë, flasim për një ulje të remitancave për shkak të krizës, për shkak të faktorëve të tjerë. Në fakt edhe për llogarinë tonë tregtare ne po shkojmë tek një element që është shumë i rëndësishëm, që ekonomia shqiptare nuk e ka pasur, që janë investimet e huaja të drejtpërdrejta.
Ka ndonjëherë një pyetje naive të thjeshtë që bëhet, përse Shqipëria nuk tërheq mjaftueshëm investime të huaja të drejtpërdrejta? Dikush mund të thotë sundimi i ligjit, po këtu fillojmë. Kjo qeveri ka sfidën që të përmirësojë situatën, që të nxisë investime të drejtpërdrejta të huaja. Pra, ku do të jetë ai injektim që do të na sjellë mirëqenie, do të na sjell punësim, apo një imazh më të mirë. Në një apo dy vite do të duhet që edhe komuniteti i biznesit tek ne të shkojë pas historive të suksesit të investimeve të huaja. Pra, do të na duhet të kemi histori të suksesit në biznes dhe në investimet e huaja të drejtpërdrejta.
Ish Ministri i Ekonomisë dhe Tregtisë në Suedi, zoti Pagrotsky:“Do doja që të flisja për ato mësime që kemi nxjerrë ne në vendin tonë dhe që mund të kenë vlerë për ju. Së pari, është një fakt i njohur që të gjitha tregtitë bëhen mes fqinjëve. Kam shpenzuar mjaft energji si ministër i tregtisë për të promovuar eksportet e vendit në Kinë, në Indonezi, në Japoni, tregje në rritje, tregje të mëdha, por larg. Sido që të jetë, fakti është që pas përpjekjeve të shumë viteve dhe të suksesshme për ta bërë një gjë të tillë, në fakt këto eksporte që ne bëjmë në këto tregje prej miliarda njerëzish janë më të vogla sesa marrëdhëniet tregtare që kemi me vendet fqinjë. Kur shoh hartën e Shqipërisë shoh që ju keni dy fqinjë që kanë probleme shumë të mëdha, Greqinë dhe Italinë. Ky në fakt nuk është fat i mirë për ju. Sido që të jetë jeni dhe me fat, sepse jeni fqinjë me një ekonomi që është në rritje, është në zhvillim shumë të madh, jeni afër me Turqinë. Ky është një fat i madh, ky është një fat që mund t’ju ndihmojë sepse mund të ndërtoni marrëdhënie tregtare, ekonomike, të krijoni kontakte, ta përdorni këtë si një mbështetje për zhvillimin tuaj.
Konstatimi im i dytë është se duke parë këtë situatë, duke qenë dhe për një kohë shumë të gjatë në politikë, unë them se kur je në politikë do të tregosh sa më shpejt se mund të bësh diçka, duke i ofruar mbështetje dikujt.
Pra, në qoftë se duam të mbështesim disa fusha ne mund të përdorim sisteme transparence të vendosura nga parlamenti.
Në qoftë se duam që një administratë tatimore të përqendrohet në detyrën e vet, të sjellë para për buxhetin që t’ju japë mundësi të bëni gjërat që doni të bëni si politikan.
Gjëja e fundit që dëshiroj të them është e rëndësishme, por pak më e vështirë. Është që të bazohet ekonomia juaj dhe rritja ekonomike në deficit dhe gjithmonë në borxhe, kjo është shumë e rrezikshme. Të duket gjë e mirë në aspektin afatshkurtër, por ama më pas ata që do t’ju kenë dhënë paratë borxh do t’i kërkojnë ato, do ndodhin ngjarje në Shqipëri, jashtë Shqipërisë dhe do të duan që t’i kërkojnë paratë ndoshta më shpejt se ç’kishit rënë dakord dhe s’do të jetë kjo një situatë shumë e këndshme. Kjo na ka ndodhur ne në vitin 1992. Do t’ju thosha mos e vendosni veten në një situatë të tillë, pasi gjëja më e mirë që kemi bërë ne në 20 vitet e fundit ka qenë pikërisht të dilnim nga ky makth dhe tani pas shumë vitesh pune të shumtë politike dhe ju them që nuk ishte e lehtë, ne kemi humbur vota, kemi humbur zgjedhje, por ama Suedia është tani në pozicionin e duhur, pikërisht për arsye të asaj pune që ne kemi bërë. Kjo ishte puna më e vështirë për të bërë, por gjëja më e lehtë për t’u thënë.”
