Papa Françesku, Ati i parë i Shenjtë latinoamerikan në histori

Papa Françesku, i konsideruar si Papa i të gjithë njerëzve, zhvillon nesër një vizitë në Tiranë me ftesë të peshkopëve dhe autoriteteve civile shqiptare për të shprehur inkurajimin e tij për një vend, që ka vuajtur për një kohë të gjatë nga ideologjitë e së shkuarës.

"Me këtë vizitë të shkurtër, dëshiroj të konfirmoj besimim për Kishën Shqiptare dhe të dëshmoj inkurajimin tim për një vend që ka vuajtur për një kohë të gjatë si pasojë e ideologjive të së shkuarës", ka deklaruar Papa për vizitën e sotme në kryeqytetin shqiptar.

Cili është Jorge Mario Bergoglio, Papa i parë latinoamerikan në histori?
Jorge Mario Bergoglio u lind në kryeqytetin argjentinas më 17 dhjetor 1936. I formuar në seminarin e "Vila Devoto"-s, ai u diplomua në San Miguel për filozofi nga Kolegji i Lartë Katolik i San Hozesë dhe në vitet në vazhdim dha mësim në literaturë dhe psikologji, në një kolegj të Santa Fesë dhe më pas në Buenos Aires.

I urdhëruar "at" në vitin 1969, Bergoglio shërbeu si një prift në zonat e largëta në Argjentinë midis viteve 1973-79, ku aftësitë mbresëlënëse në komunikim, thjeshtësia, përultësia dhe aftësia e tij në përhapjen e fesë katolike, e ndihmuan që në 1980-n të rikthehej në Buenos Aires, për t'u bërë reaktor i universitetit në të cilin u formua.
Papa Francesku u transferua në Europë në vitin 1986 në Gjermani, për të vazhduar karrierën e tij akademike, por pas mbrojtjes së tezës së doktoraturës, u rikthye në atdhe, ku shërbeu përsëri si peshkop në një kishë në Kordoba.

Ishte Papa Gjon Pali i Dytë ai që duke vlerësuar punën e një jete të Papës Bergoglio, një njeri i përulur, veçanërisht i devotshëm dhe që pavarësisht mundësive për të bërë një karrierë të rehatshme në zyrat e Kishës Katolike, zgjodhi jetën e një misionari të vazhdueshëm, që në vitin 2001 e thirri në Vatikan, ku në 21 shkurt e nderoi duke e graduar kardinal.

Si kardinal, Bergoglio edhe një herë më shumë u bë i njohur për përultësinë e tij, konservatorizmin ndaj doktrinës së krishterë dhe drejtësisë shoqërore. Ndryshe nga kardinalët e tjerë, Françesku refuzoi që të jetonte në apartamentet luksoz me shpenzimet e Vatikanit, duke zgjedhur një banesë të thjeshtë, për të jetuar me pagën e tij modeste.
Ai gjithashtu refuzoi transportin me makinë, duke preferuar të lëvizte me mjetet e zakonshme të transportit, ndërsa gatuan vetë.

Në vitin 2005, kardinali argjentinas, i pari Papë nga Amerika e Jugut, mori pjesë në konklavën, nga e cila u zgjodh Benedikti XVI, pas vdekjes së Karol Vojtilës, Papa Gjon Palit të Dytë.

Bergoglio është një teolog i kompletuar, i cili e ka distancuar veten nga teoritë liberale, duke zgjedhur rrugën e konservatorizmit. Ai është shprehur kundër martesave homosokesuale, duke kundërshtuar ashpër vendimin e shtetit argjentinas për t'i ligjëruar në 2010-n, por ka kërkuar që kisha t'u mësojë anëtarëve të këtij komuniteti fjalën e saj dhe të mos i syrgjynosë, duke thënë se rruga e vetme që mund të ndjekë kisha është ajo e dashurisë për njeriun.

Papa Françesku, i pari me këtë emër, është gjithashtu një kundërshtar i ashpër i abortit dhe eutanazinë.

Në gjestin më të madh të përuljes dhe thjeshtësisë, Ati Françesku i Parë, në vitin 2001, vizitoi një qendër shëndetësore ku trajtoheshin të sëmurë me HIV-Aids, duke larë dhe puthur këmbët e 12 të sëmurëve.

Përsa i përket doktrinës politike dhe asaj sociale, Papa Françesku predikon më shumë përkushtim dhe lutje ndaj Zotit, Krishtit e Frymës së Shenjtë, duke besuar se diçka e tillë do të ngjallë automatikisht më shumë kujdes për klasat më të varfëra të shoqërisë. Megjithatë, idetë e tij shtrihen edhe në rrafshin praktik, përtej atij shpirtëror, duke mbështetur programet sociale dhe sfiduar publikisht teoritë e tregut të lirë.

Bergoglio është Papa i 266 në radhë, por i pari që preferoi këtë emër. Vatikani nuk ka një kriter të përcaktuar mbi emrin me të cilin "pagëzohet" një Papë dhe ai zgjidhet nga vetë kardinali, në momentin që votohet për të drejtuar Selinë e Shenjtë.

Megjithatë, në të shkuarën, zgjedhja e emrit ka qenë një kriter për të treguar mbi preferencat e Papës dhe linjës që ai ka dashur të ndjekë, duke iu referuar Papëve të mëparshëm mbajtës të këtij emri. Ai u zgjodh Papë në 13 mars 2013 në Kapelën Sistinë, në Romë nga 115 kardinalë.

"Nga nesër, do të jetë ai që do të lutet për të gjithë ne. Por, sot, "lutjuni Zotit për mua dhe qofshin lutjet tuaja udhërrëfyesi im", tha ai nga ballkoni mbi Shën Pjetër/ATSH/

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

'Më duhet të ndalem dhe të reflektoj', kryeministri i Spanjës drejt dorëheqjes, shkak akuzat për korrupsion ndaj gruas