Papa Leone XIV ka kritikuar udhëheqësit që shpenzojnë miliarda për luftëra, teksa mbajti një fjalë nga Kameruni.

Deklarata e tij vjen pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump e kritikoi sërish ditën e sotme, në mediat sociale.

Duke folur në Bamenda, në rajonin anglishtfolës të vendit të goditur nga konflikti, Papa i parë amerikan denoncon gjithashtu ata që "manipulojnë fenë dhe vetë emrin e Zotit për përfitimin e tyre ushtarak, ekonomik dhe politik", duke paralajmëruar kundër përdorimit të besimit për të justifikuar dhunën.

Duke iu drejtuar një komuniteti të prekur nga pothuajse një dekadë trazirash, ai tha se ka ardhur “për të shpallur paqen”, por shtoi se zbuloi se vendasit tashmë po “shpallnin paqe për mua dhe për të gjithë botën”.

Leo thekson koston njerëzore të luftës, duke kritikuar atë që ai e përshkroi si një çekuilibër global në prioritete.

“Mjeshtrat e luftës bëjnë sikur nuk e dinë se mjafton vetëm një çast për të shkatërruar, megjithatë shpesh një jetë e tërë nuk është e mjaftueshme për të rindërtuar”, tha ai, duke shtuar se “miliarda dollarë shpenzohen për vrasje dhe shkatërrime, megjithatë burimet e nevojshme për shërim, edukim dhe restaurim nuk gjenden askund”.

Duke bërë thirrje për një “ndryshim vendimtar të kursit”, Papa nxit një zhvendosje drejt “një rruge të qëndrueshme, të pasur me vëllazëri njerëzore”.

Pavarësisht paraqitjes së zymtë, Papa përcjell një notë shprese, duke thënë se ndërsa "bota po shkatërrohet nga një grusht tiranësh", ajo po "mbahet e bashkuar nga një mori vëllezërish dhe motrash mbështetëse".