Drejtoreshë e Bankës Botërore për Europën Juglindore dhe Azinë Qendrore Ellen Goldstein: “Unë kam ardhur në Shqipëri në fakt përpara 20 vjetësh dhe kam qenë pjesë e zyrës së Bankës Botërore, ekipit të parë për të vlerësuar ekonominë pasi Shqipëria doli nga dekada të shumta të izolimit politik
Sot Shqipëria është një ekonomi më e hapur. Në fakt Shqipëria, sot, fatkeqësisht duket një vend me papunësi shumë të lartë, një sektor financiar shumë të cenueshëm, disa mund të thonë që Shqipëria mund të rrezikojë që të bjerë në një kurth të vendeve më të ardhura të mesme, domethënë pak inovime, shërbime, por duhet thënë edhe që prodhimi duhet rritet në vend. Këto janë disa nga sfidat me të cilat do të përballet qeveria e re. Unë mendoj që është e mrekullueshme që kryeministri i zgjedhur dhe qeveria e re dëshiron që të shikojnë këto sfida. Unë do të sugjeroja katër fusha prioritare ku mendoj që qeveria mund të marrë hapa specifikë në 6 deri në 12 muajt e ardhshëm.
1- Të parandalohet kriza
2- Krijimi i vendeve të punës
3- Dhënia e shërbimeve
4- Mbrojtja e burimeve natyrore
Parandalimi i krizës apo i kriza ne e dimë në fakt është puna numër një në çfarëdolloj qeverie. Pra, dy fusha të cilat unë mendoj që kërkojnë angazhim në këtë fushë në Shqipëri, e para ka të bëjë siç e tha edhe z.Ministër është sektori i energjisë i cili ka shumë probleme investimi. Shpërndarja ka problematika, edhe faturimet. Tarifat nuk mbulojnë kostot e tanishme. Shumë nga institucionet kyçe kanë hequr dorë. Qeveria duhet të ndërmarrë veprime të menjëhershme që të ketë furnizime të bollshme për dimrin dhe natyrisht të shikojë aspektin fiskal.
Unë mendoj që një shqetësim ndoshta më pak i madh është sektori financiar. Bankat janë të kapitalizuara, këtu s’ka nevojë për shqetësim, por ka patur një rritje shumë të madhe përsa i përket kredive të këqija në 25% dhe kjo shifër duhet ulur. Edhe marrja borxh në sektorin publik ka qenë shumë e madhe dhe duhet që patjetër të trajtohet si çështje.
Përsa i përket krijimit të vendeve të punës qeveria mund të ndërmarrë shumë hapa sidomos edhe në aspektin afatshkurtër për të rritur konkurrueshmërinë dhe investimet e huaja. Reformat në këtë fushë kanë mbetur pas dhe Shqipëria ka një deficit të lartë dhe duhen investime të larta për të rritur konkurrueshmërinë.
Një nga prioritetet më kyçe është që të mbarohet regjistrimi i pronave.
Pavarësisht hapave që janë ndërmarrë për të rritur cilësinë e arsimit gjysma e të rinjve shqiptarë ende janë analfabetë funksionalë sipas testimit europian.
Duke lëvizur tek aspekti i tretë mendoj që është e rëndësishme që qeveria të merret me dhënien e shërbimeve. Unë e kam fjalën për aspektin e të ardhurave, për masa strukturore, të cilat do të japin hapësirën e duhur fiskale dhe incentivat e duhura që të jepen shërbime më të mira për shqiptarët.
Të rritet besimi që kanë njerëzit tek institucionet publike. Qeveria e re të ketë sa më shumë hapa të duhura në mënyrë që të jetë llogaridhënëse ndaj atyre që e kanë votuar.
Pika e fundit ka të bëjë me djepin e Shqipërisë, ka të bëjë me burimet natyrore. Shqipëria ka ato që quhen pika të nxehta, ka disa defiçenca edhe në menaxhimin e mbetjeve urbane. Menaxhimi i mbetjeve duhet parë edhe me menaxhimin e ujërave, duke pasur parasysh edhe ndryshimet klimatike.
Ish-guvernatori i Bankës së Turqisë, Durmus Yilmaz: “Na duhet një mjedis ekonomik dhe social që të bëjë të mundur rritjen ekonomike, në mënyrë që të kemi një ekonomi industriale dhe rurale moderne dhe të kemi shërbime tregu. Prandaj “Alenaca për një Shqipëri Europiane” i ka vënë vetes përpara një listë të gjërave që duhen bërë dhe që nuk duhen bërë. Kështu e kam kuptuar nga materialet që na janë dhënë më parë. Po ashtu qeveria e ardhshme ka vënë edhe objektivat kryesore për 100 dhe 300 ditët e para. Për të pasur rezultate të mira duhen pasur disa kushte të domosdoshme.
1- Duhet të kemi një diagnozë të saktë të situatës
2- Duke u bazuar te kjo situatë duhet edhe një recetë e mirë për sa u përket politikave që duhen ndjekur
3- Zbatimi i këtyre politikave
Këto tre faza janë shumë të rëndësishme, por unë mendoj se më e rëndësishmja është vënia në zbatim e politikave, që është në fakt edhe më e vështira.
Nga materialet që na janë dhënë, me sa kam kuptuar diagnoza është bërë në një mënyrë të atillë ku shihen disa probleme strukturore dhe siç dihet dhe siç e dimë edhe ne, problemet strukturore janë probleme afatgjata dhe kërkojnë ndryshime strukturore, ndërsa problemet e tjera konjukturore janë afatshkurtra, çka do të thotë se kur ndryshojnë kushtet ato zhduken.
Kriza që po kalon ekonomia botërore dhe po ashtu efektet e kësaj krize në vendet fqinje dhe ato të Bashkimit Europian kanë një efekt të konsiderueshëm në ekonominë shqiptare, veçanërisht në problemin e punësimit. Siç jam informuar shqiptarët që punojnë e jetojnë jashtë po dërgojnë më pak para në vend se më parë. Pra, ekonomia nuk merr më tashmë atë që merrte më parë. Prandaj, është shumë e rëndësishme që të merren vendimet e duhura në kohën e duhur. Nuk duhet të ketë vonesa dhe duhet të ketë një diskutim përsa i përket këtyre problemeve.
Duhen ulur kostot e ekonomisë. Duhet të keni kujdes për atë që kërkojnë njerëzit dhe çfarëdo që të bëni duhet të jetë e buxhetuar. Disiplina fiskale është kyçe për suksesin.
Ministri i ardhshëm i Financave, Shkëlqim Cani: “Stabiliteti financiar nuk vjen vetëm. Ai natyrisht që kërkon edhe një stabilitet të ekonomisë. Ekonomia ka hyrë tani në një fazë që do ta quaja interesante, por jo pa e shoqëruar me atë që është në një realitet shumë të vështirë. Si pikë të parë ndaj këtij realiteti të vështirë me të cilin po ballafaqohemi unë do të rendisja reformat strukturore, modeli i ri dhe liberalizimi i ekonomisë, nëse do të ndalesha thjesht në atë që i përket Ministrisë së Financave. Natyrisht që, do të flas për modernizim, për shtim të institucioneve financiare, për thellim të tregut financiar, duke u nisur si nga tregu sekondar i letrave me vlerë të qeverisë ashtu edhe në shtim institucionesh dhe në institucione të reja financiare, të cilat do ta kompletojnë shumë më mirë shërbimin dhe grupin e produkteve për konsumatorin, për qytetarët shqiptarë dhe për tregun.
Si pikë e dytë do të ishte mirëqeverisja.
Natyrisht është një fjalë e gjerë, është për gjithë qeverinë, por unë këtu do të specifikohesha tek dy institucionet fiskale doganat dhe tatim taksat, si dhe në një institucion tjetër në varësi të Ministrisë së Financave, që ato jo vetëm duhet të shohin një përmirësim rrënjësor, lidhur me korrupsionin, monopolet, antimonopolet, pastrimin e parasë, krimin ekonomik, etj, por do të hidhesha edhe në një fushë të dytë që lidhet me një përmirësim rrënjësor të marrëdhënieve dhe të klimës së marrëdhënieve me biznesin. Ne duhet ta mbyllim kohën e marrëdhënieve të tensionuara me biznesin. Duhet të fillojmë një epokë të re, ku organet e tatim taksave të ndërtojnë marrëdhënie të reja si në shërbimin ndaj klientelës, në departamentin e ankimeve ose atë të ombucmanit. Po ashtu ne duhet të shtojmë transparencën me publikun për të kuptuar se nga vijnë dhe ku shkojnë paratë tona si dhe për thjeshtësi, qartësi, dhe parashikueshmëri shumë më të mirë të taksave dhe tatimeve. Duhet të mbarojë epoka e ndryshimeve të përmuajshme të ligjeve dhe të akteve nënligjore.
Së fundi, do të ndalesha tek ajo që na dhemb të gjithëve; Si të nxisim ekonominë për të ecur përpara. Unë do të ndalesha tek ajo pjesë që na përket më shumë neve si Ministri e Financave, por duke nënkuptuar që janë edhe aktorë të tjerë, është biznesi, është Banka e Shqipërisë, janë bankat e tjera, pra do të ndalem tek kreditimi. Natyrisht, një ekonomi nuk mund të ecë përpara pa kredi. Kredia është pothuajse pa rritje tashmë. Kreditë e këqija janë shumë të larta. E, doemos kjo është një iniciativë e përbashkët që ne po e ravijëzojmë dhe së shpejti do të mblidhemi edhe me aktorët e tjerë për të gjetur zgjidhje.”